Drejt shërbimeve pa barriera: Analiza e re e shërbimeve për fëmijët me paaftësi

17 Dhjetor 2025
Foto ngjarjeje e folësve që i drejtohen audiencës
UNICEF North Macedonia / 2025

Shkup, 17 dhjetor 2025 –Analiza e re e shërbimeve për fëmijët me paaftësi bën thirrje për një angazhim të përditësuar për shërbime të qasshme, me cilësi të lartë dhe të financuara në mënyrë adekuate, me qëllim që të sigurojnë që fëmijët me paaftësi ta marrin mbështetjen e nevojshme për t’u përfshirë në shoqëri dhe për ta përmbushur potencialin e tyre.

Këto ishin konkluzionet e evenimentit, në të cilin palët përkatëse nga institucionet qeveritare, ofruesit e shërbimeve, organizatat e personave me paaftësi dhe prindërit i diskutuan gjetjet e analizës së re.

“Ne, si Ministri, jemi të vetëdijshëm se mbështetja e fëmijëve me paaftësi është një proces i ndërlikuar dhe shumësektorial. Prandaj, dëshirojmë t’i identifikojmë së bashku sfidat dhe mundësitë si dhe përmes harmonizimit të praktikave, politikave të qarta, kapaciteteve të forcuara dhe koordinimit të përmirësuar, të ofrojmë zgjidhje cilësore, në kohë të duhur dhe të qëndrueshme”, tha Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Analiza në fjalë është realizuar nga Shoqata e edukatorëve specialë dhe rehabilituesve në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Shërbimin për vlerësimin funksional të fëmijëve dhe të rinjve në Qendrën Shëndetësore Shkup.

“Kishim qasje unike dhe gjithëpërfshirëse. Shqyrtuam faktin nëse shërbimet e rekomanduara, të identifikuara gjatë vlerësimeve individuale të paaftësisë, janë ofruar në mënyrë efektive dhe masën e duhur për përmirësimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në jetën e përditshme dhe në raportet e tyre me bashkësinë”, tha Goran Petrushev, president i Shoqatës së edukatorëve specialë dhe rehabilituesve. “Pothuajse dy të tretat e prindërve shprehën kënaqësi nga shërbimet që morën për fëmijët e tyre.”

“Analiza nxjerr në pah rezultate premtuese për të vazhduar dhe për të bërë më shumë, gjegjësisht për të siguruar që çdo fëmijë ta gëzojë mbështetjen e nevojshme. UNICEF-i mbetet i përkushtuar për ta vazhduar këtë rrugëtim me palët përkatëse lokale - duke siguruar që çdo fëmijë të përfshihet, të vlerësohet dhe të fuqizohet, me qëllim të përmbushjes së potencialit të plotë”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it.

“Sikurse Qeveria, po ashtu edhe unë personalisht, marrim përgjegjësinë për të krijuar kushte, në mënyrë që rekomandimet e dhëna të përkthehen në politika dhe masa konkrete”, shtoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.

Analiza shqyrtoi mbi 1,700 vlerësime funksionale. Ajo konstatoi përparim të konsiderueshëm në mbështetjen e fëmijëve me paaftësi, duke përfshirë krijimin e shërbimeve të reja dhe zhvillimin e partneriteteve të fuqishme. Përkundër përparimeve të shënuara, edhe më tej ngelin sfida tjera, duke përfshirë mungesën e personelit të specializuar, qasjen e pabarabartë në shërbime nëpër rajone, mungesat e fondeve dhe boshllëqet rreth koordinimit ndërsektorial.

Më konkretisht, kjo analizë thekson që edhe pse shumica e fëmijëve janë të përfshirë në orë të rregullta me plane individuale arsimore dhe mbështetje programore, megjithatë pak prej tyre kanë qasje në teknologjitë ndihmëse, madje ka edhe mungesë të logopedëve. Veç kësaj, ndonëse ndihma financiare është përgjithësisht e disponueshme, prapëseprapë më pak se gjysma e tyre e marrin ndihmën dhe këshillimin e nevojshëm personal, ndërsa shërbimet e ndërhyrjes së hershme janë të kufizuara.

Gjatë evenimentit partnerët diskutuan veprimet prioriteteve për t’i adresuar disa nga pengesat, duke përfshirë nevojën për:

  • Zgjerimin dhe decentralizim e shërbimeve në rajonet pa qasje të mjaftueshme në shërbime, në mënyrë që familjet në qytetet më të vogla dhe zonat rurale të mos përballen me kosto të papërballueshme rreth udhëtimit dhe qasjes.
  • Adresimin e mungesave të personelit të ofruesve të shërbimeve të specializuara, duke përfshirë edukatorët specialë, logopedët dhe psikiatërit e fëmijëve.
  • Vazhdimin e transformimit të shkollave​ ​dhe kopshteve ne ente gjithëpërfshirëse dhe të qasshme dhe zgjerimin e disponueshmërisë së teknologjive ndihmëse.
  • Ofrimin e trajnime sistematike dhe të përshtatura për të gjithë profesionistët, të cilët punojnë me fëmijët me paaftësi, duke përfshirë ndërhyrjen e hershme dhe praktikat e arsimit gjithëpërfshirës.
  • Përforcimin e koordinimit dhe monitorimit ndërsektorial, duke i përshtatur sistemet shëndetësore, arsimore, sociale dhe ato të mbrojtjes së fëmijëve me shtigjet e përqendruara te fëmija dhe familja.   
  • Garantimin e ofrimit me kohë të të gjitha shërbimeve të rekomanduara nga ekipet e vlerësimit funksional pa ndonjë vonesë ose diskriminim.

Analiza bazohet në Klasifikimin ndërkombëtar të funksionimit, aftësisë së kufizuar dhe shëndetit (KNF), i cili me mbështetjen e UNICEF-it u pilotua për herë të parë në vend në vitin 2019 në vlerësimet e paaftësisë. Sot, ekzistojnë nëntë ekipe rajonale të vlerësimit, të cilat shërbejnë si pika të vetme hyrjeje për fëmijët dhe të rinjtë për të pasur qasje në shërbimet mbështetëse dhe përfitimet në të holla. 

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.