Sondazhi i ri tregon se shoqëria është e brengosur për ndryshimet klimatike

Të rinjtë janë më të shqetësuar dhe janë më të motivuar për veprim

02 Mars 2022
Adolescent girl sitting in front of tree, looking at the camera and smiling
UNICEF/2018/Dimishkovski

SHKUP, 1 Mars 2022: Sondazhi i ri mbi njohuritë, qëndrimet dhe praktikat e publikut të gjerë mbi ndryshimet klimatike dhe mjedisin tregon se shumica e qytetarëve (73%) janë të shqetësuar për ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre negativ në cilësinë e jetës së fëmijëve. 

Këto gjetje tregojnë se ndotja e ajrit është kërcënimi më i madh mjedisor për rreth 62% të të anketuarve, ku të rinjtë janë veçanërisht të shqetësuar në krahasim me grupmoshat e tjera. Të anketuarit më të rinj kanë shprehur gjithashtu motivim më të madh për t’u angazhuar në aktivitete për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa kategoria më aktive e qytetarëve që personalisht kanë ndërmarrë veprime janë të anketuarit e moshës 15-18 vjeçare.
 

“Kriza klimatike nuk është veç kërcënim i së ardhmes. Tashmë ajo është një realitet dhe shoqëria po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë për të. Një anë pozitive dhe jashtëzakonisht premtuese në këtë krizë është se fëmijët dhe të rinjtë janë të motivuar për të ndërmarrë veprime, andaj ne e kemi përgjegjësinë të vazhdojmë të krijojmë hapësirë për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre -- duke siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe nevojat e tyre të reflektohen në vendimet që merren, tha Artur Ajvazov, Zëvendës Përfaqësues i UNICEF-it.

Sipas 66% të të anketuarve, industria është kontribuuesi më i madh në ndryshimet klimatike, e ndjekur nga 44% që besojnë se është transporti dhe trafiku, 40% që besojnë se djegia e mbeturinave në deponitë ilegale dhe 38% që besojnë se ngrohja e amvisërive me energji jo të rinovueshme është kontribuuesi më i madh në ndryshimet klimatike.

Qytetarët ishin të ndarë në lidhje me gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar personalisht në aktivitete për veprimin e klimës dhe mbrojtjen e mjedisit. Përderisa 46% e të anketuarve janë të motivuar personalisht për t’u përfshirë në veprimet klimatike dhe mjedisore, deri në 43% nuk pajtohen se ata si individë nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e klimës, ndërsa pothuajse gjysma e tyre do të vepronin vetëm kur të tjerët rreth tyre ta kenë bërë veprime përkatëse. Edhe pse pothuajse gjysma e popullsisë ndihet e motivuar, vetëm 19% e të anketuarve janë përgjigjur se personalisht kanë ndërmarrë veprime.

Shumica dërrmuese, nëntë nga dhjetë të anketuar besojnë në ndikimin e familjes lidhur me ndërgjegjësimin për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike, ndonëse një numër i njëjtë besojnë se shkollat janë vendi më i mirë për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si vendimet dhe veprimet e tyre ndikojnë në mjedis dhe për mënyrën si ta ruajmë mjedisin tonë të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.

Hulumtimi përfshiu 1200 intervista të drejtpërdrejta në gjithsej 46 komuna, duke i mbuluar zonat urbane dhe rurale, të përzgjedhura si mostër nga të tetë rajonet statistikore të vendit. Ky hulumtim u realizua si pjesë e projektit “Fuqizimi i të rinjve dhe fëmijëve për të qenë shtytës aktivë të ndryshimit në zvogëlimin e cenueshmërisë së komunitetit ndaj ndryshimeve klimatike”, të zbatuar nga UNICEF-i dhe të mbështetur financiarisht nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
 

Gjetjet kryesore nga hulumtimi shërbyen si bazë për diskutimin e aktivistëve të rinj të mjedisit, të cilët u mbështetën nga UNICEF përmes procesit të krijimit të një strategjie të komunikimit dhe ndryshimit të sjelljes, të drejtuar nga të rinjtë mbi veprimin e klimës dhe mbrojtjen e mjedisit, të krijuar për publikun e gjerë.

Në fillim të vitit të kaluar UNICEF-i mbështeti disa iniciativa konsultative me të rinjtë, si “Pjesëmarrja kuptimplotë e të rinjve për veprimin klimatik dhe ambicien e Kontributit të përcaktuar nacional (KPN)”, Rimendo të ardhmen dhe U-raporti për ta dëgjuar zërin e të rinjve nga i gjithë vendi mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, që rezultuan me një Deklaratë rinore mbi klimën, e cila përfshinte pesë çështje specifike: krijimi i hapësirës për të rinjtë që të nxisin zgjidhje klimatike; vendimmarrësit të rimendojnë modele ekonomike dhe të gjejnë mënyra për t’i nxitur industritë të punojnë në mënyrë të qëndrueshme; promovimi i riparimit dhe ripërdorimit të produkteve të qëndrueshme, që zgjasin më gjatë; decentralizimi i prodhimit të energjisë me fokus më të madh në kooperativat e energjisë diellore; dhe përfshirja e edukimit mbi ndryshimet klimatike me mësimin nga përvoja.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.