Si ta di që foshnja ime po konsumon mjaftueshëm qumësht gjiri?

Ushqyerja me gji? Mund të jetë e vështirë të dini nëse foshnja juaj po konsumon mjaftueshëm qumësht. Ja shenjat që tregojnë se foshnja juaj po konsumon – gjegjësisht nuk po konsumon - qumësht të mjaftueshëm për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar.

UNICEF
Patronage nurse helping a new mother to breastfeed
UNICEF/UNI233775/Pancic
01 Gusht 2025

Sikurse të rriturit, foshnjat kanë trup, madhësi dhe metabolizëm të ndryshëm. Një foshnjë mund të ketë nevojë për më shumë ose më pak qumësht se një foshnjë tjetër. Tek të rriturit ndryshon oreksi dhe niveli i etjes sonë në varësi të asaj që kemi bërë gjatë ditës, sa lëvizje ose stimulim kemi pasur, nëse jashtë bën vapë ose është ftohtë, ose thjesht varësisht si ndihemi. E njëjta gjë vlen edhe për foshnjat. Në fakt, për dallim nga të rriturit, meqenëse foshnjat rriten kaq shpejt, nga dita në ditë nevojat e tyre mund të ndryshojnë edhe më shumë. Foshnjat kalojnë nëpër faza dhe “shpërthime” rritjeje që do të thotë se, ndonjëherë, mund të duan papritmas të ushqehen gjatë gjithë kohës (shpesh quhet “ushqim në grup”).  

Foshnjat ndryshojnë gjithashtu për sa i përket efikasitetit të tyre rreth të ushqyerit. Kur ushqehen me gji, disa foshnje mund ta konsumojnë gjithë qumështin që u nevojitet brenda pesë minutave. Të tjerëve mund t’u nevojiten 30 minuta. Disa mund të ushqehen katër ose pesë herë në ditë; të tjerët, 11 ose 12. Edhe më konfuze është se e njëjta foshnjë mund të dëshirojë sasi të ndryshme nga ora në orë, nga dita në ditë ose nga java në javë.

Kjo do të thotë që gjetja e mënyrave objektive, për “ta matur” nëse foshnja juaj po konsumon qumësht të mjaftueshëm, mund të jetë sfiduese.

"Nuk mund ta llogaritni sa shpesh e ushqeni foshnjën juaj. Nuk mund të bazoheni në kohëzgjatjen e një të ushqyeri. Nuk mund të bazoheni në pyetjen, “A po qanë? A është i/e shqetësuar?”, sepse kjo mund të nënkuptojë 20 gjëra të ndryshme”, thotë Ema Piket, një konsulente e çertifikuar nga bordi ndërkombëtar i laktacionit (IBCLC) nga Mbretëria e Bashkuar.

Edhe shenjat tjera, të cilat shumë njerëz i marrin si të mirëqena se një foshnjë është ende e uritur - siç është marrja e shishes pas ushqyerjes me gji - nuk e vërtetojnë domosdoshmërish këtë, thonë specialistët e laktacionit.

Pra, si mund ta kuptoni kur foshnja juaj ka konsumuar mjaftueshëm qumësht gjiri? Cilat janë shenjat që mund të duan të kalojnë në gjirin tjetër ose ta ndërpresin të ushqyerit?

Në fakt, pyetja më e madhe është: Si e dini nëse, në përgjithësi, foshnja juaj konsumon qumësht të mjaftueshëm për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar? Në vijim janë dhënë nëntë këshilla për të ditur nëse foshnja juaj konsumon qumësht të mjaftueshëm.

1. Ushqeni sipas shenjave, reagimeve të foshnjës, e jo sipas orës.

Studiuesit dhe specialistët e laktacionit bien dakord se është e rëndësishme të ushqyerit të bëhet sipas shenjave, reagimeve të foshnjës, që do të thotë ofrimi i gjirit ose shishes të bëhet sipas sinjaleve të urisë së foshnjës, në vend të orës ose sasisë së vlerësuar të qumështit. Në rastin e të ushqyerit me gji, organizimi i gjidhënies sipas shenjave, reagimeve të foshnjës është thelbësore për të siguruar që foshnja të marrë ushqim dhe hidratim të mjaftueshëm, dhe për ta ruajtur marrëdhënien e ushqyerjes me gji (dhe furnizimin me qumësht) për aq kohë sa dëshirohet. Gjithashtu mbështet lidhjen midis nënës dhe foshnjës.

Nuk është gjithmonë lehtë të dish se si ta ushqehesh foshnjën sipas shenjave, reagimeve (dhe cilat janë sinjalet e një foshnje). Një gjë e tillë kërkon t’i kushtosh vëmendje të madhe foshnjës tënde, si para ashtu edhe gjatë ushqyerjes.

"Nëse një foshnjë nuk dëshiron të jetë më në gji, atëherë na tregon diçka”, thotë Piket. Kjo nuk do të thotë gjithmonë se dëshiron ta mbarojë plotësisht ushqyerjen, por mund të thotë se thjesht dëshiron të ndryshojë anën.

2. Njihni sinjalet e foshnjës suaj që ju tregojnë kur është i uritur dhe kur është i ngopur.

Çfarë sinjalesh mund të kërkoni për të ditur nëse një foshnjë ka mbaruar së ushqyeri? Disa foshnje mund të fillojnë ta shtyjnë gjirin ose ta kthejnë kokën anash kur u ofrohet gjiri. Ato mund të lëkunden lart e poshtë gjirit, ose të bëhen nervoz, të shqetësuar ose të përpëliten. Madje ata mund të jenë në gji, por të mos ushqehen në mënyrë aktive.

Tek të porsalindurit, disa nga këto sjellje mund të kenë më shumë të bëjnë me përjetimin e diçkaje si p.sh. kanë gazra, sesa me ngopjen. Mund ta hiqni foshnjën nga gjiri dhe ta përkëdhelni pak. “Por nëse ende nuk është i lumtur që e keni larguar, kjo na tregon diçka – andaj nuk ka asgjë të keqe, nëse ia ofroni gjirin tjetër”, thotë Piket.

Megjithatë, nëse ofrohet në gjirin tjetër, por sjellja e foshnjës vazhdon të sinjalizojë se nuk është i interesuar, atëherë ndoshta është i ngopur për momentin.

3. Foshnjë që qan nuk do të thotë se domosdoshmërish nuk konsumon qumësht të mjaftueshëm.

Sigurisht, të qenit i bezdisshëm ose i mërzitur është shpesh një shenjë se një foshnjë është e uritur – andaj ekspertët thonë se vendosja e foshnjës në gji është mënyrë e mirë për ta kuptuar atë.

Mirëpo të qarit nuk do të thotë gjithmonë se foshnja është e uritur. Më e rëndësishme, të qarit pas ushqyerjes me gji nuk tregon domosdoshmërish se foshnja nuk ka pasur qumësht të mjaftueshëm.

“Foshnjat i komunikojnë emocionet në mënyra të ndryshme”, thotë Rafael Perez-Eskamilja, studiues kryesor mbi laktacionin e foshnjave dhe profesor i shëndetit publik në Universitetin Yale. “Ato qajnë për shumë arsye - nuk do të thotë gjithmonë se janë të uritur. Mund të ketë shumë dritë në dhomë. Ata duan të pushojnë. Ka shumë njerëz që ua shtrëngojnë faqet.”

Për këtë arsye, ai dhe ekspertët tjerë paralajmërojnë se vetëm fakti që një foshnjë qan, nuk është një shenjë se nuk ka pasur qumësht të mjaftueshëm në gji – andaj nuk ka problem t’i ofrosh përsëri gjirin për t’u vërtetuar.

4. Mbani mend se foshnjat mund të ushqehen edhe derisa flenë.

Një keqkuptim i përhapur është se të ushqyerit që ndodh derisa foshnja fle, nuk i siguron foshnjës ushqim. Kjo mund t’i bëjë nënat të shqetësohen se nëse një foshnjë shpesh ose gjithmonë bie në gjumë në gji, foshnja nuk konsumon qumësht të mjaftueshëm. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë, andaj fjetja e foshnjës derisa është në gji nuk është në vetvete një arsye për shqetësim.

Në fakt, është shumë e zakonshme që foshnjat të flenë në gji. Në veçanti foshnjat e vogla e kanë të vështirë të qëndrojnë zgjuar gjatë ushqyerjes me gji. Të lënë në dorë të tyre, foshnjat  zakonisht do të flenë në krahun e parë, thotë Piket. Kur të zgjohen, ato mund të duan të ushqehen përsëri. Në atë rast do të ishte e logjikshme t'i vendosni në gjirin tjetër.

Nuk keni pse të shqetësoheni se një foshnjë që ka rënë në gjumë nuk po ushqehet. Në fakt, foshnja ende po merr qumësht - ndonjëherë një sasi të befasuese të qumështit - edhe pse është në gjumë.

“Reflekset e ushqyerjes janë reflekse të pavullnetshme. Thithja dhe gëlltitja janë të pavullnetshme. Nuk keni pse të jeni zgjuar për t’i vënë ato në veprim”, thotë Piket. “Derisa janë në atë fazë të parë të gjumit, ata do të vazhdojnë të ushqehen në mënyrë aktive. Ata do të vazhdojnë të gëlltisin. Por ata do të jenë të lumtur që janë aty dhe do të vazhdojnë ta marrin atë që u nevojitet.”

Derisa foshnja hyn në një gjendje gjumi më të thellë, muskujt e tyre relaksohen më thellë. Kjo ndodh kur do ta shihni se e ka ndërprerë të ushqyerit, shkëputet nga thithka dhe i bie koka nga gjiri. Nëse nuk është e këshilluar nga mjeku, nuk keni pse ta zgjoni foshnjën tuaj për ta inkurajuar të ushqehet më shumë. Në fakt, ju gjithnjë mund t’ia ofroni përsëri gjirin kur të zgjohet.

Sipas Piket, përveç se është i panevojshëm problemi rreth shqetësimin për ushqyerjen gjatë gjumit, gjithashtu edhe heqja nga gjiri e një foshnje që dremit dhe thith nga gjiri mund të ndikojë në furnizimin me qumësht dhe potencialisht edhe në rritjen afatgjatë të foshnjës.

"Njerëzit që janë shumë të shqetësuar për foshnjat që bien në gjumë derisa janë në gji nuk ka gjasa të kenë rezultate pozitive të ushqyerjes me gji në planin afatgjatë, sepse i heqin foshnjat nga gjiri, përderisa ata mund të kishin konsumuar 20 ose 30 për qind më shumë qumësht, nëse do t'u lejohej të vazhdonin ushqyerjen me gji”, thotë ajo.

5. Nëse foshnjë pi në shishe pas ushqyerjes me gji nuk do të thotë se nuk ka marrë qumësht të mjaftueshëm.

Një arsye pse shumë familje besojnë se foshnja e tyre nuk ka marrë qumësht të mjaftueshëm gjiri është se ato ia ofrojnë një shishe pas ushqyerjes me gji, dhe foshnja e konsumon edhe atë.

Në fakt, për të njëjtën arsye që foshnjat mund të ushqehen derisa janë në gjumë, ato mund të ushqehen me shishe pasi të jenë ngopur. “Deri rreth tre ose katër muajsh, foshnja do të ketë refleks thithjeje, ku tekstualisht çdo gjë që i vendosni në gojë, ai do ta thithë”, thotë Olivia Hinxh, IBCLC dhe mami nga Mbretëria e Bashkuar.

Ndërkohë, qumështi del nga një shishe shumë më shpejt sesa nga gjiri, madje edhe me një biberon me rrjedhje të ngadaltë. Prandaj, foshnjë mund të mos sinjalizojë menjëherë se është ngopur, si p.sh. duke u përpjekur ta shtyjë shishen larg ose duke qarë.

Nuk ka të njëjtin shqetësim në lidhje me ushqyerjen e tepërt me ushqyerjen me gji, sepse ushqyerja me gji kërkon pjesëmarrjen më aktive të foshnjës. Stimulimi i foshnjës në gji shkakton atë që quhet "refleksi i nxjerrjes së qumështit". Ky refleks – ku qumështi “derdhet” nga gjiri – ndodh vetëm kur një foshnjë stimulon gjirin me një lëvizje të madhe me gjuhën e saj dhe kjo ndodh vetëm periodikisht gjatë gjithë ushqyerjes. Nëse një foshnjë është e ngopur, ajo nuk do ta stimulojë gjirin për të njëjtën sasi qumështi.

6. Njihni cilat janë (dhe nuk janë) shenjat e furnizimit të pamjaftueshëm.

Shumë nënave që e ushqejnë foshnjën me gji u është thënë se disa simptoma janë shenjë e mungesës së qumështit, gjë që në fakt nuk është e vërtetë, thonë specialistët e laktacionit.

Për shembull, zbutja e gjinjve, nuk është shenjë e mungesës së furnizimit me qumësht. Njashtu nuk nënkupton se gjinjtë nuk rrjedhin më, e as që iu rikthehet cikli menstrual.

Hinxhi thotë se ky është një keqkuptim i madh në lidhje me pompimin. Ajo shpesh konsultohet me prindërit që mund të pompojnë pak qumësht nga gjiri dhe pastaj shqetësohen se kjo do të thotë që foshnja e tyre po konsumon pak qumësht derisa ushqehet me gji. Mirëpo proceset janë krejtësisht të ndryshme. “Mekanizmi i një pompe është shumë i papërpunuar krahasuar me gojën e një foshnje,” thotë ajo. “Lëshimi i qumështit të gjirit varet nga oksitocina. Pra, mbajtja e foshnjës suaj të bukur, të ngrohtë dhe komode me një lëvizje shumë të butë, të butë dhe ritmike të gojës, dhe pastaj ritmi mahnitës i thithjes dhe tkurrja ritmike e muskujve të gjuhës (peristaltika), është shumë me e zgjuar dhe më e ndryshme nga një pompë. Gjegjësisht trupi juaj mundohet të thotë: “Nuk jam i dashuruar me pompën, jam i dashuruar me foshnjën.”

7. Nëse po mendoni nëse një foshnjë ushqehet në mënyrë aktive me gji, dëgjojani gëlltitjet.

Vëzhgimi i sinjaleve të urisë dhe ngopjes së foshnjës suaj, dhe njohja e tyre është e rëndësishme. Mirëpo një tjetër tregues mund të jetë tingulli që bën foshnja gjatë ushqyerjes.

“Gëlltitja e zëshme është tregues i ushqyerjes së suksesshme me gji,” thotë Piket. "Në rrethana ideale, në një dhomë të qetë - veçanërisht nëse nuk është ushqyer foshnja për një kohë - duhet ta dëgjojmë gëlltitjen e qumështit nga foshnja.”

Po ashtu është e dobishme ta dallojmë se si duket gëlltitja. Zakonisht, ajo përfshin uljen e mjekrës, një pauzë për një moment dhe pastaj ngritjen përsëri të mjekrës. Ja një video e llojit të gëlltitjes, për të cilën duhet të keni kujdes.

8. Nëse jeni të shqetësuar nëse në përgjithësi një foshnjë konsumon ose jo qumësht të mjaftueshëm, atëherë këto janë shenjat që duhet t'iu kushtoni vëmendje.

Kohëzgjatja ose ndjekja e të ushqyerit nuk paraqet një mënyrë e besueshme për të përcaktuar nëse foshnja konsumon qumësht të mjaftueshëm. E njëjta vlen edhe për rastet kur foshnja pi me shishe, e merr gjumi derisa është në gji, ose qanë. Madje shumë nga shenjat që i ndërlidhim me furnizim e mangët me qumësht nuk janë të besueshme.

Pra, si e dimë nëse një foshnjë konsumon ose nuk konsumon qumësht të mjaftueshëm?

“Do ta shikoni fotografinë e plotë,” thotë Piket - në veçanti, numrin e përgjithshëm të pelenave që ia ndërroni dhe shtimin në peshë të foshnjës.

Në fakt, e vetmja mënyrë e vërtetë për të ditur nëse një foshnjë po merr mjaftueshëm qumësht është të monitorosh rritjen e saj dhe sasinë e pelenave të ndërruara. Shenjat e mungesës së qumështit të mjaftueshëm përfshijnë humbjen e peshës së foshnjës prej më shumë se 7 për qind, më pak se gjashtë pelena të lagura në ditë dhe më pak se tre jashtëqitje në ditë (pas katër ditëve të para të jetës).

“Gjithmonë, gjithmonë, foshnja duhet të monitorohet për sa i përket rritjes dhe zhvillimit të saj nga ofrues të kualifikuar të kujdesit shëndetësor”, thotë Perez-Eskamilja.

Nëse jeni të shqetësuar, është e rëndësishme të flisni me mjekun e foshnjës suaj.

9. Mbi të gjitha, dëgjoni fëmijën tuaj – jo Google-in.

Specialistët e laktacionit - përveç rregullave të përgjithshme si ndërrimi i pelenave dhe shtimi në peshës - vërtetë nuk ka një listë të vetme sinjalesh, që i përdorin gjitha foshnjat për të sinjalizuar kur konsumojnë qumësht të mjaftueshëm, ose kur janë ende të uritura. Kjo është arsyeja pse vëzhgimi i foshnjës suaj mund të jetë aq shumë i dobishëm.

“Shumë pyetje rreth të ushqyerit me gji nuk kanë përgjigje të shpejta dhe të sakta”, thotë Piket. “Do të zbuloni shumë sinjale që vijnë nga nënvetëdija, për të cilat as nuk e dini se po i vëreni.”


Këtu në UNICEF, e dimë që ushqyerja me gji mund të jetë sfiduese. Prandaj ne besojmë se, me mbështetje, ushqyerja me gji mund të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse jemi të përkushtuar dhe i nxisim qeveritë, shoqëritë dhe sistemet të ofrojnë më shumë mbështetje në mënyrë që gratë që duan të ushqejnë me gji të jenë në gjendje të ushqejnë me gji - për shembull, duke rritur investimet në programe që mbështesin ushqyerjen me gji, duke zbatuar politika të tilla si pushimi i paguar e lehonisë dhe pushimet për ushqyerjen me gji, dhe duke ofruar këshillim për ushqyerjen me gji si pjesë e mbulimit rutinor shëndetësor.