Sa shpesh duhet të ushqehet një foshnjë e porsalindur?

Ushqyerja e një foshnje të porsalindur mund të sjellë sfida - madje njëra prej tyre është të dini se sa shpesh duhet të ushqehet një foshnjë. Ja çfarë tregon hulumtimi.

UNICEF
Mother breastfeeding a baby sitting on a couch
UNICEF/UNI418673/Dogoter
06 Gusht 2025

Sa shpesh duhet ta ushqeni një të porsalindur? Përgjigja, thonë ekspertët e laktacionit dhe studiuesit, është çuditërisht e thjeshtë: një i porsalindur duhet të ushqehet aq shpesh sa duket i uritur - dhe, zakonisht, të paktën çdo dy deri në tre orë - si ditën ashtu edhe natën.

Kjo quhet “ushqyerje me reagim” (ose “ushqyerje sipas kërkesës”), dhe nuk është vetëm thelbësore për t’u siguruar që foshnjat po e marrin ushqimin dhe hidratimin që u nevojitet. Për nënat që ushqejnë me gji, është gjithashtu mënyra më e mirë për të siguruar që ushqyerja me gji të mund të mbahet për aq kohë sa dëshirohet. Përpjekja për t’i “zgjatur” intervalet midis vakteve, ushqyerja sipas një orari të caktuar ose zvogëlimi i vakteve gjatë natës, të gjitha mund të çojnë në shtimin e dobët në peshë të një foshnje, furnizim të ulët me qumësht ose ndërprerje e plotë e të ushqyerit me gji.

Për sa u përket foshnjave që ushqehen me biberon, ushqyerja sipas sinjaleve të urisë, në vend të orës, është gjithashtu e rëndësishme, thonë ekspertët. “Foshnjat e racës njerëzore lindin shumë, shumë të papjekura”, thotë Rafael Perez-Eskamilja, profesor i shëndetit publik në Universitetin Jeil dhe studiues kryesor mbi ushqyerjen e foshnjave, me më shumë se 400 artikuj kërkimorë mbi laktacionin, të cilët e mbajnë emrin e tij. “Ata duhet të mësojnë si të ushqehen dhe duhet të mësojnë si të kuptojnë se çfarë po i bën të ndihen në siklet”.

"Kjo është shumë e rëndësishme për pjesën tjetër të jetës së tyre, sepse i mëson gjithashtu ta vetërregullojnë konsumimin e ushqimit në të ardhmen... dhe të dinë kur janë të uritur, gjegjësisht kur nuk janë të uritur.”

Ushqyerja sipas reagimeve dhe aq shpesh sa i duhet foshnjës, mund të duket sfiduese, nëse mungon mbështetja e duhur Prandaj në UNICEF jemi të përkushtuar dhe i nxisim qeveritë, shoqëritë dhe sistemet të ofrojnë më shumë mbështetje në mënyrë që gratë që duan të ushqejnë me gji të jenë në gjendje të ushqejnë me gji - për shembull, duke rritur investimet në programe që mbështesin ushqyerjen me gji, duke zbatuar politika të tilla si pushimi i paguar i lehonisë dhe pushimet për ushqyerjen me gji, si dhe duke ofruar këshillim për ushqyerjen me gji si pjesë e mbulimit rutinor shëndetësor.

Nëse zgjidhni të ushqeni me gji, ja çfarë tregojnë studimet se si ta mbroni sa më shumë që të jetë e mundur suksesin e rrugëtimit tuaj me gjidhënie. 

Pse të porsalindurit ushqehen kaq shpesh

Si qumështi i gjirit ashtu edhe qumështi me formulë moderne kanë përmbajtje të lartë sheqeri dhe pak yndyrë. Kjo do të thotë që foshnjat e tretin qumështin shumë shpejt. Të porsalindurit gjithashtu kanë stomakë të vegjël, të aftë të mbajnë vetëm 20 ml, ose katër lugë çaji lëng në të njëjtën kohë, kështu që ata shpesh kanë uri (dhe etje).

Bazuar vetëm në fiziologjinë e foshnjave, disa studiues kanë vlerësuar se të porsalindurit duhet të ushqehen të paktën çdo orë.

Megjithatë vlen të përmendet se shumë pak foshnje ushqehen natyrshëm në intervale të rregullta. Ato mund të ushqehen, pastaj të mos ushqehen për tre orë, dhe pastaj të ushqehen tre herë gjatë orës vijuese. Kjo është normale dhe nuk paraqet ndonjë problem, thonë ekspertët.

Sa shpesh duhet ta ushqeni me gji një të porsalindur?

Për nënat që ushqejnë me gji, ka edhe më shumë arsye për t’u ushqyer më shpesh: Ushqyerja me gji është një sistem oferte dhe kërkese, në të cilin një “porosi” për më shumë qumësht komunikohet me hormonin e prolaktinës.

Kur një foshnjë thith nga gjiri, rriten nivelet e prolaktinës së nënës. Mirëpo nivelet e prolaktinës janë më të larta rreth 30 minuta pasi foshnja të fillojë të thithë. Kjo ndodh sepse kjo rritje e prolaktinës nuk është për ushqyerjen aktuale - është një kërkesë për qumësht për ushqyerjen e radhës. 

Në fakt, nivelet e prolaktinës rriten vetëm kur një foshnjë thith nga gjiri. Kur foshnja hiqet nga gjiri, përsëri bien nivelet e prolaktinës së nënës.

Kjo fillon që nga lindja. Në fakt, në tre ose katër ditët e para pas lindjes, fakti i vendosjes së foshnja në gji, bën që të vijë qumështi i nënës.

"Sa më shpesh që foshnja vihet në gji, aq më shpejt rriten nivelet e prolaktinës", thotë Helen Ball, drejtoreshë e Qendrës së Foshnjërisë dhe Gjumit në Daram dhe një studiuese, e cila e studion laktacionin dhe gjumin e foshnjave, si dhe është anëtare e bordint editorial të Journal of Human Lactation (Zhurnalit të laktacionit njerëzor). “Kur prolaktina ta arrijnë një nivel të caktuar të pragut, atëherë fillon furnizimi juaj me qumësht.”

Gjatë disa javëve të ardhshme, ky proces prodhon receptorë të prolaktinës që mbështesin prodhimin e qumështit në planin afatgjatë.

Kjo mund të jetë pjesërisht arsyeja pse, rreth javës së gjashtë ose të tetë, disa nëna mendojnë se nuk kanë qumësht të mjaftueshëm, thotë Ball. “Dyshoj fuqimisht se një pjesë e kësaj ka të bëjë me mosushqyerjen e mjaftueshme dhe të shpeshtë në ato gjashtë javët e para”, thotë ajo.

A duhet ta ushqeni të porsalindur gjatë natës?

Po. “Në fakt, është më e rëndësishme natën - sepse gjatë natës gjiri i nënës prodhon më shumë prolaktinë”, thotë Ball.

Kjo është ndoshta në favor të faktit se, kur te foshnjat nën moshën gjashtë muajshe praktikohet metodat e përshtatjes së gjumit, e cila i inkurajon foshnjat “të flenë gjatë gjithë natës” - dhe të mos zgjohen për t’u ushqyer - jo vetëm që konstatohet se përgjithësisht është metodë joefektive, por gjithashtu mund ta rrisin rrezikun e ndërprerjes së ushqyerjes me gji.

Pas moshës gjashtë muajsh, foshnjave u këshillohet të fillojnë të hanë ushqime të ngurta. Megjithatë, thonë ekspertët e laktacionit, kjo nuk do të thotë që ndërprerja e ushqyerjes gjatë natës është domosdoshmërisht ide e mirë. Shumë ushqime të ngurta me të cilat fillojnë foshnjat janë më pak kalorike dhe ushqyese sesa qumështi i gjirit.

Ndërkohë, veçanërisht nëse një nënë është larg foshnjës së saj gjatë ditës, shumë foshnje përpiqen “ta kompensojnë” kohën e humbur duke u ushqyer më shumë natën, thotë Ball. Këto ushqime shtesë ndihmojnë në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me qumësht të nënës.

A duhet të përpiqeni “t’i zgjatni” intervalet midis të ushqyerit?

Jo, nuk duhet të përpiqeni t’i “zgjatni” intervalet mes të ushqyerit.

Përpos nëse ka probleme me shtimin në peshë ose ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor, nuk keni pse të shqetësoheni për një foshnjë, që natyrshëm kalon në një ritëm të të ushqyerit më rrallë, veçanërisht nëse foshnja ka më shumë se disa javësh.

Megjithatë edhe kjo nuk duhet që medoemos të inkurajohet kjo mënyrë.

Së pari, nuk ka asnjë përfitim. Ndonëse edhe më tej vazhdojnë keqkuptimet në lidhje me “zgjatjen e intervaleve” të ushqyerjes - siç është ideja se ato ndihmojnë gjirin “të mbushet” me qumësht, ofrojnë përbërje më të yndyrshme të qumështit ose se në atë mënyre foshnja ngopet më mirë” – megjithatë të gjitha janë keqkuptime.

“Gjinjtë kurrë nuk do të jetë bosh”, thotë Olivia Hinxh, konsulente ndërkombëtare e laktacionit (IBCLC) dhe mami nga Mbretërinë e Bashkuar. “Gjithmonë do të ketë rreth 30 për qind të qumështit të mbetur brenda gjirit. Është si një makinë akulli: sa më shumë akull që del, aq më shumë akull tjetër krijohet brenda... Nuk është një proces me “fillim dhe mbarim”. Është një mekanizëm i vazhdueshëm dhe rrjedhës.”

Gjithashtu gjinjtë vetë e rregullojnë prodhimin qumështit. Nëse zbrazen më shpesh, mbushen më shpesh. Ndërsa nëse mbushen më shpesh, atëherë mu ky qumësht ka një përmbajtje më të lartë yndyrore. Pra është krejt e kundërta e mitit se është më mirë “të zgjaten intervalet mes” të ushqyerit.

Përveçse faktit se nuk ka nevojë ta zgjasni intervalin midis ushqyerjeve, një veprim i tillë mund të bart edhe rrezik në vete. Meqenëse kur gjinjtë zbrazen, ato prodhojnë qumësht, atëherë zbrazja më e rrallë dërgon sinjalin se nuk kanë nevojë të prodhojnë aq shumë qumësht. Gjë që mund të shpijë në një furnizim më të ulët me qumësht.

Sa gjatë duhet të ushqehen të porsalindurit?

Foshnjat dallojnë mes vete edhe në këtë drejtim. Edhe të porsalindurit vijnë në forma, madhësi dhe metabolizëm të ndryshëm. Kjo do të thotë që të gjitha foshnjat kanë kërkesa të ndryshme për ushqyerje - jo vetëm në aspektin e shpeshtësisë së ushqyerjes, por edhe të kohëzgjatjes së ushqyerjes.

Disa foshnje janë gjithashtu më efektive në thithjen e qumështit, qoftë nga gjiri apo nga shishja, për dallim nga disa tjerë. “Disa do të kenë më shumë vështirësi, dhe kështu do të përpiqen të ushqehen më shpesh sepse nuk po arrijnë të konsumojnë qumësht të mjaftueshëm gjatë çdo ushqyerje”, thotë Ball. “Madje ka disa foshnja që do të jenë shumë efektivë në thithjen e qumështit, kështu që mund të marrin një sasi të madhe qumështi brenda një kohe të shkurtër.”

Prandaj, nuk është shenjë se fëmija nuk po konsumon qumësht të mjaftueshëm, nëse ushqehet shpesh, pra mund të jetë foshnjë që ushqehet për periudha të shkurtra ose të gjata kohore.

Për të njëjtën arsye, është keqinformim fakti që një foshnjë për “t’u ngopur” duhet të jetë në gji për 20 ose 30 minuta. E vetmja mënyrë për të ditur nëse një foshnjë është e ngopur është të mund “t’i lexoni” sinjalet e ngopjes te foshnja.

Pra… sa shpesh duhet të ushqehen të porsalindurit?

Në fund të fundit dallimi midis foshnjave dhe rëndësia e ushqyerjes sipas sinjaleve të urisë së një foshnje nënkupton se është shumë e vështirë të përcaktohet saktë se sa shpesh duhet të ushqehen të porsalindurit.

“Edhe dymbëdhjetë herë në ditë në fillim nuk është tepër", thotë Perez-Eskamilja. “Përfundimisht, mund të jetë rreth shtatë herë në ditë. Pastaj, kur fillon të konsumojë ushqimet plotësuese, atëherë edhe zvogëlohet numri ushqyerjeve.”

Thjesht, disa foshnje mund të ushqehen më shpesh, disa më rrallë.

Meqenëse të gjitha foshnjat kalojnë nëpër periudha të ushqyerjes në grupe – ku ato ushqehen edhe më shpesh se zakonisht, ndonjëherë edhe në çdo disa minuta, shpeshherë sepse përjetojnë ose i afrohen një rritjeje të shpejtë – është edhe më e vështirë të vendosësh një mesatare, ose edhe një spektër, se sa shpesh duhet të ushqehen të porsalindurit.

“Mund të flisni për mesataret, por mesataret gjithmonë fshehin një spektër të madh variacionesh", thotë Ball. “Mendoj se do të ishte shumë e vështirë ta përcaktoni numrin e saktë se sa herë duhet ushqyer.”

Në vend të kësaj, Ball dhe ekspertët tjerë të laktacionit këshillojnë, “ta dëgjoni” foshnjën tuaj – madje nëse e ushqeni foshnjën me gji, “dëgjoni” edhe trupin tuaj, pasi gjinjtë tuaj shpesh do të “aktivizohen” ose do të japin ndonjë sinjal tjetër se është “koha” për ta ushqyer foshnjën.

Përderisa shpeshtësia e të ushqyerit, si e tillë, nuk tregon ndonjë problem me të ushqyerit, nëse përveç simptomave të tjera, ushqyerja shumë e shpeshtë shkakton dhimbje në thithka ose fryrje të gjinjve – atëherë mund t’ia vlejë të konsultoheni me një profesionist, me qëllim që t’i përjashtoni problemet si lidhja e gjuhës.

Po ashtu, disa të porsalindur mund të jenë veçanërisht “të përgjumur” (posaçërisht në varësi të faktit nëse kanë marrë ilaçe ose janë ekspozuar ndaj ilaçeve gjatë lindjes). Pra, është e rëndësishme të siguroheni që i porsalinduri juaj të ushqehet të paktën çdo dy deri në tre orë dhe, njëkohësisht ta mbikëqyrni drejtpërsëdrejti ndërrimin e pelenës dhe shtimin në peshë.

Pas ditëve ose javëve të para, nëse shtimi në peshë është në rrugën e duhur dhe nuk zgjohen çdo dy ose tre orë gjatë natës vetë për t’u ushqyer, zakonisht është në rregull të mos i zgjoni, por duhet të konsultoheni me ofruesin e kujdesit shëndetësor të foshnjës suaj.

"Gjithmonë, gjithmonë, foshnja duhet të monitorohet për sa i përket rritjes dhe zhvillimit të saj nga ofrues të kualifikuar të kujdesit shëndetësor", thotë Perez-Eskamilja.

Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me ushqyerjen e fëmijës suaj, kontaktoni një profesionist.


Këtu në UNICEF, e dimë që ushqyerja me gji mund të jetë sfiduese. Prandaj ne besojmë se, me mbështetje, ushqyerja me gji mund të jetë e mundur. Kjo është arsyeja pse jemi të përkushtuar dhe i nxisim qeveritë, shoqëritë dhe sistemet të ofrojnë më shumë mbështetje në mënyrë që gratë që duan të ushqejnë me gji të jenë në gjendje të ushqejnë me gji - për shembull, duke rritur investimet në programet, që mbështesin ushqyerjen me gji, duke zbatuar politika të tilla si pushimi i paguar e lehonisë dhe pushimet për ushqyerjen me gji, dhe duke ofruar këshillim për ushqyerjen me gji si pjesë e mbulimit rutinor shëndetësor.