Ardhmëria është në burimet alternative të energjisë
Një grup i të rinjve ofrojnë zgjidhje inovative për përdorimin e energjisë diellore në shkollën e tyre, si pjesë e iniciativës UPSHIFT të mbështetur nga UNICEF

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Kur dikush paraqitet me një ide të mirë, sado e re dhe interesante të jetë ajo, shpesh ndodh që të mos ketë burime dhe mbështetje të mjaftueshme për ta realizuar atë.
Petari, Marija, Leonidi, Teodora dhe Elena e patën mundësinë që shumëkush e ëndërron - të krijojnë një ide dhe të marrin mbështetje dhe udhëzime për ta realizuar atë. Ekipi i përbërë nga këta pesë nxënës të shkollës së mesme profesionale “Vllado Tasevski” nga Shkupi ishte ndër fituesit e iniciativës UPSHIFT të mbështetur na UNICEF për gjetjen e zgjidhjeve inovative për reduktimin e efekteve të dëmshme të ndryshimeve klimatike.
Programi UPSHIFT kombinon punëtori të novacioneve sociale me mentorim, materiale dhe mjete fillestare financiare, duke i pajisur të rinjtë me shkathtësi. Procesi fillon me thirrjen për grupet vetë-inicuese të moshës 13-19 vjeçare, me të cilin disenjohet një zgjidhje inovative për ndonjë problem social, që e kanë identifikuar në bashkësinë e tyre dhe më tej vazhdon me pjesëmarrjen në punëtoritë për projektim të mendimit drejt zhvillimit të idesë.
“Në punëtorinë e projektimit të mendimit, ne e prezantuam konceptin tonë për një stol me panel diellor, si pikë për mbushe të celularëve në oborrin e shkollës. Ne ishim të entuziazmuar kur u publikua se na ishin dhënë mjetet financiare për ta realizuar idenë tonë”, deklaroi Petari.

Gjatë pushimeve verore nën drejtimin e profesoreshës dhe mentores së tyre Vesna Zhivaljeviq, me shumë orë punë të përkushtuar onlajn iu përvolën finalizimit të idesë së tyre fillestare. Vesna Zhivaljeviq thotë se është “e mahnitshme se si në orët shtesë del në pah krijimtaria e nxënësve”.
Pjesë e rëndësishme e strategjisë së tyre ishte krijimi i një faqe të internetit, ku ata e publikuan “manifestin” e tyre:
“Ne jemi pjesë e gjeneratës “Z”, e cila dëshiron t’i vë në zbatim të arriturat më të fundit të teknologjisë për ta krijuar një mjedis të shëndetshëm përmes përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë. Burimi më i madh i energjisë së rinovueshme është energjia diellore, e cila përdoret rrallë në vendin tonë”.
Më tej ata shtojnë: “Me vendosjen e stolit me panele diellore, ne duam t’u tregojmë të gjithë brezave të ardhshëm se ekziston një alternativë, se tërë energjinë elektrike, që e kemi përdorur deri më tani nga burimet e energjisë jo të rinovueshme, tani mund ta marrim nga dielli. “Ky përdorim i energjisë diellore do ta stimulojë rritjen ekonomike, do të krijojë mundësi të reja punësimi, do ta përmirësojë mirëqenien e njerëzve dhe do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për të gjithë ne.”
Si hap i radhës ishte përfshirja e shokëve të klasës dhe profesorëve përmes një sondazhi, me të cilin synohej të merreshin mendimet e tyre mbi idenë e propozuar. Prandaj në bazë të sugjerimeve të marra, ata e bënë një ndryshim në modelin origjinal: shokët e klasës sugjeruan të bënin dy stola të ngjitura me një panel diellor, ndërsa karikuesi për celularë të vendoset në mes në mënyrë që më shumë fëmijë të mund të ulen dhe të shoqërohen. Ky propozim u pranua, andaj stoli që tani gjendet në oborrin e shkollës u bë sipas dizajnit të ri.

Ndërkohë, ekipi vazhdoi të mblidhte të dhëna për ta mbështetur propozimin dhe për t’i inkurajuar nxënësit tjerë, që të interesoheshin dhe të edukoheshin rreth mjedisit jetësor. Meqenëse ishin të interesuar për llogaritjet, Petari dhe Leonidi iu përkushtuan mbledhjes së të dhënave duke përdorur një sërë metodash. Ata, duke kërkuar në faqet zyrtare të termocentraleve të mëdha dhe duke lexuar raportet mjedisore, e bënë një llogaritje të përafërt të ndotjes vjetore të shkaktuar nga karikimi i celularëve.

“Në vend ka 2 milionë përdorues të celularëve. Një karikuesi i nevojiten rreth tre orë në ditë për ta karikuar telefonin dhe meqenëse e dimë se në një orë harxhohen 15 vat, atëherë do të nevojiteshin 45 vat në ditë. Pra për t’i karikuar të gjithë celularët në vend na nevojiten 90 mijë kilovat në ditë”, shpjegon Petari, i cili ka bërë hulumtime shtesë dhe ka konstatuar se çdo vit për karikim të celularëve të gjithë përdoruesve në vend iu nevojiten 13.775 ton linjit – thëngjill i klasës më të ulët, i cili është edhe më i dëmshme për shëndetin e njeriut dhe përdoret për prodhimin vendor të energjisë elektrike. Kjo tregon se përdorimi i një burimi të rinovueshëm të energjisë për karikim të telefonave celularë do ta reduktonte ndjeshëm çlirimin e ndotësve të ajrit dhe grimcave, që kanë një efekt të dëmshëm ndaj shëndetit dhe ndryshimeve klimatike.

Gjatë gjithë procesit nga ideja deri te realizimi, nxënësit patën mundësi t’i vënë në zbatim njohuritë e tyre teknike dhe të përjetojnë përvojën e çmuar të zbatimit të një ideje në veprim. Megjithatë në kuadër të këtij procesi, ata u gjendën edhe në role krejtësisht të reja, që i inkurajuan të ndërtonin shumë aftësi të reja. Bie fjala, zhvillimi i aftësive negociuese, pasi aktualisht janë në bisedime me disa nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit për të siguruar një ruter për shkollën; zhvillimi i aftësive prezantuese, sepse ekipi duhej të përgatitej për t'ia paraqitur idenë të gjithë nxënësve dhe profesorëve të tjerë në shkollë; si dhe të aftësive menaxheriale dhe sipërmarrëse, sepse kanë bashkëpunuar me kompaninë që e ka bërë stolin dhe panelin solar.
Kur u pyetën se përse e ndërmorën këtë hap të guximshëm, ata thanë “për ta ofruar një ide të re të gjelbër” dhe “për të treguar se mundemi”.
“Deshëm të tregonim se është e mundur. Stoli jonë është vetëm një ilustrim se si energjia diellore mund të përdoret për t’i reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit”, thotë Marija.
Përderisa flasim për ndryshimet klimatike, duke u pajtuar se të gjithë njerëzit po ndërgjegjësohen se këto ndryshime po ndodhin, të rinjtë ranë dakord dhe se megjithatë shumë pak po bëhet për të ndryshuar trendin. “Me sa duket mendojmë se ka kohë për t’i riparuar dëmet dhe se çfarëdo që të ndodhë, brezi ynë nuk do t’i vuajë pasojat,” tha Elena. “Mirëpo ne medoemos duhet të mendojmë për gjeneratat e ardhshme dhe fëmijët e fëmijëve tanë, që me siguri do t’i vuajnë pasojat nëse nuk bëjmë diçka tani.”

UPSHIFT është një iniciativë e mbështetur nga UNICEF-i, qëllimi i së cilës është që ta inkurajojë të menduarit inovativ dhe krijues tek të rinjtë, t’i kuptojë sfidat me të cilat përballen dhe t'iu ndihmojë atyre të gjejnë zgjidhje inovative në formën e një produkti ose shërbimi. UPSHIFT bazohet në një metodologjinë “dizajnit miqësor për njeriun”, që i ndihmon profesorët/arsimtarët dhe nxënësit të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse siç është menaxhimi i projektit, të menduarit kritik, puna në grup dhe komunikimi i suksesshëm.
Programi është pjesë e bashkëpunimit të UNICEF-it me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik si dhe zbatohet me mbështetjen financiare të Suedisë dhe Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.