Bursa e Maqedonisë i bie ziles për fëmijët në shenjë mbështetjeje të thirrjes së UNICEF-it për investime më të mëdha në një fillim të fortë për çdo fëmijë

20 Nëntor 2026
Children and officials ring the stock exchange bell
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2026

Shkup, 20 nëntor 2026: Sot, në ditën botërore të fëmijëve, UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë mblodhën së bashku përfaqësues të Qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, sektorit të biznesit dhe atij financiar në ngjarjen "Bie zilja për fëmijët", duke iu bashkuar iniciativës globale që synon të theksojë rolin e vendimeve të biznesit dhe investimeve në avancimin e të drejtave të fëmijëve.

Si pjesë e fushatës për të shënuar 80-vjetorin e UNICEF-it "Të zgjedhim një të ardhme më të mirë për fëmijët – një fillim i fortë për çdo fëmijë", ngjarja u bëri thirrje të gjithë aktorëve përkatës t'i japin përparësi zgjerimit të qasjes në shërbime cilësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, arsimin dhe kujdesin.

Kjo thirrje vjen në një kohë kur më pak se gjysma e fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeçare në Maqedoninë e Veriut janë të përfshirë në arsimin parashkollor, ndërsa fëmijët nga familjet dhe komunitetet në pozitë të pavolitshme janë ndër ata që më shpesh mbeten jashtë sistemit. Për të arritur qëllimin nacional prej 65 përqind të mbulimit deri në vitin 2032, nevojiten investime të vazhdueshme publike për të siguruar 19.000 vende shtesë në kopshte, modele inovative financimi dhe partneritete më të forta. Në këtë drejtim, cilësia, disponueshmëria financiare dhe gjithëpërfshirja duhet të mbeten në qendër të përpjekjeve për zgjerimin e mbulimit.

"Maqedonia e Veriut nuk mund t'i ndryshojë tendencat demografike brenda natës, por vendimet që merr sot mund të formësojnë zhvillimin e saj dhe prosperitetin e saj të ardhshëm. Në një kohë kur numri i fëmijëve po zvogëlohet, potenciali i çdo fëmije është më i rëndësishëm se kurrë. Investimet në vitet e para të jetës dhe sigurimi i një fillimi të mirë për çdo fëmijë kanë përfitime të shumëfishta: rezultate më të mira për fëmijët, mundësi më të mëdha për gratë dhe familjet, zvogëlimin e pabarazive, kompani më të forta dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor që i nevojitet shtetit për një të ardhme më rezistente", tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it.

Maqedonia e Veriut u bashkohet 25 vendeve të tjera që marrin pjesë në iniciativën e re globale "I biemi ziles për fëmijët", të udhëhequr nga UNICEF-i dhe Iniciativa e Kombeve të Bashkuara për bursa të qëndrueshme. Iniciativa nxit kompanitë dhe investitorët të marrin parasysh ndikimin e vendimeve të tyre të biznesit dhe investuese mbi të drejtat, mirëqenien dhe mundësitë e fëmijëve.

"Bursat, si institucione qendrore të tregjeve të kapitalit, kanë një mundësi unike për të lidhur kompanitë dhe investitorët dhe për të kontribuar në formësimin e standardeve dhe pritshmërive të të gjithë aktorëve të tregut. Ashtu siç historikisht tregjet e kapitalit kanë promovuar praktikat e mira në fushën e qeverisjes së korporatave, ndryshimeve klimatike dhe çështjeve të tjera që lidhen me qëndrueshmërinë, kështu ato mund të kontribuojnë në të ardhmen që të drejtat e fëmijëve të zënë një vend më të rëndësishëm në vendimet e biznesit dhe të investimeve. Në këtë mënyrë, ne kontribuojmë në komunitete më të forta, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vlerës afatgjatë", tha Ivan Shteriev, drejtor ekzekutiv i bursës së Maqedonisë.

Në aktivitet morën pjesë edhe ministri i politikës sociale, demografisë dhe rinisë, Gjoko Velkovski, dhe ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, të cilët theksuan rëndësinë e qasjes në arsim parashkollor cilësor dhe gjithëpërfshirës, i cili është shumë më tepër se një shërbim për familjet.

"Për Ministrinë e politikës sociale, demografisë dhe rinisë, përmirësimi i disponueshmërisë dhe cilësisë së kujdesit dhe arsimit parashkollor është një nga prioritetet e rëndësishme. Në bashkëpunim me komunat dhe partnerët tanë, vazhdojmë të zgjerojmë rrjetin e kopshteve dhe të krijojmë kushte për një mbulim më të madh të fëmijëve në kujdesin dhe arsimin parashkollor, sepse çdo fëmijë meriton mundësi të barabarta për një fillim cilësor në jetë" , tha Gjoko Velkovski, ministër i politikës sociale, demografisë dhe rinisë.

Ai gjithashtu theksoi se është po aq e rëndësishme që çdo fëmijë të marrë mbështetje cilësore, kujdes adekuat dhe një mjedis nxitës për të mësuar dhe zhvilluar. Në këtë drejtim, ajo iu referua Programit të ri për mësimin dhe zhvillimin e hershëm, i cili është një projekt i përbashkët me UNICEF-in dhe Byronë për zhvillimin e arsimit, dhe i cili duhet të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së procesit arsimor dhe edukativ dhe krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin e çdo fëmije.

"Kur bëhet fjalë për fëmijët, asnjë institucion, asnjë aktor tjetër, nuk mund të bëjë vetëm diçka të dobishme për ta. Arsimi nuk mund të ekzistojë pa familjen, dhe familja ka nevojë për mbështetje nga komuniteti më i gjerë. Kujdesi për fëmijët që ka një shoqëri tregon se sa e pjekur është ajo shoqëri në tërësi, sa e pjekur është për të menduar afatgjatë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Prandaj, e mbështes iniciativën "Bie zilja për fëmijët", e cila përcjell një mesazh të rëndësishëm se të drejtat dhe nevojat e fëmijëve duhet të jenë pjesë e çdo vendimi shoqëror, duke përfshirë vendimet e biznesit dhe investimeve", tha Vesna Janevska, ministre e arsimit dhe shkencës.

Në aktivitet u theksua edhe roli i kompanive përmes politikave në vendin e punës që mbështesin familjet, praktikat e përgjegjshme të biznesit dhe vendimet e investimeve që marrin parasysh të drejtat e fëmijëve. Petar Petroviq, drejtor i burimeve njerëzore në "Alkaloid", ndau përvojën e kompanisë se si politikat që mbështesin familjet dhe angazhimi ndaj fëmijëve dhe familjeve mund të kontribuojnë në mirëqenien, motivimin dhe mbajtjen e punonjësve.

Në orën 10:00, para fillimit të tregtimit në Bursën e Maqedonisë, fëmijët, së bashku me përfaqësuesit e UNICEF-it, Bursës së Maqedonisë dhe partnerëve nacional, simbolikisht i ranë ziles së bursës, duke dërguar një mesazh të përbashkët se fëmijët dhe të drejtat e tyre duhet të jenë në qendër të vendimeve që formësojnë të ardhmen e vendit.

Në kuadër të ngjarjes, e cila u zhvillua në qendrën tregtare "Dajmond Moll" në Shkup, u vendos një instalacion i UNICEF-it që përfaqëson një klasë në kopshtin e fëmijëve, si simbol i nevojës për veprim të përbashkët për të siguruar një vend në kopshtin e fëmijëve për çdo fëmijë.

Vizitoni faqen e internetit të fushatës "Të zgjedhim një të ardhme më të mirë për fëmijët – një fillim i fortë për çdo fëmijë" dhe mësoni se çfarë vendimesh mund të marrin institucionet, kompanitë, komunitetet dhe familjet. Bashkohuni me ne për të krijuar një të ardhme më të mirë për fëmijët në Maqedoninë e Veriut.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.