#ÇkaKaPërTëNgrënë

Përzgjedhjet ushqimore të fëmijëve formësohen nga bota përreth tyre. Ka ardhur koha për rregulla më të rrepta se cilat ushqime mund të shiten dhe reklamohen në shkolla.

Kur fëmijët zgjedhin se çfarë hanë, ata nuk e bëjnë atë të izoluar. Zgjedhjet e tyre formësohen çdo ditë nga ushqimi që është i disponueshëm, i përballueshëm dhe i promovuar në mjedisin e tyre.

Çka është # ÇkaKaPërTëNgrënë? 

#ÇkaKaPërTëNgrënë është fushatë, të cilën e kemi krijuar së bashku me fëmijët, bën thirrje për mjedise ushqimore më të shëndetshme dhe fut rregulla më të forta mbi shitjen dhe marketingun në shkolla të ushqimeve ultra të përpunuara dhe pijeve me sheqer.

Fushata amplifikon zërat e fëmijëve dhe nxjerr në pah një të vërtetë të thjeshtë: zgjedhjet e shëndetshme janë të vështira për t’u bërë, në mjedise ku dominojnë opsionet e pashëndetshme. 

📸 Merrni pjesë në sfidën e mediave sociale

Pse është kjo me rëndësi

Çfarë po kërkojmë ne

Si mund JU të merrni pjesë në #ÇkaKaPërTëNgrënë

Pse është kjo me rëndësi

Në Maqedoninë e Veriut, rreth 1 në 3 fëmijë të moshës 7-9 vjeçare jetojnë me mbipeshë ose obezitet.

Më shpesh fajësohet mungesa e aktivitetit fizik, por kjo nuk e pasqyron domosdoshmërisht realitetin e fëmijëve. Shumica e fëmijëve janë aktivë: mbi 90 për qind prej tyre lëvizin çdo ditë për të paktën një orë.

Mungesa e lëvizjes nuk është problemi kryesor. 

Njëkohësisht, më shumë se 70% e fëmijëve të moshës 6-9 vjeçare hanë fruta dhe perime më pak se një herë në ditë, ndërsa çdo i treti fëmijë pi një pije me sheqer për çdo ditë.

Problemi është më i ndërlikuar sesa thjesht sjellja individuale.

Problemi i vërtetë është mjedisi ushqimor.

Kur pijet me sheqer, ushqimet e lehta me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë, si dhe ushqimet ultra të përpunuara janë më të lira, më të lehta për t’u gjetur dhe më vizibile sesa frutat, perimet dhe ushqimet e freskëta të përgatitura, atëherë opsionet e pashëndetshme bëhen zgjedhja e parë.

Marketingu përdor ngjyra që shkëlqejnë, personazhe dhe reklama të zgjuara për t’i bërë pijet me sheqer dhe ushqimet ultra të përpunuara të duken tërheqëse, argëtuese dhe të dobishme. Me kalimin e kohës, ai formon zakonet, preferencat dhe atë që fëmijët e presin si ushqim të përditshëm, shumë kohë para se të mund të bëjnë zgjedhje të informuara. 

Decorative image
Decorative image

Ushqimi i pashëndetshëm është gjithandej. Madje edhe brenda dhe përreth shkollave.

UNICEF-i, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, realizoi para do kohësh një vlerësim mbi mjedisin ushqyes në shkolla dhe përreth tyre:

  • Ushqimet dhe pijet shiten brenda ambienteve të shkollës në 20% të shkollave - ndërsa në të gjitha rastet janë në dispozicion vetëm opsione të pashëndetshme.
  • Gjatë orarit të mësimit pothuajse të gjitha shkollat ​​(98%) iu lejojnë nxënësve të blejnë ushqim nga dyqanet përreth, ku ushqimet e pashëndetshme janë të disponueshme në masë të gjerë.
  • Në shkollat ​​që ofrojnë vakte (35%), ushqimet e lehta të kripura ose të ëmbla janë normë.

Problemi nuk janë fëmijët ose vullneti i tyre. Problemi është mjedisi që i rrethon.

Çfarë po kërkojmë ne

Le të krijojmë mjedise ushqimore në shkolla, të cilat i mbrojnë fëmijët dhe mbështesin zgjedhjet e shëndetshme. Është koha për rregulla më të rrepta se çfarë ushqimesh mund të shiten dhe reklamohen në shkolla.

Ndonëse gjithnjë fëmijët e mirëpresin mundësinë të kenë më shumë orë aktiviteti fizik, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme. Krijimi i mjediseve më të shëndetshme ushqimore ka provuar të jetë një nga mënyrat më efektive për të përmirësuar dietën e fëmijëve, madje është me rëndësi thelbësore që ata të rriten, të mësojnë dhe të zhvillohen mirëfilli. Kjo do të thotë:

  • vënia në dispozicion e opsioneve më të shëndetshme ushqimore dhe zgjedhja e paracaktuar, jo përjashtimi;
  • vënia e rregullave më të forta për shitjen e pijeve të ëmbëlsuara me sheqer dhe ushqimeve ultra të përpunuara në shkolla; dhe
  • kufizimi i ekspozimit të fëmijëve ndaj marketingut të ushqimeve dhe pijeve të pashëndetshme, veçanërisht brenda dhe përreth shkollave.

Mbrojtja e fëmijëve nga mjediset ushqimore të pashëndetshme nuk ka të bëjë me kufizimin e zgjedhjes, por me krijimin e kushteve ku zgjedhjet e shëndetshme janë zgjedhja e lehtë dhe normale.

Si mund JU të merrni pjesë në #ÇkaKaPërTëNgrënë

Ndryshimi fillon kur më shumë njerëz flasin hapur. Ja se si fëmijët, prindërit dhe vendimmarrësit mund të përfshihen dhe të ndihmojnë në bërjen realitet të mjediseve më të shëndetshme ushqimore:

Për fëmijët dhe të rinjtë

  • 🤳 Bashkohuni me sfidën (vegëza për seksionin më poshtë): Ndani me ne se çfarë ushqimi shitet në shkolla tuaja ose përreth tyre dhe bëhuni pjesë e #ÇkaKaPërTëNgrënë.
  • 📢 Përhapni mesazhin: Pëlqeni, ndani dhe ripostoni përmbajtje nga të tjerët. Etiketoni miqtë tuaj dhe vazhdoni bisedën.
  • 🏫 Bisedoni në nivel lokal: Ngrini çështjen me shkollën, këshillin studentor ose komunën tuaj. Kërkoni mundësi më të shëndetshme dhe më pak promovim të ushqimit të pashëndetshëm.

Për prindërit dhe kujdestarët

  • 🏫 Vendoseni në agjendë: Trajtoni çështjen e mjediseve ushqimore gjatë mbledhjeve të këshillit të prindërve dhe diskutimeve shkollore.
  • 🤝 Punoni me shkollat: Inkurajoni shkollat ​​ta rishikojnë atë që u shitet dhe promovohet fëmijëve dhe t’u japin përparësi opsioneve më të shëndetshme.
  • 📣 Bëhuni të zëshëm: Mbështetni dhe përforconi fushatën duke ndarë mesazhe, duke folur me prindër tjerë dhe duke angazhuar komunitetin tuaj.

Për politikëbërësit dhe vendimmarrësit

  • 📜 Fuqizoni rregulloret: Mbështetni dhe miratoni politika, të cilat e kufizojnë shitjen dhe marketingun e ushqimeve ultra të përpunuara dhe pijeve me sheqer në shkolla.
  • 🏫 Mbroni mjediset shkollore: Sigurohuni që standardet e ushqimit në shkollë t’i japin përparësi shëndetit të fëmijëve dhe opsioneve të shëndetshme.
  • 🚫 Kufizoni marketingun e dëmshëm: Vendosni dhe zbatoni rregulla, të cilat e zvogëlojnë ekspozimin e fëmijëve ndaj reklamave të ushqimeve të pashëndetshme në shkolla.

Ne së bashku, mund të krijojmë mjedise, në të cilat zgjedhjet e shëndetshme janë zgjedhja e lehtë dhe normale për secilin fëmijë.

#ÇkaKaPërTëNgrënë — Merrni pjesë në sfidën e mediave sociale!

Le ta shfaqim se çfarë ka vërtet në menynë për fëmijët

Bëni një fotografi ose një video të shkurtër të ushqimit që shitet në shkollën tuaj ose në afërsi të saj. Kushtojini vëmendje ushqimeve të lehta, patateve të skuqura, çokollatave, karameleve me xhelatinë, napolitanave, pijeve me sheqer, pijeve energjike dhe të ngjashme.

📱Ndajeni në Instagram me tekstin: Ja #ÇkaKaPërTëNgrënë në shkollën time ose në afërsi të saj.

Etiketoni një mik dhe sfidojeni atë ta ndajë me të tjerët informacionin mbi ushqimin që e ka në shkollë ose afër saj. Sa më shumë zëra, aq më i fuqishëm bëhet mesazhi! 

Vending machine
Decorative image
Decorative image