Çfarë është ndotja e ajrit dhe si ta mbroni familjen tuaj prej saj

Që fëmijët të rriten të shëndetshëm, ata kanë nevojë për ajër të pastër dhe të sigurt. Këtu janë dhënë disa mënyra se si mund ta reduktoni ndotjen e ajrit në mjedisin tuaj dhe të ndihmoni në mbrojtjen e fëmijës tuaj nga ndikimet e saj.

Girl holding a plant and looking at it roots
UNICEF / Nimani / 2024

Ndotja e ajrit paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin e fëmijëve. Raporti i fundit rajonal “Fillimet pa frymë” tregon se në qytetet e mëdha në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore ndotja e ajrit i kalon rregullisht nivelet e konsideruara si të sigurta nga OBSH, duke e bërë atë rrezikun kryesor për shëndetin ekologjik për fëmijët në të gjithë rajonin.

Në Maqedoninë e Veriut janë veçanërisht të larta rreziqet nga ndotja e ajrit. Shkupi është shpesh herë lart në listën e qyteteve më të ndotura në botë, ndërsa nivelet e PM10 ose PM2.5 mesatarisht i kalojnë pragjet e sigurta për më shumë se 100 ditë në vit. Qytetet tjera si Tetova, Manastiri, Kavadari, Strumica dhe Koçani gjithashtu kanë nivele të larta të ndotjes së ajrit edhe atë veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e foshnjave për shkak të ndotjes së ajrit përbën 11.6 për qind ose 1 në 9 të të gjitha vdekjeve të fëmijëve nën një vjeç.

Që fëmijët të rriten të shëndetshëm, ata kanë nevojë për ajër të pastër dhe të sigurt. Këtu janë dhënë disa mënyra se si mund ta reduktoni ndotjen e ajrit në mjedisin tuaj dhe të ndihmoni në mbrojtjen e fëmijës tuaj nga ndikimet e saj.

Ndotja e ajrit: Fakte të shpejta

Çka është ndotja e ajrit?

Kur substancat e dëmshme (ndotësit) – grimcat ose gazrat – lëshohen në ajër dhe e ulin cilësinë e tij, atëherë ajri ndotet.

Shumica e njerëzve janë të njohur me ndotjen e ajrit në ambient të hapur. Disa nga burimet më të mëdha të ndotjes janë djegia e biomasës (druri), pluhuri mineral (nga ndërtimtaria dhe guroret), trafiku (emetimi i motorëve me djegie të brendshme, skadimi i gomave dhe frenave) dhe djegia e vajit.

Megjithatë, nëse nuk i marrim masat e duhura, ndonjëherë ndotja e ajrit ne ambient të brendshëm mund të jetë më e keqe se ajo në ambient të jashtëm. Përveç ndotjes që mund të vijë nga jashtë, ajri i brendshëm mund të ndotet nga burime tjera siç janë kimikatet, tymi, pirja e duhanit dhe pirja pasive e duhanit, papastërtitë dhe pluhuri, si dhe ndotësit biologjikë si myku, dëmtuesit, bakteret dhe viruset. Këta ndotës mund ta përkeqësojnë cilësinë e ajrit të brendshëm në kushtet e ajrosjes/filtrimit të dobët dhe temperaturës dhe lagështisë së papërshtatshme. 

Nga vjen ndotja e ajrit?

Pjesa më e madhe e ndotjes së ajrit shkaktohet nga termocentralet dhe fabrikat, të cilat djegin lëndë djegëse fosile (thëngjill, naftë, gaz natyror); trafiku rrugor; menaxhimi i mbeturinave; ndërtimi; përdorimi i tepërt i plehrave dhe pesticideve dhe djegia e mbeturinave bujqësore; pajisje për ngrohje me qymyr dhe dru si dhe zjarret. Gazet dhe grimcat më të zakonshme që shkaktojnë dëm kur përqendrimi i tyre është i lartë janë PM2,5, PM10, VOC (përbërjet organike të avullueshme), CO2 (dioksid karboni), CO (monoksid karboni), HCHO (formaldehid CH2O), etj. 

Si ndikon ndotja e ajrit ndaj shëndetit tonë?

Ndotja e ajrit është e ndërlidhur drejtpërdrejt me sëmundjet që vrasin. Mund të shkaktojë rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin për njerëzit dhe për qeniet e tjera të gjalla.

Disa nga grimcat janë aq të vogla sa mund të arrijnë thellë në mushkëri, të kalojnë në qarkullimin e gjakut dhe të barten në të gjithë trupin tonë. Grimcat e njohura si PM2,5 janë afërsisht sa një e tridhjeta e gjerësisë së flokut të njeriut dhe mund të barten në mijëra milje. PM 2,5 mund të kalojë në mushkëritë tona dhe të hyjë në gjak, gjë që e rritin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të frymëmarrjes, goditjeve në tru dhe kancerin e mushkërive, si dhe mund të shkaktojnë probleme shëndetësore për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre.

Si ta di nëse është ajri i ndotur?

Nivelet e ndotjes së ajrit mund të ndryshojnë në varësi të vendit dhe kohës brenda ditës.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka 22 stacione matëse në të gjithë vendin.Stacionet matin lloje të ndryshme të ndotësve, mirëpo për referencë më të lehtë mund të përdorim edhe indeksin e cilësisë së ajrit për ta përshkruar cilësinë e ajrit në terma të thjeshtë dhe një shkallëzuar me ngjyra që mund më lehtë të kuptohet. Indeksi në fjalë bazohet në mesataret për orë të përqendrimeve të ndotësve dhe jep një karakterizim të përgjithshëm të cilësisë aktuale të ajrit. Gjendja aktuale e cilësisë së ajrit mund të shihet këtu.

Indeksi merr parasysh përqendrimet e dioksidit të squfurit (SO2), dioksidit të azotit (NO2), grimcave të frymëmarrjes (PM10), grimcave të imta (PM2,5), ozonit (O3) dhe monoksidit të karbonit (CO). Përqendrimet e matura krahasohen me udhëzimet aktuale të cilësisë së ajrit.

Ndotja e ajrit në ambient të jashtëm dhe të brendshëm është e ndërlidhur drejtpërdrejt me infeksionet e frymëmarrjes dhe sëmundjet tjera 

Fëmijët dhe ndotja e ajrit

Pse fëmijët janë më të rrezikuar?

Meqenëse fëmijët rriten, mushkëritë dhe truri i tyre në zhvillim e sipër i bën ata veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit.

Sistemi i tyre imunitar është më i dobët se ai i personave të rritur, duke i bërë ata më të prekshëm ndaj viruseve, baktereve dhe infeksioneve tjera. Kjo e rrit rrezikun e infeksionit respirator dhe e zvogëlon aftësinë e tyre për ta luftuar atë.

Fëmijët e vegjël marrin frymë më shpejt se të rriturit dhe marrin më shumë ajër në krahasim me peshën e tyre trupore, shpesh përmes gojës, e cila fut në organizëm më shumë ndotës. Po ashtu, meqenëse fëmijët janë më shtatshkurtër, ato janë më afër tokës, ku disa ndotës kanë shkallë maksimale të përqendrimit.

Si ndikon ndotja e ajrit te fëmijët?

Ndotja e ajrit shkakton efekte të menjëhershme dhe afatgjata shëndetësore tek fëmijët që mund të jenë të pakthyeshme.

Ndotja e ajrit është e ndërlidhur me sëmundjet e organeve të frymëmarrjes si pneumonia, bronkiti dhe astma. Ajo mund t’i përkeqësojë kushtet themelore shëndetësore dhe ta dëmtojë zhvillimin fizik dhe kognitiv të fëmijëve. Si pasojë e kësaj mund të preken fusha tjera të jetës së fëmijëve. Për shembull, kur fëmijët sëmuren, ata mund ta mungojnë nga mësimi në shkollë, gjë që më tej e kufizon potencialin e tyre të të mësuarit dhe zhvillimit.

Madje efektet e ndotjes së ajrit mund të zgjasin gjatë gjithë jetës. Të rriturit që kanë qenë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit si fëmijë, kanë të ngjarë të kenë probleme me frymëmarrjen më vonë gjatë jetës.

Gjatë shtatzënisë: Trupi i gruas mund të deponojë kimikate të dëmshme nga ajri, duke ia përcjellë ato fëmijës së saj gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji. Ndotja e ajrit mund të ndikojë seriozisht në shëndetin e fetusit. Mund të çojë në rezultate negative të shtatzënisë – si aborte spontane, lindje të hershme dhe peshë të ulët gjatë lindjes, si dhe mund të ndikojë në zhvillimin e shëndetshëm të trurit të fëmijëve.

Nga cilat simptoma të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit duhet të kujdesem?

Këtu janë shënuar disa simptoma që mund të rezultojnë nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit. Bisedoni me mjekun tuaj, nëse një anëtar i familjes suaj ka ndonjë nga këto simptoma.

  • Sytë e thatë/të pezmatuar, dhimbje koke, lodhje, alergji ose gulçim. Te foshnjat, kujdesuni për shenjat e ngarkesës gjatë frymëmarrjes.
  • Personat me astmë mund të përjetojnë sulme më të rënda astmatike, gulçim, dhimbje gjoksi, kollë ose fishkëllim (të gjoksit).

Të rriturit e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit në moshën e fëmijërisë kanë të ngjarë të priren të kenë probleme me frymëmarrjen më vonë në jetë

Si t’i mbroni fëmijët nga ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit është problem global dhe kërkon veprim jo vetëm nga familjet dhe individët, por edhe nga komunitetet dhe qeveritë. Megjithatë, ka shumë gjëra që mund të bëjmë për ta reduktuar ekspozimin tonë ndaj ndotjes së ajrit dhe për ta zvogëluar ndikimin e tij te fëmijët. 

Këtu janë dhënë disa hapa kyçe, të cilat mund t’i ndërmerrni me familjen tuaj:
 

  • Monitoroni çdo ditë informacionin për cilësinë e ajrit, në vendin ku jetoni dhe përpiquni ta rregulloni sjelljen dhe nivelet e ekspozimit të familjes suaj në përputhje me rrethanat.
  • Përpiquni ta zvogëloni kohën e kaluar në zonat ku ndotja është e lartë, siç është qëndrimi afër ose përreth zonave me bllokime të rënda të trafikut ose burimeve të ndotjes industriale. Udhëtimi brenda ditës në periudha kur ndotja e ajrit është më e ulët mund të ndihmojë në uljen e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur.
  • Kur ndotja e ajrit është veçanërisht e keqe, është mirë që fëmijët t’i shmangin aktivitetet, të cilat kërkojnë nxitim. Duhet të minimizohen loja ose stërvitja, veçanërisht nëse fëmijët kanë gjendje mjekësore paraprake siç është astma ose infeksione tjera të frymëmarrjes.
  • Kur ndotja e ajrit në ambient të hapur është ekstreme, si për shembull gjatë zjarreve, përpiquni ta mbani fëmijën tuaj brenda.   

  • Nëse është e mundur, kaloni në karburante dhe teknologji më të pastra për gatim, ngrohje dhe ndriçim të shtëpisë suaj. Ju mund të zgjidhni energji elektrike, gaz natyror, gaz të lëngshëm të naftës, biogaz ose pajijse për ngrohje, gjegjësisht për gatim me energji diellore.
  • Sigurohuni që zona e gatimit të jetë e ajrosur mirë duke hapur dritaret dhe duke përdorur ventilatorët për thithjen e avullit për të lejuar që nxehtësia dhe tymrat të dalin jashtë. Nëse familja juaj përdor dru si burim ngrohjeje, mbajini shporetet, oxhaqet dhe pajisjet tjera në mënyrë që ato të djegin karburant në mënyrë efikase. Më shumë informacion rreth kësaj çështje mund të gjeni këtu.
  • Mos pini duhan brenda ose pranë fëmijëve ose grave shtatzëna, në mënyrë që ato të mos i ekspozoni ndaj pirjes pasive të duhanit.
  • Ngelni të vetëdijshëm mbi burimet tjera të zakonshme të ndotësve të brendshëm, duke përfshirë produktet/materialet ndërtimore dhe produktet e bojërave, pajisjet për pastrim dhe kimikatet shtëpiake. Mos digjni qirinj ose temjan, gjegjësisht mos përdorni freskues ajri, të cilat i shtojnë kimikate toksike në ajër.
  • Nëse është e mundur, shqyrtoni mundësinë e instalimit të pastruesve të ajrit me filtra të ajrit me efikasitet të lartë (HEPA) ndaj grimcave, të cilët janë efektivë kundër ndotjes së ajrit të në ambient brendshëm.
  • Ushqimi i shëndetshme dhe mënyra e jetesës mund të ndihmojnë në reduktimin e ndikimit të përgjithshëm të ndotjes së ajrit te fëmijët. Sa më i shëndetshëm të jetë një fëmijë, aq më pak ka të ngjarë të shfaqen komplikime shëndetësore si rezultat i ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit. Kjo përfshin ushqyerjen vetëm me gji për 6 muajt e parë të jetës, duke u siguruar që fëmijët t’i marrin vaksinat me kohë (përfshirë vaksinën kundër pneumokokut), mbështetja për ushqim të shëndetshëm dhe sigurimi i shumë mundësive për të luajtur dhe për të qenë fizikisht aktivë kur të jetë i pastër ajri në ambient të hapur. 

Mbani mend: Fëmijët shpesh janë të pasionuar pas mjedisit, andaj lufta ndaj ndryshimeve klimatike është diçka që ka shumë rëndësi për shumë njerëz. Fëmijët duhet të dinë për rreziqet që mund të ketë ndotja e ajrit ndaj shëndetit të tyre dhe ndaj mjedisit. Ata duhet ta dinë se sa i keq mund të jetë ajri i tyre dhe çfarë mund të bëhet për ta zvogëluar ndotjen, gjegjësisht për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur. Këtu është një burim i përshtatshëm për fëmijët në lidhje me ndotjen e ajrit, të cilin mund ta eksploroni së bashku.


 

Ndihmoni në krijimin e ndryshimeve për ajër më të pastër

Ndotja e ajrit është një emergjencë e shëndetit publik, andaj nëse qeveritë dhe bizneset nuk marrin hapa konkretë për ta reduktuar atë, fëmijët do të vazhdojnë të vuajnë më shumë. Ju mund të luani një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për problemin dhe zgjidhjet.

  • Inkurajoni dhe mbështetni fëmijët tuaj që të mësojnë dhe të marrin pjesë në aktivitetet mjedisore.
  • Përdorni transportin publik, biçikletën ose thjesht ecjen për të reduktuar gjurmën tuaj të karbonit dhe rrjedhimisht ndotjen e ajrit.
  • Flisni me shkollën e fëmijës suaj për ajrin e pastër, zonat pa ndotje dhe zonat e sigurta të lojës. Zbuloni nëse ata kanë rregulla për ndalimin e trafikut dhe pirjes së duhanit nëpër shkollë. Nëse jo, bisedoni me prindërit e tjerë dhe me shkollën se si mund të përfshihen dhe zbatohen rregulla të tilla.
  • Kërkoni në bashkësinë tuaj për iniciativa lokale të gjelbra, të cilat do të mund t’i mbështesni.
  • Bëni thirrje qeverisë suaj vendore dhe autoriteteve shëndetësore t’i mbështesin politikat, të cilat e reduktojnë ndotjen e ajrit dhe e mbrojnë shëndetin e fëmijëve, si fuqizimi i transportit publik dhe kufizimi i burimeve të ndotjes së ajrit pranë shkollave dhe këndeve të lojërave.