UNICEF bën thirrje për veprim me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit mbrojtjes së të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve
UNICEF për Evropë dhe Azi Qendrore e nisi sot analizën e re të të dhënave mbi vdekjet e fëmijëve që ndërlidhen me ndotjen e ajrit
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 7 shtator 2023 – Më shumë se 5 800 fëmijë dhe adoleshentë në Evropë dhe Azi Qendrore kanë vdekur në vitin 2019 nga shkaqe që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit. Sipas analizës së re të të dhënave, të paraqitur në një përmbledhje politikash të publikuar sot nga UNICEF-i shumica dërrmuese prej tyre – 85 për qind – vdiqën para ditëlindjes së tyre të parë, gjë që është e ekuivalente me 90 foshnja në javë.
Vështirësitë në frymëmarrje: ndikimi alarmues i ndotjes së ajrit te fëmijët në Evropë dhe Azinë Qendrore vë në dukje se fëmijët e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit janë në rrezik në rritje të problemeve të rënda shëndetësore, duke përfshirë infeksione akute të frymëmarrjes si pneumonia, veçanërisht të rrezikshme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Thithja e ajrit të ndotur shkakton dëmtime afatgjatë në mushkëritë e fëmijëve, gjë që shpien në një rrezik në rritje të astmës dhe sëmundjeve kronike të frymëmarrjes dhe atyre kardiovaskulare, përfshirë edhe kancerin. Përmbledhja e politikave në fjalë, thekson se më vonë gjatë jetës ndotja e ajrit mund të sjellë në çrregullime neurologjike si rezultat i dëmtimit të hershëm të trurit të fëmijëve.
Fëmijët janë fizikisht më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit sepse marrin frymë dy herë më shpejt dhe shpeshherë përmes gojës, me çka thithin më shumë ndotës. Ata janë shpesh më afër tokës, ku grumbullohen ndotësit. Studimi në fjalë vë në dukje se fëmijët janë fiziologjikisht më të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit, sepse truri, mushkëritë dhe organet e tjera të tyre janë të ekspozuar ndaj inflamacionit dhe dëmtimit gjatë një periudhe të zhvillimit të shpejtë.
Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nivelet e ndotjes së ajrit janë jashtëzakonisht të larta dhe kanë ndikim të madh në shëndetin dhe vdekshmërinë e njerëzve. Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Madje Shkupi, kryeqyteti, dhe shumë qytete të tjera shpeshherë i kryesojnë listat e qyteteve me ajër më të ndotura në Evropë dhe më gjerë. Ndotja e ajrit është kërcënimi i vetëm më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut në rajon, me banorët e qyteteve që thithin ajër me përqendrime ndotësish deri në pesë herë më të larta se nivelet e përcaktuara në udhëzimet nacionale dhe evropiane.
Kjo ndikon në jetën e mijëra qytetarëve në baza vjetore. Mbase fëmijët janë shumë më të ndjeshëm sepse kur kemi të bëjmë me ndotjen e ajrit, mushkëritë më të vogla e pësojnë barrën më të rëndë.
“Ndotja e ajrit paraqet krizë e të drejtave të fëmijëve, pasi ka efekte gjatë gjithë jetës dhe përbën një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Ndotja e ajrit e prek të drejtën e fëmijëve për jetë, shëndet, arsim, lojë, mosdiskriminim, standard adekuat të jetesës dhe të drejtën për një mjedis të sigurt, të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Trajtimi i kësaj çështjeje është thelbësor për të siguruar që fëmijët të kenë mundësi të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm dhe ta zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre.”
UNICEF-i në Maqedoninë e Veriut punon në partneritet me Suedinë për ta trajtuar ndotjen e ajrit, duke forcuar kapacitetet e pushtetit qendror dhe atij lokal si përgjegjës për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe të dhënave mbi cilësinë e ajrit, duke iu dhënë gjithashtu jehonë zërave të fëmijëve dhe të rinjve, si bartës të të drejtave për t’i ndryshuar politikat dhe normat shoqërore.
Aktualisht si pjesë e partneritetit, UNICEF po punon për përmirësimin e cilësisë së edukimit mjedisor në shkolla, me fokus të veçantë në ndotjen e ajrit. Një program mësimi eksperimental do t’u ofrohet shkollave përmes Rrjetit të mësimit të shkencave, për t'iu mundësuar nxënësve të mësojnë dhe të angazhohen në mënyrë domethënëse rreth temës së cilësisë së ajrit. Për më tepër, UNICEF-i e mbështet edhe zhvillimin e programeve të edukimit formal dhe joformal për punë të gjelbra dhe cilësi më të mirë të ajrit, që do të kontribuojnë në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe punësimin e të rinjve në të ardhmen në sferën e Ekonomisë së gjelbër.
Që të ndodhë ndryshimi sistematik dhe kuptimplotë, fëmijët dhe të rinjtë duhet të kenë njohuri përkatëse për çështjet që ndërlidhen me ndotjen e ajrit, pasi ata kanë nevojë për qasje në platforma që iu mundësojnë të mbështesin zgjidhje dhe politika për ajër të pastër, mirëpo edhe rregulloret të cilat synojnë të sigurojnë zgjidhje ndaj ndotjes së ajrit duhet të jenë të ndjeshme ndaj nevojave dhe kërkesave të fëmijëve dhe të rinjve.
Gjithashtu për këtë qëllim UNICEF-i vazhdon t’i mbështesë të rinjtë që të bëhen shtytës aktivë të ndryshimit dhe mbështetës për përmirësimin e cilësisë së ajrit brenda komuniteteve të tyre përmes zhvillimit të kapaciteteve të rrjeteve rinore për aftësitë e komunikimit dhe përkrahjes për ajër të pastër si dhe përmes platformave për inovacione sociale dhe sipërmarrësisë mjedisore.
Paralelisht, UNICEF-i i mbështet autoritetet lokale për të siguruar që planet dhe masat lokale të cilësisë së ajrit të jenë të ndjeshme ndaj fëmijëve dhe të rinjve, në mënyrë që të drejtat e fëmijëve dhe dobësitë e tyre të veçanta të merren parasysh sistematikisht dhe në përputhje me specifikat lokale.
UNICEF-i iu bën thirrje autoriteteve nacionale dhe lokale që t’i fuqizojnë politikat dhe investimet për ta përshpejtuar kalimin drejt energjisë dhe transportit të pastër, efikas në të gjithë sektorët. Kjo përfshin mbështetjen e efiçiencës energjetike dhe qasjes në energji të pastër, trajnimin e profesionistëve të kujdesit primar shëndetësor për t’i kontrolluar fëmijët dhe për t’i zbuluar sëmundjet e ndërlidhura me ndotjen e ajrit, si dhe përshkallëzimin dhe përshpejtimin e planeve për ta reduktuar ndotjen e ajrit në nivel nacional dhe komunal.
Për t’i mbrojtur fëmijët nga ekspozimi, UNICEF u bën thirrje autoriteteve të krijojnë dhe mirëmbajnë sisteme të monitorimit të cilësisë së ajrit pranë kopshteve dhe shkollave, dhe t’i raportojnë publikut, duke vënë në dukje nivelet e ndotjes së ajrit që janë të rrezikshme për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Shënim për redaktorët
Vlerësimet rajonale bazohen në një analizë të re të të dhënave nga Barra globale e sëmundjeve 2019. Më vonë gjatë këtij viti të dhënat e reja globale do të publikohen nga UNICEF.
UNICEF-i e mirëpret propozimin e Komisionit Evropian për të futur standarde të reja ambicioze të cilësisë së ajrit dhe u bën thirrje anëtarëve të Parlamentit Evropian që ta miratojnë tekstin me standarde që janë në përputhje të plotë me Udhëzimet e OBSH-së për cilësinë e ajrit deri në vitin 2030.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.