Të rinjtë po bëhen bashkë për politikat lokale për ajër të pastër
Gostivari është një nga pesë qytetet pilot së bashku me Velesin, Kumanovën, Kavadarin dhe Shkupin, ku të rinjtë po bëhen bashkë në një seri punëtorish dhe forumesh si pjesë e iniciativës së Aktivizmit Rinor për Ajër të Pastër
- English
- Македонски
- Shqip
Është një mëngjes me diell në Gostivar ku Nazifi (22) dhe Dardani (22), dy aktivistë dhe anëtarë të Këshillit Rinor Lokal, përshëndesin ngrohtësisht një grup të rinjsh që mbërrijnë në qendrën rinore energjike. Ata janë të emocionuar dhe disi të lehtësuar që shumë nga bashkëmoshatarët e tyre u shfaqën për të marrë pjesë në punëtorinë mbi cilësinë e ajrit për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje dhe për të zhvilluar iniciativa dhe zgjidhje lokale se si ta adresojnë atë.

"Ne duhet të punojmë në rritjen e ndërgjegjësimit. Njerëzit duhet të kuptojnë se natyra është një burim i kufizuar. Dëmi nuk është i menjëhershëm, por gradual. Ndërsa pas 10 vitesh zgjohesh dhe sheh se nuk është më e shëndetshme të jetosh në këtë mjedis", thotë Dardani, për motivimin e tij për t’u bashkuar me nismën.
Gostivari është një nga pesë qytetet pilot së bashku me Velesin, Kumanovën, Kavadarin dhe Shkupin, ku të rinjtë po bëhen bashkë në një seri punëtorish dhe forumesh si pjesë e iniciativës së Aktivizmit Rinor për Ajër të Pastër. Nisma synon të shumëfishojë zërat e të rinjve, t'i fuqizojë ata të avokojnë për ajër të pastër dhe të flasin për efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit mbi shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Në të njëjtën kohë, iniciativa do të sigurojë një platformë për të rinjtë që të angazhohen me vendimmarrësit lokalë, të sjellë përpara nevojat specifike të të rinjve dhe fëmijëve dhe të propozojë iniciativa që do të ndihmonin në adresimin e problemit me cilësinë e ajrit në bashkësitë e tyre.
Që nga fillimi i nismës, 164 të rinj kanë marrë pjesë në 5 punëtori dhe 5 forume Speak-Up të organizuara në pilot komunat. Punëtoritë janë të përqendruara në fuqizimin e rinisë përmes shkëmbimit të njohurive mbi cilësinë e ajrit, burimet dhe pasojat e ndotjes së ajrit, demokracisë mjedisore dhe kornizës ligjore për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes. Ndërsa forumet janë një mundësi për të rinjtë që të zhvillojnë iniciativa lokale, të fitojnë aftësi se si të mobilizojnë përkrahjen në bashkësitë e tyre dhe të propozojnë masa që do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit si dhe një platformë për takime me vendimmarrësit lokalë.


Nivelet e ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë kërcënimin e vetëm më të madh mjedisor për shëndetin e njeriut, veçanërisht në qytetet më të mëdha ku përqendrimi i ndotësve është deri në pesë herë më i lartë se nivelet e specifikuara në standardet kombëtare, evropiane dhe Udhëzimet për Cilësinë e Ajrit të OBSH-së.
"Si nxënëse e mjekësisë, e kuptoj se sa të dëmshme janë grimcat PM. Por unë kam qenë gjithashtu e prekur edhe personalisht. Gjyshi im me të cilin isha shumë e afërt, vdiq nga kanceri i mushkërive. Mikja ime ka astmë dhe nuk është në gjendje të largohet nga shtëpia e saj kur është shumë ndotur gjatë dimrit. Unë iu bashkëngjita kësaj iniciative sepse mendoj se duhet të përhapim njohurinë për efektet e ndotjes së ajrit midis qytetarëve dhe si të kujdesen më mirë për shëndetin e tyre," thotë Dajana (17).

"Si nxënëse e mjekësisë, e kuptoj se sa të dëmshme janë grimcat PM. Unë iu bashkëngjita kësaj iniciative sepse mendoj se duhet të përhapim njohurinë për efektet e ndotjes së ajrit midis qytetarëve dhe si të kujdesen më mirë për shëndetin e tyre," thotë Dajana (17).
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë përparim në harmonizimin e ligjeve dhe rregulloreve me standardet e BE-së për cilësinë e ajrit. Sipas Ligjit për Cilësinë e Ajrit të Ambientit, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) është përgjegjëse për realizimin e shumicës së aktiviteteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Autoritetet lokale gjithashtu kanë detyrime dhe përgjegjësi ligjore përmes zhvillimit dhe zbatimit të planeve lokale për cilësi të ajrit me masat përkatëse për të adresuar ndotjen e ajrit. Megjithatë, zbatimi mbetet i dobët për shkak të burimeve të kufizuara. Për më tepër, masat e propozuara dhe të zbatuara në nivel lokal shpesh nuk janë të ndjeshme ndaj fëmijëve dhe të rinjve dhe nuk marrin parasysh nevojat e tyre specifike.
Kur u jepen mundësi për të shprehur mendimet e tyre dhe për të kontribuar në proceset e vendimmarrjes në lidhje me politikat për çështje që i prekin ata – siç është ndotja e ajrit – fëmijët dhe të rinjtë kanë potencialin për të nxitur ndryshime sistematike. Këshillat Rinorë Lokalë janë krijuar për t'u dhënë fëmijëve dhe të rinjve një shans për t'u angazhuar në zhvillimin e politikave lokale. Megjithatë, ata kanë nevojë për mbështetje për të fituar njohuri përkatëse, për të kuptuar kornizën ligjore që të jenë në gjendje të avokojnë për politika për ajër të pastër dhe për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për zbatimin e planeve lokale për cilësi të ajrit. Punëtoritë dhe forumet po e ofrojnë këtë mbështetje.
“Unë jetoj pranë një rruge të ngarkuar ku njerëzit ngasin makinën shumë shpejt dhe ka pasur shumë aksidente në vitet e fundit. Së bashku me fqinjët tanë, disa vjet më parë, i dërguam një letër komunës duke kërkuar një ngadalësues shpejtësie, por kurrë nuk morëm përgjigje. Është një hap përpara duke ditur se tani kemi një Këshill Rinor Lokal aktiv që mblidhet rregullisht me komunën, që mund të ngrejë këto dhe çështje të tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndotjen e ajrit dhe mjedisin," thotë Martina, (17).

Është një hap përpara duke ditur se tani kemi një Këshill Rinor Lokal aktiv që mblidhet rregullisht me komunën, që mund të ngrejë këto dhe çështje të tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndotjen e ajrit dhe mjedisin,", Martina, 17.
"Përmes Këshillit Rinor Lokal, ne duam të krijojmë një traditë, një lloj trashëgimie për të rinjtë e tjerë për të vazhduar vizionin tonë për të punuar së bashku për një bashkësi më të mirë. Kemi shumë mbështetje nga komuna dhe takohemi rregullisht. Por të rinjtë gjithashtu duhet të jenë më aktivë, më të interesuar," thotë Nazifi. "Shumë ndryshime fillojnë me ne. Shoqja ime një herë më tërhoqi vëmendjen për hedhjen e mbeturinave në rrugë - as që e kisha kuptuar se po e bëja atë gjë! Që atëherë, gjithmonë e mbaj në xhep derisa të gjej një kosh. Pasi të bëheni të vetëdijshëm, mund të kërkoni më shumë përgjegjësi nga miqtë tuaj dhe ndryshimi përhapet kaq shpejt!"
Nisma Aktivizmi Rinor Për Ajër të Pastër zbatohet nga UNICEF-i me mbështetje financiare nga Suedia dhe në partneritet me Qendrën për Ndryshime Klimatike për të shumëfishuar zërat e të rinjve, për t'i fuqizuar ata të avokojnë për ajër të pastër dhe për të folur për efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit mbi shëndetin e njeriut dhe mjedisin.