Vullnetarët e rinj ndihmojnë në mbrojtjen e komunitetit nga COVID-19

Kur vaksinat kundër COVID-19 u vunë në dispozicion në Kosovë, ishin të rinjtë ata që i mbështetën të moshuarit e tyre për ta mbrojtur veten.

Leonora Aliu
Young volunteers
©UNICEF/2021/L.Aliu
15 Nëntor 2022

Një vit e disa muaj pas rastit të parë të COVID-19 në Kosovë, vaksina filloi të shpërndahej në qendrat e caktuara për vaksinim. Në Prishtinë, halla e sporteve “1 Tetori” u shndërrua në qendrën kryesore të vaksinimit të Kosovës. Kishte aq shumë kërkesa për vaksina sa që stafi mjekësor nuk ishte në gjendje ta përballonte i vetëm.

Së bashku me partnerët e vet, UNICEF-i në Kosovë mobilizoi vullnetarë të rinj për ta mbështetur fushatën e vaksinimit. Niman Bardhi nga Ministria e Shëndetësisë e koordinoi nismën.

Mr. Bardhi
©UNICEF/2021/L.Aliu

“Që nga java e parë të vaksinimit, kishim vullnetarë të rinj të angazhuar për të ndihmuar të moshuarit në marrjen e vaksinës kundër COVID-19. Kjo ishte përkrahje e madhe kur filloi vala e madhe e të moshuarve të regjistruar për të marrë vaksinën. Kjo mbështetje zgjati rreth dy muaj ku me kalimin e kohës disa vullnetarë zëvendësoheshin me vullnetarë të rinj”, tha z. Bardhi.

Shumë nga vullnetarët e rinj ishin mjekë të ardhshëm nga Organizata Kosovare e Studentëve të Mjekësisë të cilët u mobilizuan nga OJQ-ja “Peer Educators Network, PEN”. Këta vullnetarë i shoqëronin të moshuarit gjatë procesit të regjistrimit dhe vaksinimit dhe e monitoronin gjendjen e tyre pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19.

Erona Osmani, 24 vjeçe dhe Miri Këpuska, 23 vjeç të dy studentë të vitit të gjashtë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, dolën vullnetarë në hallën sportive “1 Tetori”.

Ms Osmani
©UNICEF/2021/L.Aliu

“Pa ndihmën e të gjithëve, pandemia nuk do të përfundojë”, tha znj. Osmani. “Kjo ishte arsyeja kryesore që doja të kontribuoja sadopak në përballje me këtë pandemi.”

Ajo gjithashtu e çmonte mundësinë e dhënë për të punuar me pacientë të moshuar.

“Disa prej tyre kishin sëmundje kronike dhe mezi arrinin të vinin në qendrën e vaksinimit. Ata ishin shumë mirënjohës kur merrnin ndihmën nga ne”, tha ajo.

Mr Këpuska
©UNICEF/2021/L.Aliu

Z. Këpuska u pajtua se ndërtimi i marrëdhënieve me njerëzit që vinin për t'u vaksinuar ishte përvojë e veçantë. Ai tha se në shkollën e mjekësisë, nxënësit nuk kishin shumë mundësi për të komunikuar me pacientët.

“Kjo përvojë ka përforcuar aspektin humanitar të punës si mjek – si t'u qasemi pacientëve, si të sillemi, çfarë të themi dhe si t'u përgjigjemi nevojave të tyre; këto janë mësimet më të mira praktike që kemi mësuar”, tha ai.

Të rinjtë, të vullnetshëm dhe të gatshëm për të ndihmuar

Z. Bardhi, menaxher i ekipit mjekësor në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, tha se vullnetarët ishin po aq të vlefshëm sa edhe stafi profesional mjekësor.

“Secila detyrë që u është deleguar, deri më tani nuk ka ndodhur ndonjëra të mos kryhej me saktësi… Jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën dhe kontributin e tyre”, tha ai.

“Ky është tregues se kemi të rinj bujarë dhe të përgjegjshëm të cilëve mund t'u besohen detyra si kjo”.

Me mbështetjen e UNICEF-it, puna vullnetare në Kosovë njihet si përvojë pune që nga viti 2016, kur u miratua Udhëzimi Administrativ për Punë Vullnetare të Rinisë. UNICEF-i në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit krijuan platformën e parë për vendosjen e lidhjeve www.KosovoVolunteers.org  për OSHC-të dhe të rinjtë që kërkojnë të marrin pjesë në angazhimet vullnetare. Sot janë 11,901 të rinj të regjistruar në platformë, 2,115 OSHC dhe grupe tjera joformale dhe janë krijuar 409 mundësi për punë vullnetare.

Znj. Osmani, studente e mjekësisë, tha se mundësitë për të kontribuar dhe për të mësuar si vullnetare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse përveç që fuqizojnë aftësitë profesionale të të rinjve, këto përvoja u japin atyre edhe rastin që të kontribuojnë në komunitetet e tyre.

“Nuk ka çmim që paguhet për shërbimin dhe rezultatin e punës humanitare. Puna nuk duhet të bazohet vetëm në pagesë por edhe në atë se si mund t’u ndihmosh të tjerëve”, tha zonja Osmani.

Mobilizimi i vullnetarëve është njëra nga mënyrat e shumta që UNICEF-i vazhdon t’i mbështesë institucionet e Kosovës për të reaguar kundër pandemisë COVID-19 dhe për t’i mbrojtur njerëzit e cenueshëm të prekur nga virusi. Kjo mbështetje do të vazhdojë.