Të zbulojmë forcën e amësisë: Rrëfimi i Valmirës

Mbështetja e familjeve përmes vizitave në shtëpi dhe kujdesit në grup për prindërim

UNICEF
English
UNICEF/2025/AMC
24 Shtator 2025
Building resilience in families through home visiting and group care

Kur 34-vjeçarja Valmira Pirraku nga fshati Bujan i Lipjanit mësoi se ishte shtatzënë, gëzimi i saj u zbeh shpejt nga shqetësimi. Mjekët e paralajmëruan se për shkak të komplikimeve shëndetësore, mund të humbiste foshnjën.

“Më thanë se mund ta humbisja fëmijën,” kujton Valmira. “Isha e frikësuar dhe e pasigurt.”

Si mijëra gra në Kosovë, vizita e saj e parë ishte tek Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare , shtylla themelore e sistemit shëndetësor në Kosovë, që ofron shërbime dhe kujdes parësor, e bazuar në komunitet, për të gjithë. Ky kontakt i parë siguroi që Valmira të mos mbetej e vetmuar me frikën e saj, por të gjej mbështetje që nga fillimi i shtatzënisë, pra nga takimi me Shemsijen, mjeke dhe infermiere e trajnuar për vizita në shtëpi. Me fjalë të qeta dhe kujdes të shtuar, infermierja Shemsije e qetësoi Valmirën gjatë administrimit të një infuzioni. Ajo gjithashtu i shpjegoi asaj Programin e Vizitave në Shtëpi, që do t’i mundësonte infermiereve të vizitonin Valmirën në shtëpinë e saj për t’i dhënë këshilla dhe për të monitoruar shtatzëninë.

“Gjatë infuzionit ndjeva një lehtësim të madh, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht sepse ajo më foli, më shpjegoi gjërat me fjalë të thjeshta, të kuptueshme dhe më dha shpresë,” thotë Valmira.

Ndonjëherë, një takim i papritur ose takimi me personin e duhur në kohën e duhur mund të ndryshojë gjithçka. Për Valmirën, ishte takimi me infermieren Shemsije, e cila i dha asaj mbështetjen dhe sigurinë që i nevojitej. Që nga ajo kohë, Shemsija e vizitonte Valmirën të paktën një herë në muaj, duke e udhëzuar gjatë shtatzënisë, përgatitur për lindje dhe duke e inkurajuar të konsultohej rregullisht me specialistë si hematologët.

English
UNICEF/2025/A.Parduzi

Programi i Vizitave në Shtëpi u lansua për të sjellë shërbime themelore shëndetësore për nënat dhe fëmijët direkt në shtëpitë e familjeve. Filloi në vitin 2014 me mbështetjen e UNICEF-it dhe kontributin e Qeverisë së Luksemburgut, programi është tani i integruar plotësisht në sistemin e kujdesit shëndetësor primar të Kosovës dhe zbatohet në të gjitha komunat. Vitin e kaluar, për herë të parë, qeveria e Kosovës alokoi 3.4 milionë euro për ta mbështetur atë përmes grantit specifik për kujdesin shëndetësor primar. Shemsija ka qenë pjesë e programit që nga fillimi, duke vizituar qindra familje dhe duke u ofruar udhëzime, inkurajim dhe kujdes të personalizuar.

Në dhjetor 2024, Valmira dhe bashkëshorti i saj, Iliri, mirëpritën në jetë vajzën e tyre, Daninën. Me prindërimin erdhën sfida të reja. Si nënë për herë të parë, Valmira dëshironte të zbatoi këshillat e vlefshme që kishte marrë nga infermieret e Vizitave në Shtëpi. Pas lindjes së vajzës, infermieret i  treguan Valmirës për mundësinë për të marrë pjesë tek sesionet e kujdesit në grup për prindërim, ajo ishte e më se e gatshme t’i bashkohej programit.

English
UNICEF/2025/A.Parduzi

Pas lindjes: Mësimi për të qenë prind

Pas lindjes së Daninës, Valmira iu bashkua programit të Kujdesit në grup për prindërim, i udhëhequr nga infermieret Shemsije Jezerci dhe Teuta Reqica. Ky program përbëhet nga sesione në të cilat ftohen prindërit së bashku për të ndarë përvoja dhe për të mësuar mbi gjidhënien dhe zhvillimin e fëmijëve, prindërimin pozitiv dhe mirëqenien mentale, të gjitha në një hapësirë të sigurt dhe mbështetëse në Qendrën Kryesore të Mjekësië Familjare. Kjo qasje reflekton kornizën e kujdesit të përkujdesur, e cila thekson rëndësinë mbi shëndetin, ushqyeshmërinë, kujdesin e përgjegjshëm, sigurinë dhe edukimin e hershëm.

Programi i kujdesit në grup për prindërim është dizajnuar për të komplimentuar Programin e Vizitave në Shtëpi. Së bashku, ato ofrojnë një mbështetje të vazhdueshme brenda sistemit të kujdesit shëndetësor primar në Kosovë. Përmes vizitave në shtëpi, infermieret krijojnë besim me familjet dhe ofrojnë udhëzime të personalizuara gjatë shtatzënisë dhe fëmijërisë së hershme. Të njëjtat infermiere pastaj udhëheqin sesionet në grupe, ku prindërit vazhdojnë të mësojnë, shkëmbejnë përvoja dhe mbështesin njëri-tjetrin. Ky kombinim i kujdesit të individualizuar dhe grupor siguron që askush nuk ndihet i vetëm, qoftë në shtëpi, qoftë në komunitet, dhe fuqizon aftësinë e sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur nevojave të familjeve.

Programi i kujdesit në grup për prindërim udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë dhe mbështetet nga UNICEF në partneritet me Qeverinë e Luksemburgut. Deri më tani, programi është zgjeruar në 15 komuna, me qëllim zgjerimin në të gjithë Kosovën.

“U bashkova me dëshirë të plotë dhe nuk humba asnjë sesion.” thotë Valmira. “Mësuam gjithçka: si të ushqejmë me qumësht gjiri, si të monitorojmë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës dhe si të përballojmë sfidat pa stres. Këto sesione nuk më dhanë vetëm njohuri; ato më dhanë qetësi mendore. Të ndash përvojat me nënat dhe baballarët e tjerë, e uli frikën time dhe më bëri të mos ndihesha e vetme,” thotë Valmira.

English
UNICEF/2025/A.Parduzi

Iliri, bashkëshorti i saj, shpesh rregullonte orarin e punës për t’u bashkuar në këto sesione.

“Në fillim, isha shumë i shqetësuar gjatë shtatzënisë së saj,” thotë Iliri. “Por këto diskutime me infermieren Shemsije më përgatitën edhe mua. Mësova si ta mbështes gruan time gjatë dhe pas shtatzënisë dhe si të kujdesem për Daninën. Ne nuk grindemi para saj; duam të rritet e lumtur.”

Megjithatë, në Kosovë, të dhënat tregojnë se kujdesi i drejtpërdrejtë ndaj fëmijëve nuk është ende i ndarë në mënyrë të barabartë. Sipas MICS-it të fundit, 63% e fëmijëve 2–4 vjeç angazhohen në aktivitete të stimulimit të hershëm me një të rritur në shtëpi, por nënat janë katër herë më të prira se baballarët të angazhohen me fëmijët e tyre në lojë dhe mësim.

UNICEF thekson se kur baballarët janë aktivisht të përfshirë, fëmijët përfitojnë zhvillim më të fortë kognitiv, mirëqenie emocionale më të mirë dhe marrëdhënie më të shëndetshme. Nxitja e pjesëmarrjes së baballarëve është thelbësore për të dhënë çdo fëmijë një fillim të mirë në jetë.

“E kam kuptuar se angazhimi im është thelbësor për zhvillimin e Daninës. Prandaj dua t’u them të gjithë baballarëve, nuk është turp të luash me fëmijën tënd, të kalosh kohë së bashku, t’i flasësh, t’i këndosh, t’a ushqesh ose t’ia ndërrosh pelenat. Kjo është ajo që do të thotë të jesh prind dhe është shumë e rëndësishme për mirëqenien e fëmijës tuaj,” thotë babai i Daninës.

Sot, Valmira është e përkushtuar të japë Daninës fillimin më të mirë në jetë. Ajo shmang kohën e ekranit, i jep përparësi lojës dhe ndjek ritmin natyral të bebes, në vend që të imponojë orare të gjumit ose ushqimit.

“Disa të afërm më kritikojnë përkushtimin tim,” thotë ajo. “Por si kam mësuar gjatë sesionet, 80% e trurit të një fëmije zhvillohet deri në moshën tre vjeç. Prioriteti im është ta rris në mënyrën më të mirë të mundshme. Prindërimi është një shkollë vetë.”

English
UNICEF/2022/S.Karahoda

Infermieret që bëjnë ndryshimin

Për infermieren Shemsije, e cila punon që 26 vjet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, historitë si ajo e Valmirës janë arsyeja pse ajo vazhdon, ndonjëherë duke udhëtuar larg, e duke mbetur në punë edhe pas orarit të punës për t’iu ofruar shërbime shëndetësore familjeve në nevojë. Ajo balancon ngarkesën e madhe të punës, mbrëmjet e vona dhe vizitat e vazhdueshme, por mbetet e përkushtuar sepse e di që çdo vizitë dhe çdo bisedë bën diferencë. Të vizitosh kaq shumë familje nuk është e lehtë, por Shemsija beson se çdo fëmijë dhe çdo prind meriton fillimin e duhur.   

“Kujdesi në grup për prindërimin është më shumë se informacion,” thotë Shemsije. “Është për të dëgjuar prindërit, për t’i ndihmuar të mbështesin njëri-tjetrin dhe për të vërejtur kur një fëmijë ose prind ka nevojë për kujdes shtesë. Ndonjëherë identifikojmë vonesa në zhvillim ose edhe shenja depresioni dhe mund të ndërhyjmë herët. Duke vërejtur shenjat e hershme të vonesave në zhvillim apo stresin e prindërve, infermieret mund të ofrojnë mbështetje në kohë, duke ndihmuar familjet të ruajnë mirëqenien fizike dhe mendore.

“Në sesionet e kujdesit në grup për prindërim, nënat e reja mblidhen në një hapësirë të ngrohtë dhe mikpritëse, marrin njohuri të vlefshme mbi fëmijërinë e hershme si fazën më të rëndësishme të zhvillimit, mësojnë nga përvojat e njëra-tjetrës dhe krijojnë miqësi të reja,” thotë Teuta Reqica, trajnere dhe udhëheqëse e programit.

Së bashku me kolegen e saj Teutën, Shemsija jo vetëm që ofron udhëzime, por gjithashtu viziton familjet në shtëpi kur është e nevojshme, sipas standardeve të Ministrisë së Shëndetësisë, duke siguruar që asnjë prind të mos ndihet i vetëm. Kjo qasje e integruar, që lidh vizitat në shtëpi dhe sesionet në grup brenda sistemit të kujdesit shëndetësor primar, u ofron familjeve mbështetje gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme.

Valmira tani inkurajon nënat e tjera të bashkohen. “U bëj thirrje të gjitha nënave, mos hezitoni. Do të mësoni si të rrisni fëmijën tuaj dhe si të përballoni sfidat me më shumë besim.”

Rrugëtimi i Valmirës nuk është vetëm për amësinë, por edhe dëshmi se si një sistem i fortë i kujdesit shëndetësor primar, përmes programeve si Vizitat në Shtëpi dhe kujdesi në grup për prindërim, shpëton jetë, fuqizon prindërit dhe ndihmon në zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijëve në të gjithë Kosovën. Kur kujdesi primar shëndetësor prioritetizohet, familjet si ajo e Valmirës përfitojnë më shumë se mbështetje shëndetësore: ato marrin udhëzime të besueshme në shtëpitë e tyre, mësim të përbashkët në komunitet dhe njohuri, besim dhe kujdes të përkushtuar që çdo fëmijë ka nevojë për një fillim sa më të mirë në jetë.