Kosova shënon progres të dukshëm në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve
Prishtinë, 25 mars 2026 – Kosova ka arritur përparim të konsiderueshëm në mbijetesën e fëmijëve, duke dëshmuar përkushtim të fortë të qeverisë ndaj politikëbërjes së bazuar në evidencë dhe programeve strategjike shëndetësore, sipas raportit të ri të publikuar nga Grupi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve (UN IGME).
Që nga viti 2015, shkalla e vdekshmërisë neonatale (NMR) në Kosovë është ulur me 36%, nga 10.3 në 6.6 vdekje për 1,000 lindje të gjalla, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën pesë vjeç (U5MR) ka rënë me 39%, nga 14.3 në 8.7 për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2024. Ky progres reflekton investime të qëndrueshme në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe zgjerimin e qasjes në shërbime cilësore për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Një shtyllë kryesore e suksesit të Kosovës ka qenë zgjerimi në gjithë vendin i Programit të Vizitave në Shtëpi, i cili filloi si pilot projekt në vitin 2014 dhe u zbatua në të gjitha komunat deri në vitin 2022, i mbështetur politika me një bazë të fortë ligjore. Integrimi i tij në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, prioritizimi në Strategjinë e Sektorit të Shëndetësisë 2025–2030 dhe në planin e kostuar të veprimit për Kujdesin Parësor Shëndetësor 2024–2026 siguruan zotërimin politik si dhe mbështetjen financiare të vazhdueshme nga Ministria e Shëndetësisë si dhe mbështetjen në nivel komunal.
“Jemi të lumtur që angazhimi dhe përkushtimi i profesionistëve tanë shëndetësorë, nga kujdesi parësor shëndetësor deri te gjinekologjia e neonatologjia, po reflektohen në rezultate konkrete. Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë politika të qëndrueshme, nga forcimi i kujdesit parësor shëndetësor te zgjerimi i shërbimeve për nënat dhe fëmijët, si dhe ka shtuar shërbime të reja në Klinikën e Neonatologjisë. Do të vazhdojmë të ndërmarrim politika të bazuara në evidencë, me qëllim që ky progres të vazhdojë edhe më tej” – tha Ministri i Shëndetësisë, Z. Arben Vitia.
I zbatuar në të gjithë Kosovën, me mbështetje afatgjatë nga Dukati i Madh i Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in në Kosovë, Programi i Vizitave në Shtëpi ofron casje të tragetuar për gratë shtatzëna, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, veçanërisht për grupet më të cenueshme. Në qendër të këtij suksesi janë infermierët në nivel komunal, roli i të cilave është thelbësor në arritjen e fëmijëve dhe familjeve në zonat më të largëta dhe rurale. Duke ofruar mbështetje në shtëpi, programi forcon shëndetin e nënës dhe fëmijës, mbështet kujdesin neonatal dhe promovon zhvillimin e hershëm të fëmijës. Këto veprime të koordinuara kanë luajtur një rol kritik në përmirësimin e rezultateve të mbijetesës së fëmijëve.
“Fëmijët janë në zemër të çdo shoqërie. Shëndeti, siguria dhe mirëqenia e tyre formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Të udhëhequr nga ky parim, Luksemburgu ka mbështetur me krenari iniciativa si Programi i Vizitave në Shtëpi, trajnimet për Udhëzuesin për Monitorimin e Zhvillimit të Fëmijës (GMCD) dhe Kujdesin në Grup për Prindërim,” tha Eric Dietz, Shef i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë.
Sipas raportit të UN IGME “Nivelet dhe Trendet në Vdekshmërinë e Fëmijëve 2025”, rreth 4.9 milionë fëmijë në mbarë botën vdiqën para se të mbushnin moshën pesë vjeç në vitin 2024, duke theksuar përparim afatgjatë global, ashtu edhe nevojën urgjente për të përshpejtuar përpjekjet për parandalimin e vdekjeve të fëmijëve. Përvoja e Kosovës ilustron se si politikat e bazuara në evidencë, investimet e qëndrueshme dhe ndërhyrjet e targetuara mund të japin rezultate të matshme.
“Shumë fëmijë janë gjallë sot falë përkushtimit ndaj zgjidhjeve të dëshmuara, si investimet e qëndrueshme në zhvillimin e hershëm të fëmijërisë, zgjedhjet e duhura të politikave, infermierët dhe mjekët e kualifikuar, mbështetja e targetuar për prindërit dhe forcimi i sistemeve shëndetësore të bazuara në evidencë,” tha Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko. “Ulja e vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve në një nivel rekord të ulët është një arritje e jashtëzakonshme. UNICEF është i përkushtuar të vazhdojë bashkëpunimin me të gjithë partnerët për të parandaluar regresin pas këtyre arritjeve dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët të mbijetojnë dhe të zhvillohen.”
Kosova vazhdon të prioritizojë barazinë në shëndetin e fëmijëve, duke shfrytëzuar strategji të bazuara në të dhëna dhe programe strategjike për të siguruar që të gjithë fëmijët të mbijetojnë dhe të zhvillohen, ndërkohë që kontribuon në luftën globale kundër vdekshmërisë së parandalueshme të fëmijëve.
Ndërsa përparimi i Kosovës është i dukshëm, trendet globale të vdekshmërisë nxjerrin në pah pabarazi të vazhdueshme në rezultatet e mbijetesës së fëmijëve. Raporti i UN IGME thekson se, pavarësisht rënies historike të vdekjeve të fëmijëve gjatë dekadave të fundit, përparimi është ngadalësuar në shumë pjesë të botës dhe një numër i madh vdekjesh të parandalueshme ende ndodhin, veçanërisht në vende me qasje të kufizuar në kujdesin dhe shërbimet thelbësore shëndetësore.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme