Mësime nga Kosova
Rrugëtimi i Taxhikistanit drejt përfshirjes së vaksinës kundër HPV
Kur 18 anëtarë të delegacionit të Taxhikistanit u nisën drejt Kosovës1, ata nuk sollën vetëm bagazhe. Ata sollën pyetje, pritshmëri dhe shpresa për mënyrën se si vendi i tyre mund të përfshijë me sukses vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV) në kalendarin e vaksinimit, të sigurojë qasje të barabartë, të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të mbrojë brezat e ardhshëm nga kanceri i qafës së mitrës.
Për Taxhikistanin, vend i cili ka filluar përgatitjet për përfshirjen e vaksinës kundër HPV-së, vizita në Kosovë ishte më shumë se një shkëmbim i njohurive teknike. Ishte një mundësi për të parë nga afër se si institucionet e Kosovës, me mbështetjen e UNICEF-it dhe partnerëve të tjerë, përfshinë vaksinën kundër HPV-së në kalendarin e rregullt të vaksinimit, tejkaluan sfidat e komunikimit dhe koordinimit për të mbrojtur fëmijët e tyre.
Kur 18 anëtarë të delegacionit të Taxhikistanit u nisën drejt Kosovës, ata nuk sollën vetëm bagazhe. Ata sollën pyetje, pritshmëri dhe shpresa për mënyrën se si vendi i tyre mund të përfshijë me sukses vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV) në kalendarin e vaksinimit, të sigurojë qasje të barabartë, të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të mbrojë brezat e ardhshëm nga kanceri i qafës së mitrës.
Për Taxhikistanin, vend i cili ka filluar përgatitjet për përfshirjen e vaksinës kundër HPV-së, vizita në Kosovë ishte më shumë se një shkëmbim i njohurive teknike. Ishte një mundësi për të parë nga afër se si institucionet e Kosovës, me mbështetjen e UNICEF-it dhe partnerëve të tjerë, përfshinë vaksinën kundër HPV-së në kalendarin e rregullt të vaksinimit, tejkaluan sfidat e komunikimit dhe koordinimit për të mbrojtur fëmijët e tyre.
Por disa nga mësimet më të rëndësishme erdhën jashtë sallave të takimeve. Në një qendër me bazë në komunitet në Fushë Kosovë, delegacioni takoi vullnetarë të komunitetit. Një nënë e cila u bë vullnetare përshkroi se si shkon derë më derë, duke biseduar me prindërit rreth vaksinës kundër HPV-së dhe parandalimit të kancerit të qafës së mitrës.
“Shpesh njerëzit kanë frikë,” shpjegoi ajo, “por kur u them se e vaksinova vajzën time, ata dëgjojnë.” Sinqeriteti i saj la një përshtypje të thellë tek delegacioni i Taxhikistanit, duke i kujtuar se besimi ndërtohet përmes lidhjes personale.
Ndërtimi i besimit përmes angazhimit
Në Kosovë, vaksinimi kundër HPV-së u ndesh me shumë pyetje Zgjidhja ishte përfshirja e figurave të besueshme: mjekë, mësimdhënës dhe udhëheqës fetarë. Delegacioni i Taxhikistanit pa shumë ngjashmëri me kontekstin e tyre. Siç reflekton Bakhtiryor Yunuszuda, Udhëheqës për Harmoni Fetare në Komitetin për Çështje Fetare të Taxhikistanit:
“Përfshirja direkte e mjekëve të trajnuar në xhami për të shpjeguar vaksinën kundër HPV-së mund të rrisë ndjeshëm ndërgjegjësimin dhe besimin. Ky qasje mund të ndikojë pozitivisht te vendimmarrësit familjarë dhe të përmirësojë mbulueshmërinë me vaksinim në Taxhikistan.”
Vizita studimore gjithashtu nxori në pah qasjen gjithëpërfshirëse. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptianë në Kosovë u përfshinë përmes OJQ-ve të krijuara nga vetë anëtarët e këtyre komuniteteve. Kjo u tregoi delegacionit të Taxhikistanit se shoqëria civile mund të luajë një rol thelbësor si urë midis politikave qeveritare dhe familjeve në terren.
Po aq e rëndësishme ishte strategjia e komunikimit e Kosovës. Prindërit u informuan një javë më parë përmes ftesave të qarta nga IKShPK dhe drejtuesit e shkollave që shpjegonin vaksinën, përfitimet e saj dhe efektet anësore, me informacion të shpërndarë gjithashtu në platforma digjitale si rrjetet sociale dhe aplikacioneve të komunikimit. Shkollat, institucionet shëndetësore dhe shoqatat e prindërve punuan së bashku për të përcjellë mesazhin, ndërsa figura të besueshme, nga mjekët te mësimdhënësit, shfaqeshin në media për të forcuar besueshmërinë. Takimet dhe sesionet e njëpasnjëshme me prindërit hezitues rezultuan veçanërisht efektive, duke kthyer dyshimin në vendim pozitiv të informuar.
Siç vuri në dukje Mahbuba Mamadatokhonova, Zyrtare për Ndryshim Social dhe të Sjelljes në Zyrën e UNICEF-it në Taxhikistan: “Strategjia e Kosovës për të informuar prindërit herët, duke përdorur platforma të thjeshta si grupet e mbyllura të rrjeteve sociale dhe takmet me prindërit hezitues, ishte një qasje praktike dhe e adaptueshme. Ajo forcoi idenë se ndërtimi i besimit kërkon si transparencë ashtu edhe empati — mësime që ne do t’i përshtatim me kujdes në Taxhikistan.”
Frymëzim në udhëheqje dhe bashkëpunim
Për Dr. Salahuddin Sadi, Zyrtar për programin e imunizimit në zyrën e OBSh-së në Taxhikistan, vizita ishte gjithashtu një burim frymëzimi:
“Çfarë më bëri përshtypje më së shumti ishte udhëheqja e Dr. Fetijes, Shefe e Programit të Imunizimit në Kosovë. Ajo na tregoi se sistemet e forta ndërtohen jo vetëm mbi protokolle, por edhe mbi udhëheqje të dhembshur. Na kujtoi se vaksinimi kundër HPV-së është më shumë se një ndërhyrje biomedikale; është një mundësi për të ndërtuar barazi, fuqizuar vajzat dhe forcuar besimin në sistemin shëndetësor.”
Në fund të vizitës, ndërsa delegacioni i Taxhikistanit dhe ekipi i UNICEF në Kosovë mblidheshin për të reflektuar, një temë dallohej mbi të gjitha:
“Kosova po udhëheq rrugën në mbrojtjen e vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës duke e bërë vaksinën kundër HPV-së universalisht të qasshme, me mbështetjen e GAVI-it. Në vitin e parë të përfshirjes së vaksinës në 2024, programi arriti mbi 85% të vajzave të targetuara. Ishte një kënaqësi dhe një sfidë e shpërblyeshme të bashkëpunojmë me partnerët për katër ditë, duke ndarë strategjitë dhe ndërhyrjet me kolegët nga Taxhikistani dhe duke theksuar çfarë e bëri futjen e vaksinës HPV në Kosovë të suksesshme,” tha Dafina Mucaj, Zyrtare për Shëndetësi dhe Ushqyeshmëri në UNICEF Kosovë.
Një rrugë përpara për Taxhikistanin
Udhëtimi përfundoi me mirënjohje, partneritete të reja dhe një ndjenjë qartësie për qëllimin dhe rrugën përpara. Për Taxhikistanin, përvoja në Kosovë nuk ishte vetëm për mësime teknike, por edhe për një vizion: se vaksinimi kundër HPV-së është një investim në parandalimin e kancerit, shëndetin e grave dhe barazinë.
Vizita tregoi se çështjet sensitive mund të adresohen përmes dialogut të hapur, se qasjet e drejtuara nga barazia mund të arrijnë edhe komunitetet më të cënueshme dhe se progresi i qëndrueshëm ndërtohet mbi partneritete të forta midis qeverisë, shoqërisë civile dhe komuniteteve. Me këto mësime, Taxhikistani është më i përgatitur për të ndërmarrë hapat e tij vendimtarë drejt mbrojtjes së brezave të ardhshëm.
Të gjitha referencat për Kosovën duhet të kuptohen duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.