Përgjigje në pyetjet më të zakonshme në lidhje me fruthin dhe vaksinën MMR
Udhëzime për prindërit mbi fruthit dhe vaksinën MMR
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus. Edhe pse shumë njerëz e njohin përmes skuqjes karakteristike të lëkurës, fruthi mund të shkaktojë gjithashtu temperaturë të lartë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Në raste të rënda, mund të çojë në encefalit (inflamacion i trurit), pneumoni, verbëri, dobësim të sistemit imunitar, si dhe në komplikime të rënda respiratore dhe neurologjike, dhe mund të jetë fatal.
Sa ngjitës është fruthi?
Fruthi është një nga virusët më ngjitëse – më ngjitës se COVID-19, gripi, variçela ose Ebola. Për çdo person të infektuar me fruth, 12 deri në 18 persona të tjerë mund të infektohen nëse janë të pavaksinuar. Është aq ngjitës, sa që deri në 90% e njerëzve të ekspozuar që nuk janë imunë infektohen gjithashtu. Kjo është një nga arsyet pse shpërthimet e fundit të fruthit janë përhapur kaq shpejt, sidomos në komunitetet me shkallë të ulët të vaksinimit.
Si përhapet fruthi?
Fruthi përhapet kur një person i infektuar kollitet ose teshtin. Të tjerët mund të infektohen duke thithur ajrin e kontaminuar ose duke prekur sipërfaqe të kontaminuara dhe më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën.
Virusi i fruthit mund të mbijetojë deri në dy orë në ajër ose në sipërfaqe.
Cilat janë simptomat e para të fruthit?
Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe përfshijnë temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe sy të skuqur e të përlotur. Skuqja karakteristike e fruthit shfaqet tre deri në pesë ditë pas shfaqjes së simptomave të para, duke filluar me njolla të sheshta të kuqe në fytyrë, që më pas përhapen në qafë, krahë dhe këmbë.
Sa i rrëzikshëm është fruthi?
Fruthi është një sëmundje shumë serioze dhe një nga sëmundjet më ngjitëse në botë. Në Rajonin e Evropës, gjatë vitit 2024, 60% e të infektuarve me fruth u hospitalizuan. Sëmundja është veçanërisht e rrezikshme për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar.
A janë të sigurt nga fruthi personat e shëndetshëm dhe pa sëmundje kronike?
Jo. Komplikimet nga fruthi mund të prekin këdo dhe nuk është gjithmonë e parashikueshme kush do të ketë pasoja më të rënda. Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër fruthit, me dy doza që ofrojnë më shumë se 97% mbrojtje.
Sa është shkalla e hospitalizimit tek personat e infektuar me fruth?
Gjatë vitit 2024, më shumë se gjysma e të infektuarve me fruth në Rajonin e Evropës u hospitalizuan. Fruthi nuk është thjesht një sëmundje e lehtë e fëmijërisë – është një sëmundje serioze dhe potencialisht vdekjeprurëse që shpesh kërkon kujdes spitalor. Rreziku i hospitalizimit varet nga faktorë të tillë si mosha dhe shëndeti i përgjithshëm i individit.
A mbrojnë suplementet e vitaminës A nga fruthi?
Kur bëhet fjalë për uljen e rrezikut të infektimit dhe zhvillimit të komplikimeve nga fruthi, nuk ka asnjë zëvendësues për vaksinimin. Kjo përfshin edhe vitaminën A. Është e vërtetë që mungesa e vitaminës A është një faktor rreziku për zhvillimin e komplikimeve të fruthit. Është gjithashtu e vërtetë se, nëse një individ kontrakton fruthin, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon administrimin e dy dozave të larta të vitaminës A për të ndihmuar në uljen e rrezikut. Megjithatë, edhe në popullatat me një prevalencë të lartë të mungesës së vitaminës A, suplementimi nuk zëvendëson vaksinimin.
Cilat janë ndërlikimet më të shpeshta të fruthit?
Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, si ato në Evropë dhe Azi Qendrore, nga çdo 1,000 raste me fruth, një deri në dy persona humbin jetën. Përveç kësaj, një në 1,000 raste do të zhvillojë encefalit, inflamacion të trurit. Ndërkohë, nga çdo 1,000 fëmijë që kontraktojnë fruthin, 70 deri në 90 do të zhvillojnë infeksion të veshit, 80 do të zhvillojnë diarre dhe 10 deri në 60 do të zhvillojnë pneumoni, një infeksion i mushkërive që mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël.
Sa njerëz vdesin nga fruthi çdo vit?
Para futjes së vaksinës kundër fruthit, rreth 2.6 milionë njerëz në mbarë botën vdisnin çdo vit nga fruthi. Këto shifra ranë ndjeshëm pas zbatimit në shkallë të gjerë të vaksinimit. Megjithatë, njerëzit vazhdojnë të vdesin nga fruthi – shumica dërrmuese fëmijë të pavaksinuar. Në vitin 2023, rreth 107,500 persona vdiqën nga fruthi, shumica prej tyre fëmijë nën moshën pesë vjeç.
Cili është rreziku i vdekjes nga fruthi?
Rreziku i vdekjes nga fruthi ndryshon në varësi të popullatës dhe moshës së personit. Në përgjithësi, në popullatat me qasje të mirë në kujdesin shëndetësor, një në çdo 500 deri në 1,000 raste me fruth përfundon me vdekje. Në vendet me të ardhura më të ulëta, rreziku është shumë më i lartë: për çdo 1,000 fëmijë të infektuar, 30 deri në 60 prej tyre vdesin. Ndër fëmijët nën moshën pesë vjeç, rreth 2.2 për qind e të infektuarve vdesin. Në disa popullata – si fëmijët e zhvendosur, të cilët ka të ngjarë të mos jenë të vaksinuar – shpërthimet kanë treguar një normë vdekshmërie deri në 32 për qind të të infektuarve me fruth.
Cila është shkalla e vdekshmërisë nga fruthi në Evropë në vitin 2024?
Deri më tani, për vitin 2024 janë raportuar 24 vdekje. Megjithatë, ky numër ka të ngjarë të jetë i nënvlerësuar për shkak të vonesave në raportim dhe nëndiagnostikimit. Shumë prej vdekjeve nga fruthi shkaktohen nga komplikime të tilla si pneumonia ose encefaliti, të cilat jo gjithmonë regjistrohen si vdekje të drejtpërdrejta nga fruthi. Gjithashtu, mbi 40 për qind e rasteve të raportuara në Rajonin e Evropës – mbi 45,000 raste – kanë qenë te fëmijët nën moshën pesë vjeç, të cilët janë më të rrezukuar nga komplikimet e rënda dhe vdekja.
A është e vërtetë që fruthi mund të ndikojë në imunitetin tonë ndaj sëmundjeve të tjera?
Po, fruthi mund të ketë një ndikim në sistemin imunitar. Kërkimet tregojnë se fruthi mund të fshijë kujtesën imunitare të infeksioneve dhe vaksinimeve të mëparshme, një gjendje e njohur si "amnezia imunitare." Kjo do të thotë që sistemi imunitar harron si të luftojë patogjenët që ka hasur më parë, duke rritur ndjeshmërinë ndaj infeksioneve. Në një studim me fëmijë të pavaksinuar të infektuar me fruth, u zbulua se virusi zhdukte nga 11 deri në 73 për qind të antitrupave ekzistues. Disa shkencëtarë vlerësojnë se, para se të ishte në dispozicion vaksina, deri në 50 për qind të vdekjeve të fëmijëve nga sëmundjet infektive mund të ishin pjesërisht pasojë e "amnezisë imunitare" të shkaktuar nga fruthi. Studime në Evropë dhe ShBA kanë treguar se, pas shpërthimeve të fruthit, vdekshmëria e përgjithshme e fëmijëve mbetet më e lartë se normalja për dy deri në tre vjet.
Nëse dikur të gjithë e kalonin fruthin, pse sot kemi frikë prej tij?
Miliona fëmijë nuk i mbijetuan sëmundjes ose pësuan komplikime afatgjata, si humbje të dëgjimit, humbje të shikimit, dëmtime të veshkave, sëmundje të mëlçisë, dëmtime të trurit dhe koma. Vlerësohet se gjatë 50 viteve të fundit, vaksina kundër fruthit ka shpëtuar 94 milionë jetë, shumica dërrmuese e tyre fëmijë.
Kur u prezantua vaksina MMR?
Vaksina MMR, e cila ofron mbrojtje kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, është bërë e disponueshme që nga viti 1971. Shytat, që në rreth një të tretën e rasteve mund të jenë asimptomatike, mund të çojnë në dëmtime nervore dhe encefalit. Rubeola, e njohur gjithashtu si fruthi gjerman, mund të shkaktojë defekte të rënda të lindjes tek gratë shtatzëna. Vaksina MMR është dëshmuar të jetë shumë e sigurt dhe efektive. Gjatë më shumë se 50 viteve që nga përfshirja e saj, dhjetëra miliona foshnja dhe fëmijë janë monitoruar dhe studiuar për të vlerësuar si efektet e menjëhershme, ashtu edhe ato afatgjata të vaksinës.
Cili ka qenë ndikimi i vaksinës?
Që nga fillimi i Programit të Zgjeruar të Imunizimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 1974, miliona jetë janë shpëtuar. Vlerësohet se gjatë 50 viteve të fundit, vaksina kundër fruthit ka shpëtuar rreth 94 milionë jetë, kryesisht të fëmijëve të vegjël. Përmirësimi i mbulimit vaksinor dhe futja e skemës me dy doza (në vend të një të vetme) kanë ndihmuar në uljen e mëtejshme të vdekjeve nga fruthi. Ndërsa në vitin 2000 më shumë se 800,000 njerëz humbën jetën nga fruthi në mbarë botën, deri në vitin 2022 ky numër ishte reduktuar në më pak se një të tetën.
Megjithatë, rritja e hezitimit ndaj vaksinimit dhe rënia e shkallës së vaksinimit gjatë pandemisë kanë ngadalësuar progresin. Vetëm në vitin 2023, rreth 500,000 fëmijë në 53 vende të Evropës dhe Azisë Qendrore humbën dozën e parë të vaksinës kundër fruthit. Si pasojë, në vitin 2024 Rajoni i Evropës regjistroi numrin më të lartë të rasteve të fruthit në më shumë se 25 vjet.
Pse disa njerëz nuk vaksinohen?
Për shkak se shumica e shteteve rekomandojnë dozën e parë të vaksinës MMR rreth moshës njëvjeçare, foshnjat nën këtë moshë zakonisht nuk vaksinohen. Po ashtu, një numër i vogël i individëve me imunitet të dobët nuk rekomandohet të marrin vaksinën. Përveç këtyre kategorive, njerëzit mund të vendosin të mos vaksinohen për arsye të ndryshme. Disa nuk vaksinohen për shkak të keqkuptimeve rreth vaksinës. Shpesh, komunitetet e margjinalizuara, që kanë qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore, siç janë komunitetet rom, kanë shkallë më të ulët vaksinimi. Përhapja e vazhdueshme e dezinformatave rreth vaksinave, veçanërisht tani përmes mediave sociale, bën që shumë familje të zgjedhin të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre bazuar në pretendime të pasakta.
Pse rekomandohen sot dy doza të vaksinës MMR?
Doza e parë e vaksinës ofron rreth 93% imunitet, ndërsa dy doza japin më shumë se 97 për qind. Ndërsa ky ndryshim mund të duket i vogël, rezulton në miliona fëmijë të tjerë të mbrojtur çdo vit kur marrin dy doza në vend të një.
Kur duhet të vaksinohen fëmijët me vaksinën MMR?
Kalendari i vaksinimit ndryshon sipas vendit në varësi të sëmundjeve më të përhapura, si dhe faktorëve individualë të rrezikut të fëmijës. Në përgjithësi, në Rajonin e Evropës, vaksinimi i parë rekomandohet rreth moshës 12 muajshe.
Çfarë efektesh anësore shkakton vaksina MMR?
Shumica e fëmijëve që marrin vaksinën MMR nuk përjetojnë asnjë efekt anësor. Megjithatë, efektet e përkohshme dhe të zakonshme mund të përfshijnë ënjtje të lehtë, dhimbje në vendin e injektimit ose temperaturë. Këto efekte kalojnë shpejtë dhe janë shumë më pak të rënda se komplikimet e rrezikshme të fruthit, shytave ose rubeolës.
Po në lidhje me vonesat dhe çrregullimet e zhvillimit?
Shumica dërrmuese e shkencëtarëve pajtohen se vaksina MMR nuk shkakton vonesa apo çrregullime zhvillimore, përfshirë autizmin. Ju mund ta keni dëgjuar këtë ide më parë, por ajo e ka origjinën nga një punim i vitit 1998, i cili më vonë është tërhequr për shkak të gabimeve të shumta. Gjetjet e këtij studimi janë hedhur poshtë disa herë nga studime të mirëfillta. Që atëherë, shkencëtarët kanë ndjekur zhvillimin e qindra mijëra fëmijëve në mbarë botën pas marrjes së vaksinës MMR. Asnjë studim kredibil nuk ka gjetur prova të ndonjë lidhjeje midis vaksinës MMR dhe autizmit. Për shembull, një studim i realizuar në Danimarkë me 537,303 fëmijë zbuloi se fëmijët e vaksinuar nuk kishin më shumë gjasa të zhvillonin autizëm sesa fëmijët e pavaksinuar. Një studim tjetër me 535,544 fëmijë të vaksinuar në Finlandë nuk gjeti asnjë prirje për diagnostikim me autizëm pas vaksinimit me MMR. Shumë studime të tjera në shkallë të gjerë kanë arritur në të njëjtin përfundim.
A e mbingarkojnë vaksinat sistemin imunitar të foshnjës?
Jo. Vaksinat nuk e mbingarkojnë sistemin imunitar të foshnjës. Në fakt, edhe kur administrohen disa vaksina në të njëjtën kohë, numri i antigjeneve të pranishëm në vaksina është shumë më i vogël në krahasim me mikrobet (bakteret dhe viruset) me të cilat foshnjat përballen çdo ditë në mjedisin e tyre. Sistemi imunitar i foshnjës është ndërtuar për të përballuar shumë më tepër antigjene sesa ato që përmbajnë vaksinat. Studimet tregojnë se fëmijët e vaksinuar kanë nivele të ngjashme të ekspozimit ndaj antigjeneve si fëmijët e pavaksinuar, duke dëshmuar se vaksinat nuk e dobësojnë sistemin imunitar, por përkundrazi e forcojnë atë për të luftuar infeksionet.
Çfarë përmban vaksina MMR?
Ashtu si të gjitha vaksinat, vaksina MMR përmban një antigjen që trajnon sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar sëmundjen në të ardhmen. Vaksina MMR, në veçanti, përmban viruse të gjalla, të dobësuara, të cilat nuk shkaktojnë sëmundje te individët e shëndetshëm, por stimulojnë një imunitet të fortë dhe afatgjatë.
A është më mirë të fitosh imunitet në mënyrë "natyrale", përmes infektimit me fruthin?
Jo. Imuniteti i fituar nga kontraktimi i një sëmundjeje mund të jetë më i dobët dhe mund të mos zgjasë aq sa imuniteti i fituar nga përgjigjja natyrale e trupit ndaj vaksinimit. Përveç kësaj, vetë infeksioni paraqet rreziqe serioze për shëndetin.
Çfarë është imuniteti i tufës?
Imuniteti i tufës arrihet kur një përqindje e lartë e popullsisë vaksinohet kundër një sëmundjeje, duke e vështirësuar përhapjen e saj. Kjo mbron edhe individët që nuk mund të vaksinohen, si foshnjat ose personat me sistem imunitar të dobësuar. Për fruthin, rreth 95% e popullsisë duhet të jetë e vaksinuar për të arritur imunitetin e tufës. Ky fenomen ndihmon në parandalimin e shpërthimeve dhe, në disa raste, në çrrënjosjen e plotë të sëmundjes.
A ka përfitime nga shtyerja e vaksinimit të fëmijës?
Jo. Nuk ka asnjë përfitim nga vonimi i vaksinave; përkundrazi, kjo rrit rrezikun që fëmija të preket nga sëmundje të rënda. Çdo vonesë e vaksinimit e lë fëmijën të pambrojtur dhe shton rrezikun e përhapjes së infeksioneve edhe te personat që nuk mund të vaksinohen. Është e rëndësishme të ndiqet kalendari i vaksinimit dhe të konsultoheni me mjekun familjar për çdo paqartësi.
A mund të plotësohen vaksinat e humbura nëse nuk janë marrë në kohën e rekomanduar?
Për shumicën e vaksinave, nuk është kurrë vonë për t'u vaksinuar. Konsultohuni me mjekun familjar për të përcaktuar mënyrën më të mirë për të marrë dozat e humbura.