11,000 vizita në shtëpi. Mijëra rrahje zemre. Një mision.
Si fjalët dhe veprimet e infermieres Mirnije e shndërrojnë ushqyerjen me gji në përgjegjësi të përbashkët
Në Fushë Kosovë, katër infermiere të Programit të Vizitave në Shtëpi sjellin kujdes profesional, besim dhe këshilla për nënat e reja, duke e bërë ushqyerjen me gji një përgjegjësi të përbashkët të gjithë familjes.
Infermierja Mirnije di si të arrijë te familjet që të tjerët mund ta kenë të vështirë t’i arrijnë.
Ajo pershkon rrugicat e ngushta dhe lagjet rurale të Fushë Kosovës, duke mbajtur me vete peshoren, mjetet për matje, udhëzime shëndetësore dhe autoritetin e qetë që vjen nga më shumë se një dekadë pune në shtëpitë e familjeve, në disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tyre.
Që kur u bë infermiere e Programit të Vizitave në Shtëpi në vitin 2014, infermierja Mirnije ka qenë pjesë e më shumë se 11,000 vizitave. Pas këtij numri fshihen mijëra foshnja, rrahjet e zemrës së të cilave ajo i ka kontrolluar, nëna që i ka qetësuar dhe familje që i ka udhëzuar për ushqyerjen me gji, vaksinimin e plotë, kontrollet e rregullta shëndetësore, ushqyerjen dhe kujdesin e përgjegjshëm gjatë viteve të para të jetës së fëmijës.
Ajo nuk punon e vetme. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ajo është pjesë e një ekipi me infermieret Nerxhivane, Aleksandrina dhe Nita – katër profesioniste me përvojë, të cilat ndajnë detyrat gjatë çdo vizite, por bashkohen nga i njëjti qëllim: të sigurojnë që çdo i porsalindur, përfshirë edhe ata nga komunitetet më të margjinalizuara, të ketë një fillim të shëndetshëm në jetë.
PSE ËSHTË E RËNDËSISHME KJO MBËSHTETJE
Sipas të dhënave të publikuara nga Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Kosovë (MICS), vetëm 29 për qind e foshnjave nën moshën gjashtë muaj ushqehen ekskluzivisht me gji, ndërsa vetëm 32 për qind fillojnë ushqyerjen me gji brenda orës së parë pas lindjes. Këshillimi profesional dhe praktik, i ofruar në institucionet shëndetësore, në komunitet dhe në shtëpi, është një nga qasjet e dëshmuara që promovohet edhe gjatë Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji 2026.
Momenti kur fuqizohet besimi
Gjatë Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji, ekipi viziton Arditën, një nënë 25-vjeçare që solli në jetë një djalë tre javë më parë. Djali i saj ushqehet ekskluzivisht me gji. Për Arditën, një moment i vogël pas lindjes kishte një domethënie të jashtëzakonshme: ajo vuri re se bluza e saj ishte lagur nga qumështi i gjirit.
"U gëzova shumë kur pashë se më kishte ardhur qumështi. E dija se mund ta ushqeja me gji djalin tim dhe t’i jepja ushqimin e tij të parë dhe më të rëndësishëm."
— Ardita, nënë e një djali trejavësh
Infermieret fillimisht dëgjojnë. Më pas vëzhgojnë foshnjën, kontrollojnë rritjen dhe zhvillimin fizik, u përgjigjen pyetjeve dhe shpjegojnë se çfarë mund të presë nëna. Këshillat e tyre janë praktike: si ta vendosë foshnjën në pozicionin e duhur, si ta kuptojë nëse ushqyerja po zhvillohet si duhet, kur duhet të kërkojë ndihmë dhe pse qumështi i gjirit siguron ushqimin dhe mbrojtjen më të mirë për të porsalindurin.
Siguria që ato përcjellin është po aq e rëndësishme sa kontrolli klinik. Në javët e para pas lindjes, pasiguria mund të shndërrohet shpejt në frikë. Prania e një infermiereje të besuar në pragun e shtëpisë mund ta ndihmojë një nënë të mos ndihet e vetme përballë një vështirësie dhe ta mbështesë që të vazhdojë ushqyerjen me gji edhe kur dyshimet, shqetësimet apo këshillat e gabuara mund ta shtyjnë të heqë dorë.
Katër infermiere, një vizitë e koordinuar
Ekipi vazhdon më pas vizitat tek dy nëna të tjera të reja nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Njëra kujdeset për Ubejtin, vetëm një javësh. Tjetra është nëna e Lianës, tre javëshe. Për të dyja nënat, që jetojnë nën të njëjtën çati, infermieret janë më shumë se profesioniste shëndetësore. Ato janë njerëz të besueshëm, me të cilët mund të flasin hapur, që dëgjojnë pa paragjykim dhe këshillat e të cilave gëzojnë besim.
Secila infermiere ka rolin e saj. Infermierja Mirnije udhëheq bisedën dhe u përgjigjet shqetësimeve të nënës. Infermierja Nerxhivane kontrollon dhe mat me kujdes trupin dhe gjymtyrët e foshnjës. Aleksandrina dhe Nita bisedojnë me anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë edhe vjehrrën, e cila qëndron pranë, dëgjon me vëmendje dhe herë pas here ndan edhe përvojën e saj.
Kjo skenë tregon një mësim thelbësor nga puna e tyre: mbështetja për ushqyerjen me gji nuk mund të kufizohet vetëm te nëna. Në familjet e zgjeruara, gjyshërit, baballarët dhe të afërmit e tjerë ndikojnë në vendimet e përditshme. Ata mund ta ndihmojnë nënën të pushojë dhe ta ushqejë foshnjën, ta inkurajojnë kur ushqyerja me gji bëhet sfiduese, të ndihmojnë me punët e shtëpisë dhe të mbrojnë ate nga presioni apo keqinformimi.
Pikërisht për këtë arsye, infermieret krijojnë hapësirë për të gjithë. Ato shpjegojnë rëndësinë e ushqyerjes me gji për të gjithë familjen, përfshirë edhe personin që konsiderohet vendimmarrësi kryesor në familje. Ato bashkojnë gjithë familjen rreth nënës dhe foshnjës. Në fjalët dhe veprimet e infermieres Mirnije, ushqyerja me gji bëhet përgjegjësi e të gjithëve.
Besim i ndërtuar derë më derë
Nën udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Programi i Vizitave në Shtëpi u themelua në Kosovë në vitin 2014 me mbështetjen e UNICEF-it dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe zbatohet nga ekipet e kujdesit shëndetësor parësor. Sot, ai është plotësisht i integruar në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor dhe funksionon në të gjitha komunat e Kosovës.
Deri në fund të vitit 2025, infermieret kishin realizuar 252,296 vizita në shtëpi, përfshirë 215,180 vizita për fëmijët nën moshën tre vjeç dhe 37,116 vizita për gratë shtatzëna në mbarë Kosovën, duke ofruar drejtpërdrejt në familjet e tyre këshillim dhe mbështetje për ushqyerjen me gji, vaksinimin, ushqyerjen, prindërimin, zhvillimin e fëmijës dhe mirëqenien e familjes.
Tema e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji 2026 – "Ushqyerja me gji për një fillim të qëndrueshëm në jetë: Të forcojmë atë që funksionon" – përshkruan pikërisht atë që shihet në Fushë Kosovë. Ajo që funksionon nuk është një këshillë e dhënë vetëm një herë e më pas e harruar. Është mbështetja profesionale që fillon herët, rikthehet sa herë që nevojitet, përfshin familjen dhe arrin tek nënat aty ku jetojnë.
Puna e infermieres Mirnije shtrihet përtej vizitave të planifikuara. Ajo flet me njerëzit në komunitet, i njeh familjet në rrugë dhe njihet prej tyre. Prindërit e përshëndesin me ngrohtësi. Vlerësimi për gjykimin e saj profesional është fituar përmes viteve të pranisë, vazhdimësisë dhe përkushtimit. Kur ajo u shpjegon familjeve pse ushqyerja me gji, vaksinimi apo kontrollet mjekësore janë të rëndësishme, ata e dëgjojnë.
Për infermieren Mirnije, çdo ditë është ditë e ushqyerjes me gji. Çdo ditë do të thotë të përshkojë një tjetër rrugë të ngushtë, të hyjë në një tjetër shtëpi me pajisjet e saj, t’i përgjigjet një tjetër pyetjeje plot shqetësim dhe të ndihmojë një tjetër familje të kuptojë se një fillim i shëndetshëm në jetë ndërtohet përmes shumë vendimeve të vogla, por të informuara.
Në fund të ditës, ajo kthehet në shtëpi e lodhur, por e përmbushur. Zemra e saj, siç thotë vetë, është plot gëzim dhe krenari. Përshëndetjet që merr në rrugët e Fushë Kosovës janë dëshmi e një ndikimi që nuk mund të matet vetëm me numrin e vizitave: por me besimin e një komuniteti. Kjo është fuqia e një infermiereje.