Të kultivojmë zakone të gjelbra për një të ardhme më të qëndrueshme

#PërÇdoFëmijë, iniciativa për mbrojtjen e klimës

UNICEF
English
UNICEF/2026 - Drilona Behrami, mësuese në "Shkollën e Gjelbër" në Prishtinë
05 Qershor 2026

Zërat e gëzuar të fëmijëve mbushin korridoret e Shkollës së Gjelbër në Prishtinë, një hapësirë ku energjia, kreativiteti dhe kujdesi për mjedisin ndihen në çdo cep. Brenda saj, shkolla ngjan më shumë me një kopsht të gjallë botanik sesa me një ndërtesë të zakonshme arsimore. Bimët e gjelbra zbukurojnë ambientet, ndërsa mesazhet për mbrojtjen e natyrës dhe klasat që promovojnë sjellje të përgjegjshme ndaj mjedisit i shoqërojnë nxënësit në çdo hap të ditës së tyre.

Në zemër të kësaj nisme është Drilona Behrami, mësuesja e lëndës zgjedhore “Mbrojtja e Mjedisit Jetësor”, e cila i pret vizitorët me buzëqeshje dhe me një pasion të veçantë për edukimin mjedisor. Prej afro nëntë vitesh, ajo po i ndihmon nxënësit të kuptojnë se edhe veprimet më të vogla të përditshme në shkollë, në shtëpi apo në komunitet, mund të japin një kontribut të madh për mbrojtjen e planetit. Ajo beson se çdo fëmijë duhet jo vetëm ta njohë botën që do ta trashëgojë, por edhe të ndiejë përgjegjësi për ta formësuar atë në mënyrë pozitive.

“Në Kosovë, fëmijët dhe të rinjtë kontribuojnë shumë pak në ndryshimet klimatike, por janë ndër ata që i ndiejnë më së shumti pasojat e ndotjes së ajrit dhe temperaturave ekstreme. UNICEF-i, së bashku me partnerët, po punon për t’i pajisur nxënësit me njohuritë dhe shkathtësitë që u duhen për të mbrojtur të ardhmen e tyre”, tha Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko. 

English
UNICEF/2026

Drilona është njëra nga 300 mësimdhënësit/et që janë trajnuar nga Fakulteti i Edukimit përmes udhëzuesit “Mëso Gjelbër”, i zhvilluar me mbështetjen e UNICEF-it dhe i akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Programi zbatohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me mbështetjen bujare të Qeverisë së Suedisë përmes SIDA-s. Deri më tani, ky program ka përfshirë mbi 8,000 nxënës në mbarë Kosovën.

Kjo nismë pasqyron përkushtimin e përbashkët për t’i fuqizuar fëmijët dhe të rinjtë me njohuritë, vlerat dhe mjetet që u nevojiten për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Përkrahja afatgjatë e Suedisë për të drejtat e fëmijëve, arsimin cilësor, veprimin klimatik dhe fuqizimin e të rinjve ka krijuar mundësi që ata të bëhen pjesë aktive e ndërtimit të një shoqërie më të gjelbër dhe më rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas B. Westerlund, theksoi: “Ky projekt frymëzues tregon në mënyrën më të bukur se si kultivimi i zakoneve të gjelbra tek fëmijët që sot mund të shndërrohet në një përkushtim të përjetshëm për mbrojtjen e planetit tonë.”

Pikërisht kjo filozofi e frymëzoi një nga iniciativat më të thjeshta, por edhe më të suksesshme të Drilonës: “inspektorët e shkollës”. Në fund të çdo ndërrimi, nxënës të përzgjedhur ecin nëpër korridore dhe klasa me lista kontrolli në duar. Ata vëzhgojnë ndryshimet, identifikojnë çfarë duhet zëvendësuar, raportojnë materialet e dëmtuara dhe sigurohen që klasat të jenë të pastra dhe të rregulluara.

English
UNICEF/2026

Në vend që qëndrueshmërinë ta trajtojë vetëm si teori, Drilona e lidh atë me jetën e përditshme të nxënësve. Kjo qasje praktike është një nga arsyet pse ajo e vlerëson aq shumë udhëzuesin për Shkathtësitë e Gjelbra.

“Ky udhëzues është jashtëzakonisht praktik,” thotë ajo. “Ai ofron dhjetëra shembuj që mësimdhënësit mund t’i përdorin menjëherë në klasë, duke i kthyer konceptet mjedisore në veprime konkrete të përditshme.”

Me rastin e Ditës Botërore të Ujit në mars, ajo nisi një sfidë të thjeshtë, por shumë domethënëse.

Që nga janari, nxënësit vendosën tabela monitorimi në dyert e shtëpive të tyre. Për tre muaj rresht, familjet regjistruan kohën që kalonin në dush, duke i ndihmuar fëmijët të reflektonin mbi sasinë e ujit që mund të shpërdorohet pa e kuptuar.

Kur u rikthyen në klasë në mars, nxënësit krahasuan rezultatet dhe diskutuan se çfarë kishin ndryshuar në zakonet e tyre.

“Kur fëmijët mund t’i matin vetë sjelljet e tyre, mësimi bëhet shumë më i praktik dhe më kuptimplotë,” shprehet ajo.

Trajnimi ka ndikuar edhe në mënyrën se si Drilona organizon mësimin. Orët e saj shpesh përfshijnë eksperimente, diskutime në grup, lojëra dhe projekte që lidhen drejtpërdrejt me lagjet dhe shtëpitë e nxënësve.

“Kështu temat bëhen më interesante. Fëmijët duhet ta shohin lidhjen mes asaj që mësojnë në klasë dhe jetës së tyre të përditshme,” shpjegon ajo.

English
UNICEF/2026

Megjithatë, sipas saj, gjithmonë ka vend për përmirësim.

“Do të doja të kishim më shumë video dhe materiale vizuale të përshtatura për fëmijët. Procesi i të nxënit bëhet më efektiv kur kombinohen metoda dhe forma të ndryshme mësimdhënieje,” thekson Drilona.

Rezultatet e kësaj pune tashmë po shihen qartë.

Nxënësit shpesh kthehen në shkollë me histori se si u kujtojnë prindërve dhe familjarëve të kursejnë ujin, të fikin dritat kur nuk nevojiten apo të mendojnë më me kujdes për menaxhimin e mbeturinave.

Për Drilonën, ky është suksesi më i madh që mund të ketë edukimi.

Ajo beson se ky model duhet të zgjerohet përtej një shkolle të vetme. Mësimdhënësit, sipas saj, janë ndër faktorët më të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes dhe nxitjen e ndryshimit. Vlerat që kultivohen sot në klasë do të përcaktojnë mënyrën se si brezat e ardhshëm do të kujdesen për komunitetet e tyre, për mjedisin dhe për mirëqenien e përgjithshme.

“Nëse i mësojmë këto vlera që në moshë të hershme, ato bëhen pjesë e natyrshme e karakterit të tyre,” përfundon ajo.

Për Drilonën, t’i ndihmosh nxënësit të kuptojnë sfidat mjedisore nuk do të thotë vetëm t’u japësh informacion. Do të thotë t’i pajisësh me njohuritë, shkathtësitë dhe besimin se ata mund të jenë pjesë e zgjidhjes dhe të mbrojnë të ardhmen e tyre.