Nga një kopsht i vogël drejt një të ardhmeje të përbashkët
Kur Sado flet për vendin ku nisi kujdesi e tij për mjedisin, ai nuk fillon me politika apo programe. Ai fillon me një kopsht.
Kur Sado flet për vendin ku nisi kujdesi e tij për mjedisin, ai nuk fillon me politika apo programe. Ai fillon me një kopsht.
Si fëmijë, i rritur në Istog, Sado kalonte orë të tëra pranë babait të tij, Sadriut, duke mbjellë fara e ujitur kopshtin dhe duke u kujdesur për hapësirën e vogël të gjelbër rreth shtëpisë së tyre. Ato momente ishin të thjeshta, pothuajse të zakonshme, por në heshtje formësuan mënyrën se si ai do ta shihte botën. Natyra nuk ishte diçka e largët apo abstrakte; ishte diçka për të cilën kujdesesh çdo ditë. Diçka që, në këmbim, të lejon të marrësh frymë.
Kjo lidhje e hershme e shoqëroi edhe teksa u rrit. Ajo u shndërrua në respekt për natyrën, për vendin ku jeton dhe për ajrin që të gjithë frymojmë.
Sado Musić është 18 vjeç. Ai vjen nga komuniteti boshnjak, është student i dizajnit grafik, animator, me një buzëqeshje të ngrohtë e të dallueshme. Ai është themelues i Komikos, një studio arti e përqendruar në krijimin e komikëve kreativë në Kosovë, por mbi të gjitha, është një i ri që beson thellësisht në punën në komunitet, pavarësisht se ku ndodhet ai komunitet.
Rrugëtimi i tij mori kahje edhe përmes Youth4CleanAir, një iniciativë e udhëhequr nga të rinjtë me mbështetjen e Peer Educators Network (PEN), e zbatuar nga UNICEF Kosova në partneritet me Ambasadën e Suedisë. Kjo iniciativë fuqizon të rinjtë nga prejardhje të ndryshme që të punojnë së bashku për agjendën e gjelbër, duke adresuar ndotjen e ajrit, ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që forcon lidershipin dhe përfshirjen e të rinjve.
Edhe pse Sado vjen nga Istogu, ai zgjodhi të investojë kohën dhe energjinë e tij në Vitomiricë, një komunitet i vogël dhe shpesh i anashkaluar jo larg Pejës. Me disa qindra të rinj, Vitomirica kishte mundësi të kufizuara dhe pak hapësira të përbashkëta ku të rinjtë mund të ndiheshin pjesë e diçkaje, pa u shqetësuar për para, status apo nëse përshtateshin apo jo.
“Të rinjtë kanë nevojë për vende ku mund të çlodhen, të ndihen të rëndësishëm dhe të përfshirë,” thotë Sado. “Hapësira ku të gjithë përkasin.”
Përmes Youth4CleanAir, Sado punoi krah për krah me të rinj boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë dhe shqiptarë, duke mësuar drejtpërdrejt se si veprimi mjedisor mund të shërbejë edhe si urë lidhëse mes komuniteteve. Ajo që nisi si pjesëmarrje, shpejt u shndërrua në lidership. Fillimisht si udhëheqës i ekipit dhe më pas si mentor, ai mësoi si të bashkëpunojë, të marrë përgjegjësi dhe të udhëheqë të tjerët, duke ndarë njohuritë e tij në mënyrë të hapur.
Një projekt, në veçanti, përmbledh rrugëtimin e tij.
Së bashku me të rinj të tjerë në Vitomiricë, Sado ndihmoi në transformimin e një parku të lënë pas dore në një hapësirë të gjelbër dhe mikpritëse për gjithë komunitetin. Grupi nuk mbolli pemë vetëm për zbukurim; ato u mbollën strategjikisht përgjatë rrugës për të ndihmuar në uljen e ndotjes nga makinat që kalonin. Ishin të rinjtë ata që identifikuan një problem që ndikonte në jetën e tyre të përditshme dhe përdorën aftësitë e reja të gjelbra për të projektuar dhe zbatuar një zgjidhje.
Kjo ndjenjë pronësie solli diçka më të madhe.
Kur anëtarët e komunitetit dhe udhëheqësit lokalë panë se çfarë po bënin të rinjtë, ata i’u bashkuan iniciativës, duke sjellë kamionë dhe mjete pune. Ajo që nisi si një iniciativë e të rinjve u shndërrua në një përpjekje kolektive, duke treguar se sa i fuqishëm mund të jetë besimi tek të rinjtë si vendimmarrës, jo vetëm si pjesëmarrës.
Kjo qasje pasqyron punën më të gjerë të UNICEF-it në Kosovë, ku sfidat mjedisore ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Sipas Analizë mbi gjendjen klimatike për fëmijë | UNICEF Kosovo Programme ndotja e ajrit dhe rreziqet e lidhura me klimën përbëjnë kërcënim serioz për fëmijët, veçanërisht për më të cenueshmit, duke e bërë veprimin mjedisor të udhëhequr nga të rinjtë jo vetëm të rëndësishëm, por urgjent.
Përtej projekteve, Youth4CleanAir është pjesë e angazhimit më të gjerë të UNICEF-it për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të jenë të pajisur, të mbrojtur dhe të mbështetur për t’u bërë agjentë aktivë të ndryshimit. Përmes kësaj iniciative, të rinjtë fuqizohen të kërkojnë nga zyrtarët përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe adresimin e ndryshimeve klimatike, ndërkohë që UNICEF siguron mekanizma të fortë mbrojtjeje dhe sigurie për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e përfshirë.
UNICEF gjithashtu mbështet angazhimin e të rinjve në veprimin klimatik si pjesë e punës më të gjerë në mësimnxënie, zhvillimin e aftësive dhe fuqizimin e të rinjve. Në partneritet me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, UNICEF mundësoi një konsultim të posaçëm me të rinjtë për të siguruar një proces gjithëpërfshirës për zhvillimin e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare (NDC). Rreth 30 adoleshentë me prejardhje të ndryshme morën pjesë, duke ndarë perspektivat e tyre mbi zbutjen e ndryshimeve klimatike, përshtatjen, shëndetin mjedisor, arsimin dhe mbrojtjen sociale.
Rekomandimet e tyre, të dorëzuara përmes Platformës së Konsultimit Online të Qeverisë, rezultuan në shtesa konkrete në NDC-të përfundimtare, konkretisht masa për forcimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit për klimën dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive (duke përfshirë aktivitetet në shkolla dhe komunitet, mbështetjen psikologjike dhe përmirësimin e reagimit emergjent), si dhe nisjen e fushatave të vazhdueshme informuese dhe Klubeve Eko/të Gjelbra në shkolla për të angazhuar të rinjtë dhe publikun në veprim mjedisor dhe përpjekje për zbutje dhe përshtatje ndaj klimës. Ky proces siguroi që të drejtat e fëmijëve dhe zërat e të rinjve të pasqyroheshin në mënyrë domethënëse në politikat kombëtare klimatike.
Kosova ka hartuar gjithashtu së fundmi Strategjinë e saj të parë Kombëtare për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike, e cila tashmë është publikuar për konsultim publik. Një proces i ngjashëm konsultimi me të rinjtë u inicua, duke demonstruar më tej një angazhim të fortë institucional për politika klimatike të ndjeshme ndaj fëmijëve dhe të rinjve.
Krijimtaria mbetet pika personale e hyrjes së Sados në ndryshim. Si dizajner dhe artist komikësh, ai përdor tregimin vizual për t’i bërë temat mjedisore të kuptueshme, veçanërisht për fëmijët. Ai ka organizuar punëtori riciklimi në shkolla, duke i mësuar nxënësit se si të riciklojnë letrën përmes metodave praktike dhe kreative.
“Nëse di diçka,” thotë ai, “ndaje me të tjerët.”
Historia e Sados dërgon një mesazh të qartë për të rinjtë e tjerë: mosha nuk është pengesë për lidershipin. Ajo që ka rëndësi është kujdesi, drejtimi dhe guximi për të vepruar. Dhe kur edhe një apo dy persona të bashkohen me ty, motivimi rritet dhe e kupton se nuk je vetëm.
Nga një kopsht i vogël fëmijërie te një park më i gjelbër në Vitomiricë, rrugëtimi i Sados tregon se çfarë ndodh kur të rinjve u jepet besim, hapësirë dhe mbështetje. Me mundësitë e duhura, ata nuk e imagjinojnë vetëm një të ardhme më të mirë, ata fillojnë ta ndërtojnë atë.