Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, UNICEF-i publikon raportin që evidenton sfidat në rritje të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë

12 Gusht 2026
English
UNICEF/2026/A.Nimani

Prishtinë, 12 gusht 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, UNICEF-i në Kosovë publikoi raportin Hartëzimi i Shërbimeve të Shëndetit Mendor dhe Mbështetjes Psikosociale (SHM-MPSH) për fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë, i cili vë në pah sfidat në rritje të shëndetit mendor me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë, si dhe nevojën për sisteme më të fuqishme dhe më të koordinuara të mbështetjes në Kosovë. Studimi u realizua nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës, në partneritet me UNICEF-in në Kosovë dhe nën udhëheqjen Komitetit Teknik, të bashkëkryesuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe UNICEF-i.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë z. Blerim Gashani, mbajtën fjalët hyrëse gjatë prezantimit të raportit, duke theksuar rëndësinë e investimit në mirëqenien e të rinjve, së bashku me përfaqësues të institucioneve, akademisë, partnerëve zhvillimorë, organizatave të shoqërisë civile dhe të rinjve.

Në nivel global, rreth 10–20 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor dhe Kosova nuk është e përjashtuar nga ky trend global. Me më shumë se 423,000 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe një nga popullsitë më të reja në Evropë, investimi në shëndetin mendor, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e fëmijëve është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

Raporti evidenton shqetësime në rritje lidhur me ankthin, depresionin, shqetësimin emocional, traumën, bullizmin, dhunën, përdorimin e substancave dhe rreziqet që lidhen me mjediset digjitale. Një nga gjetjet më urgjente lidhet me mendimet dhe përpjekjet për vetëvrasje te nxënësve 15- dhe 16-vjeçarë. Përpjekjet e vetëraportuara për vetëvrasje janë rritur ndjeshëm, nga 3.4 për qind në vitin 2011 në 10.0 për qind në vitin 2024 te nxënësit në Kosovë.

Fëmijët nga grupet e cenueshme, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe fëmijët që jetojnë në varfëri ose në zona rurale, përballen me pengesa shtesë në qasjen në shërbimet mbështetëse.

“Shëndeti mendor është bërë një nga sfidat më urgjente me të cilat përballen fëmijët dhe adoleshentët sot. Nuk mund ta trajtojmë më atë si një çështje dytësore. Ai duhet të vendoset në qendër të përpjekjeve tona për t’i ndihmuar çdo fëmije të zhvillohet dhe të arrij potnecialin e plotë,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Ndërsa shërbimet ekzistojnë në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale, familjet shpesh e përjetojnë sistemin si të fragmentuar dhe të vështirë për t’u naviguar. Qasja në shërbimet e specializuara publike mbetet e përqendruar në Prishtinë, ndërsa shumë shkolla nuk kanë mbështetje të mjaftueshme psikologjike.

Në të njëjtën kohë, raporti evidenton mundësi të rëndësishme. Kosova ka një kornizë të fuqishme për të drejtat e fëmijëve, profesionistë të përkushtuar dhe organizata aktive të shoqërisë civile. Duke u mbështetur në këto pika të forta, raporti rekomandon krijimin e një mekanizmi koordinues, zhvillimin e një Strategjie të dedikuar për Shëndetin Mendor të Fëmijëve dhe Adoleshentëve, forcimin e mekanizmave të referimit, zgjerimin e shërbimeve me bazë në shkolla, integrimin e skriningut të shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor, si dhe përmirësimin e sistemeve të të dhënave dhe monitorimit.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, UNICEF-i në Kosovë ritheksoi gjithashtu përkushtimin e tij për të mbështetur pjesëmarrjen, zhvillimin e aftësive dhe mirëqenien e të rinjve përmes iniciativave si Kosovo Generation Unlimited, UPSHIFT, PONDER, Podium, programe të zhvillimit të aftësive të shekullit XXI, duke i ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë qëndrueshmëri, vetëbesim dhe mundësi për të ardhmen.

  1.  Projekti Evropian i Sondazhit Shkollor mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook