Partneriteti MASHTI–UNICEF avanson reformën në arsim: Lansohet kurrikula për edukimin në fëmijëri të hershme

27 Nëntor 2025
English
UNICEF/2025/S.Karahoda

Prishtinë, 27 Nëntor 2025 – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë, ka lansuar zyrtarisht Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijëri të Hershme (EFH) për fëmijët e moshës 0–6 vjeç. 

Ngjarja u hap nga ushtruesja e detyrës së Ministres së Arsimit në Kosovë, znj. Arbërie Nagavci e cila theksoi” se ky dokument shënon hapin më të madh drejt edukimit bashkëkohor, cilësor dhe gjithëpërfshirës për gjeneratat e ardhshme. Mirënjohje dhe falënderim për ekipet profesionale, UNICEF-in dhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e pakursyer. Bashkë po ndërtojmë rrugën drejt suksesit të fëmijëve tanë”.

Dëshmitë tregojnë se zhvillimi dhe edukimi i fëmijërisë së hershme është investimi më i mençur që mund të bëhet: çdo dollar i investuar në shërbime cilësore të fëmijërisë së hershme kthen deri në 16 dollarë përmes përgatitjes më të mirë për shkollë, uljes së braktisjes, përmirësimit të shëndetit, të ardhurave më të larta dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore.

Ky hap i rëndësishëm vjen pas dy viteve pune të përbashkët mes institucioneve, profesionistëve të edukimit dhe partnerëve në Kosovë për zhvillimin, pilotimin dhe miratimin e kurrikulës, duke shënuar një avancim të madh në forcimin e arsimit dhe të nxënit të hershëm si bazë për zhvillimin e kapitalit njerëzor.

“Përpjekjet tona të përbashkëta kanë zgjeruar qasjen në edukimin e hershëm, kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe kanë mbështetur hartimin e politikave që garantojnë të drejtën e çdo fëmije për të mësuar dhe për të arritur sukses,” tha z. Eric Dietz, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë.

Kurrikula e re promovon barazinë, gjithëpërfshirjen dhe praktikat me ndjeshmëri gjinore, duke siguruar që çdo fëmijë, vajzë apo djalë, të ketë mundësi të arrijë potencialin e tij të plotë.

Kjo kurrikulë e re e vendos fëmijën në qendër të procesit të të nxënit. Me mbi 131,000 fëmijë nën moshën gjashtë vjeç, ky hap reformues synon të krijojë mjedise gjithëpërfshirëse që nxisin eksplorimin, kreativitetin dhe marrëdhëni kuptimplote, duke njohur rolin thelbësor të edukatorëve dhe duke forcuar përfshirjen e prindërve dhe komunitetit.

Në kuadër të përgatitjes për zbatim në tërë Kosovën, javën e kaluar MASHTI, UNICEF dhe Qendra për Shërbime dhe Zhvillim Human (QSHHZH), me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, përfunduan një trajnim intensiv 5-ditor për edukatorët, nga të cilët do të përzgjidhen trajnerët zyrtarë të kurrikulës.

Nga fundi i vitit 2025 dhe gjatë vitit 2026, profesionistët e edukimit të hershëm, inspektorët, zyrtarët komunalë dhe drejtorët e institucioneve do të thellojnë njohuritë e tyre për rolin dhe imazhin e fëmijës, të nxënit përmes lojës dhe mënyrën e zbatimit të tij përmes praktikave gjithëpërfshirëse, eksplorimit, vëzhgimit e dokumentimit të vazhdueshëm dhe përfshirjes së prindërve në jetën parashkollore.

Gjithashtu, po zhvillohet edhe korniza e sigurimit të cilësisë për EFH duke siguruar që zhvillimi profesional, mentorimi dhe monitorimi të garantojnë standarde të larta në të mësuarit dhe zhvillimin e fëmijëve.

Shefja e UNICEF Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, theksoi: “UNICEF vlerëson qeverinë që ka vënë të nxënit e hershëm në qendër të strategjive zhvillimore dhe ka rritur investimet në këtë fushë.”
“Aftësitë dhe përvoja e fituar në moshë të hershme janë vendimtare për mirëqenie afatgjatë, qëndrueshmëri, rezultate më të mira në arsim dhe rritje të produktivitetit – duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik,” shtoi ajo.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook