Një ditë në jetën e Esrës: Kthimi i sfidave në shpresë
“Zgjidhja e lomshit” për fëmijët me aftësi të kufizuara
“Kur shkoj në Prishtinë nuk është thjesht një udhëtim; është sikur të lundroj nëpër një botë që ende nuk është plotësisht e hapur për mua”, mendon Esra teksa zgjohet herët në shtëpinë e saj në Mitrovicë.
Esra është 14 vjeçe dhe gjithë jetën ka qenë në karrocë. Sot, si çdo javë, ajo duhet të udhëtojë deri në Prishtinë për të marrë kujdesin shëndetësor që kërkon, shërbime që nuk janë në dispozicion në vendlindjen e saj.
“Çdo javë, prindërit e mi duhet të më çojnë në Prishtinë sepse, përndryshe, nuk mund t'i marr vetë trajtimet që më duhen”, thotë Esra teksa ka ndjenja të përziera mirënjohjeje dhe zhgënjimi. Babai i saj e përshëndet me një buzëqeshje, gati për ta ndihmuar të përgatitet për ta kaluar këtë ditë. Familja është mbështetja e saj më e madhe, por ajo ndjen mungesën e ndihmës nga institucionet.
Sidoqoftë, kujdesi shëndetësor është vetëm një nga sfidat me të cilat ajo përballet. Gjatë udhëtimeve të saj javore në Prishtinë, Esra ka identifikuar edhe një problem tjetër: mungesën e hapësirave publike të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. Çdo udhëtim nxjerr në pah barrierat që ekzistojnë ende, duke e bërë udhëtimin e saj edhe më të vështirë dhe duke vë në pah nevojën për një gjithëpërfshirje më të madhe në hapësirat publike.
Udhëtimi drejt Prishtinës
Megjithatë, udhëtimet javore për në Prishtinë me babanë e saj e kanë forcuar lidhjen mes tyre. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme duke e ndihmuar atë ta përballojë këtë situatë të vështirë, madje edhe e ka mbyllur biznesin e riparimit të mobileve në disa raste vetëm për ta shoqëruar Esrën në Prishtinë. Për shkak të infrastrukturës sfiduese, është e pamundur që ajo të lëvizë vetë nëpër qytet, dhe babai i saj është gjithmonë aty për t’a mbështetur në çdo hap të rrugës.
Udhëtimi me babanë e saj është i gjatë, dhe sapo arrijnë në Prishtinë, Esra ndeshet me sfidën e saj të parë: trotuaret.
"Shumicën e kohës, ato janë ose të bllokuara nga veturat, ose shumë të ngushta ose shumë të larta, duke e bërë të pamundur për mua që t'i përdor", thotë Esra, dukshëm e zhgënjyer.
Këto pengesa të përditshme e kthejnë atë që do të duhej të ishte një udhëtim i thjeshtë në një sërë detyrash të vështira, secila duke ia kujtuar asaj kufizimet e vendosura nga infrastruktura e papërshtatshme e qytetit.
Përkundër sfidave që ka, Esra është vajzë shumë ambicioze dhe asnjëherë nuk ka hequr dorë nga shkollimi, edhe pse kjo ka qenë tepër e vështirë duke pasur parasysh se 8% e fëmijëve në Kosovë kanë vështirësi funksionale në të paktën një fushë. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale[1].
Megjithëse vizita e saj në Prishtinë kishte qëllime të tjera, Esra u tërhoq nga librat që i pa në qytet dhe vendosi të hynte në një nga libraritë për t'i blerë disa materiale arsimore që do ta ndihmonin ta realizonte ëndrrën e saj për ta vazhduar shkollimin.
Vlen të theksohet se vizita e Esrës kësaj radhe është më e veçantë se ato të zakonshmet pasi ajo ka vendosur të ngrejë zërin për mungesën e qasjes në hapësira publike dhe për probleme të tjera me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo niset drejt komunës së Prishtinës, ku e pret Bekimi, përfaqësues i Down Syndrome Kosova, që t'i bashkojnë forcat me Esrën në mënyrë që t'i mbrojnë të drejtat e të gjithë fëmijëve. Së bashku, ata janë pjesë e fushatës #ZgjidheLomshin. Ky nuk është takimi i tyre i parë me kryetarin e Prishtinës, z. Përparim Rama, por kësaj radhe është ndryshe – ata shpresojnë për zgjidhje reale të sfidave të tyre dhe janë të etur për ta bërë një ndryshim pozitiv për komunitetin e tyre.
Avokimi për ndryshim, ngadalë por sigurt
Esra dhe Bekimi gjithmonë kanë folur për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ata kanë punuar shumë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar për gjithëpërfshirje dhe qasje më të mirë në komunitetet e tyre. Kështu, kur dëgjuan për fushatën e UNICEF-it #ZgjidheLomshin, u interesuan menjëherë dhe donin të ishin pjesë e saj. Fushata dukej si një mënyrë e shkëlqyer për t'u dhënë jehonë zërave të tyre dhe për të nxitur ndryshimin e vërtetë. Pjesëmarrjen në fushatë e konsideruan si diçka të duhur sepse përputhej me përpjekjet e tyre të vazhdueshme për ta përmirësuar jetën e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Përpjekjet avokuese të fushatës #ZgjidheLomshin u pasuan nga diskutime me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, në një mbledhje të Kuvendit Komunal ku morën pjesë mbi 50 fëmijë. Gjatë këtyre diskutimeve, avokuesit e fëmijëve Bekimi dhe Rijadi me pasion u dhanë jehonë thirrjeve të tyre për përmirësimin e qasjes në hapësira publike, institucione dhe për transportin për personat me aftësi të kufizuara.
Krahas kësaj, Esra, avokuese e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ngriti zërin në takimin e Komitetit Ndërministror për të drejtat e fëmijëve në Kosovë. Ajo i adresoi nevojat dhe kërkesat e saj drejt vendimmarrësve, duke theksuar rëndësinë e realizimit të të drejtave të fëmijëve dhe adresimit të çështjeve urgjente siç janë përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe sigurimi i qasjes në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ato arsimore.
Megjithatë, kjo iniciativë dhe avokimi i palodhshëm i fëmijëve i mbështetur nga BE në Kosovë në bashkëpunim me UNICEF-in, rezultoi i suksesshëm për Esrën, Bekimin dhe mijëra fëmijë të tjerë në Kosovë të cilët ata i përfaqësojnë. Kryetari Përparim Rama ua hapi dyert dhe zemrën këtyre fëmijëve.
Si rezultat i këtij takimi shpresëdhënës, Kryetari Rama u zotua që të vazhdojë mbështetjen financiare për OJQ-të që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta sociale, me fokus në fëmijët me aftësi të kufizuara. Ai gjithashtu premtoi se do të vazhdojë me një subvencion vjetor për çdo fëmijë dhe do të vazhdojë të punojë për ta bërë Prishtinën qytet pa pengesa për të gjithë fëmijët.
Dita ka qenë e gjatë, por teksa Esra dhe babai i saj kthehen në Mitrovicë, ajo ndihet me më shumë shpresë. Takimi me Bekimin dhe biseda për ëndrrat e tyre të përbashkëta për një të ardhme më të mirë i japin forcë asaj. Ajo e di se rruga përpara është e vështirë, por çdo hap që bën e afron atë me një botë ku fëmijët si ajo mund të jetojnë pa kufizime.
"Çdo hap që bëjmë së bashku na afron me një botë të cilës i përkasin të gjithë," mendon Esra teksa shikon perëndimin e diellit. Ajo e di se lufta e saj nuk është vetëm për veten, por për të gjithë fëmijët që meritojnë një botë që i mirëpret ata.
Me përfundimin e ditës, Esra përçon një mesazh të fortë: "Le ta zgjidhim lomshin për të gjithë fëmijët!" Ajo u bën thirrje të gjithëve që të punojnë së bashku për të ndërtuar një botë ku asnjë fëmijë nuk neglizhohet, ku hapësirat publike të jenë të hapura për të gjithë dhe ku çdo udhëtim, qoftë për në shkollë apo në kryeqytet, është pa pengesa.
Për të ndihmuar në lehtësimin e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara në mbarë Kosovën, në bashkëpunim me Handikos-in dhe Down Syndrome Kosova, UNICEF-i dhe BE-ja kanë mbështetur ofrimin e shërbimeve rehabilituese në 12 qendra në 25 komuna, duke arritur tek më shumë se 1,347 fëmijë me aftësi të kufizuara. UNICEF-i dhe BE-ja mbeten të përkushtuara për të mbështetur përfshirjen e të gjithë fëmijëve dhe për të siguruar qasje në shërbime arsimore, shëndetësore dhe sociale.