Dy hapa janë bërë dhjetë

Për Yllin, mbështetja në fëmijërinë e hershme po hap mundësi të reja. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.

UNICEF
English
UNICEF/2026/F.Limani
27 Nëntor 2026

Në institucionin parashkollor “Milingonat” në Prishtinë, Ylli, tre vjeç me Sindromën Down, po mëson të ecë me ndihmën e një fizioterapeuti që mban të njëjtin emër. “Ylli i madh”, nga HANDIKOS, punon me të për t’ia zhvilluar aftësitë motorike. Ai është pjesë e një ekipi multidisiplinar të Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme (NFH), që ofron shërbime për fëmijët me vonesa në zhvillim dhe me aftësi të kufizuara, sipas një modeli me familjen në qendër, të pilotuar për herë të parë në Kosovë nga UNICEF-i.

“Kur e shoh duke bërë më shumë hapa me më pak ndihmë, puna ime merr kuptim. E shoh se ushtrimet që bëjmë së bashku po e ndihmojnë në jetën e përditshme”, thotë fizioterapeuti.

Dikur Ylli arrinte të bënte dy hapa. Sot bën dhjetë, duke u mbajtur vetëm për një dorë.

Për nënën e tij, Majlindën, çdo hap është rezultat i ushtrimeve të bëra me durim dhe i mbështetjes profesionale, si dhe një mundësi e re për të birin.

Ylli ka marrë edhe mbështetje logopedike për të zhvilluar aftësitë e komunikimit. Së bashku, këto shërbime e ndihmojnë të zhvillojë aftësitë që i duhen për të marrë pjesë më aktivisht në jetën e përditshme në shtëpi dhe në parashkollor.

Ylli është i dyti nga katër fëmijët e familjes dhe tashmë i është nënshtruar katër operacioneve për probleme shëndetësore që prekin zemrën dhe sistemin tretës. Gjatë trajtimit dhe rikuperimit, prindërit e tij kanë vazhduar të kërkojnë kujdesin dhe mundësitë që i duhen.

English
UNICEF/2026/A.Nimani

Në shtëpi, Majlinda i ka bërë aktivitetet zhvillimore pjesë të rutinës së Yllit dhe e inkurajon edhe në ditët kur ai ka më pak dëshirë të ushtroj. Motra e madhe, Hana, i bashkohet në ushtrime, duke i kthyer ato në kohë për të luajtur së bashku. Vëllai i vogël, Mali, shkon në të njëjtin parashkollor me të. Zani, më i vogli, është shtatë muajsh.

Në këtë familje plot gjallëri, Ylli ka vendin e vet si bir, vëlla dhe shok loje. 

Të mësojmë së bashku

Te “Milingonat”, bota e Yllit zgjerohet përtej shtëpisë dhe terapisë. Çdo ditë, kopshti i jep mundësi të komunikojë, të lëvizë, të luajë dhe të krijojë miqësi.

Duke mësuar së bashku, fëmijët mësojnë edhe të tregojnë empati, kujdes dhe solidaritet. Qëndrimet e prindërve ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara po ndryshojnë teksa e shohin Yllin duke marrë pjesë në aktivitetet e grupit. Ai ka vendin e vet aty, me interesat, miqësitë dhe kontributin e tij.

Edukatorja ia bën më të lehtë pjesëmarrjen duke përshtatur aktivitetet dhe duke i dhënë kohë e inkurajim. Ajo që mëson në parashkollor, së bashku me mbështetjen e familjes dhe të specialistëve, e ndihmon Yllin të ushtrojë aftësi të reja gjatë gjithë ditës.

“Roli im është të gjej mënyra që Ylli të marrë pjesë, të mësojë dhe të kënaqet me fëmijët e tjerë, siç duhet të ketë mundësi çdo fëmijë.” – tha Elhame Rexhepi, edukatore. 

Ylli ende nuk ka një asistent në kopsht. Edukatores i duhet mbështetja e duhur për t’iu përgjigjur nevojave të tij individuale, ndërkohë që kujdeset për të gjithë grupin. Përfshirja kërkon personel të trajnuar, kohë, burime dhe një mjedis ku çdo fëmijë ndihet i mirëpritur.

English
UNICEF/2026/F.Limani

Çfarë është ndërhyrja në fëmijërinë e hershme?

Ndërhyrja në Fëmijërinë e Hershme është një sistem shërbimesh dhe mbështetjeje i bazuar në të drejtat e fëmijës. Ai u shërben fëmijëve nga lindja deri në moshën gjashtëvjeçare që kanë ose janë në rrezik të kenë vonesa në zhvillim apo aftësi të kufizuara. Ky sistem fuqizon familjet dhe lidh shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale, duke përdorur qasje të bazuara në dëshmi që respektojnë kulturën dhe rrethanat e secilës familje.

UNICEF-i punon me Ministrinë e Shëndetësisë dhe partnerët për të forcuar identifikimin dhe ndërhyrjen e hershme. Analiza e situatës e vitit 2023 thekson rëndësinë e mbështetjes me familjen në qendër, në mjedise të njohura për fëmijët, si shtëpia dhe parashkollori, ku ata mund të ushtrojnë aftësitë përmes aktiviteteve të përditshme.

Nga viti 2024 deri në vitin 2026, UNICEF-i pilotoi modelin e NFH-së në Kosovë dhe mbështeti Ministrinë e Shëndetësisë në hartimin e Dokumentit Strategjik për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme 2025–2030. Dokumenti përcakton si mund të bëhen këto shërbime pjesë e kujdesit parësor shëndetësor dhe si mund të zgjerohen. Donatorë si Komiteti Kombëtar i UNICEF-it në Austri i mbështesin fëmijët si përmes programeve me financim të dedikuar, ashtu edhe përmes kontributeve fleksibile, të njohura si burime bazë. Këto kontribute i mundësojnë UNICEF-it t’u përgjigjet nevojave që kanë mbetur pa vëmendje, të vazhdojë punën afatgjatë dhe të forcojë sistemet publike nga të cilat varen fëmijët. Për fëmijët si Ylli, kjo do të thotë mbështetje në kohën e duhur, profesionistë që punojnë së bashku dhe familje që kanë kujt t’i drejtohen.

English
UNICEF/2026/F.Limani

Përparimi duhet të vazhdojë edhe gjatë verës

Për Yllin, vera sjell një ndërprerje të vështirë. Majlinda tregon se, kur shërbimet nuk ofrohen, Ylli humb një pjesë të përparimit që ka bërë.

Familja vazhdon ta mbështesë në shtëpi. Kujdesi profesional mbetet i domosdoshëm dhe qasja në të duhet të sigurohet edhe për familjet që e kanë të vështirë të gjejnë ose të paguajnë për shërbime të tjera.

Nevojat zhvillimore të fëmijëve vazhdojnë edhe gjatë pushimeve. Për Yllin, vazhdimësia do të thotë të ketë udhëzime dhe mbështetje profesionale për t’i ruajtur dhe zhvilluar më tej aftësitë e tij, edhe gjatë verës.

English
UNICEF/2026/F.Limani

Institucionet publike duhet të sigurojnë financim të qëndrueshëm, bashkërendim dhe ofrim të këtyre shërbimeve gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim, UNICEF-i po punon me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucione të tjera për t’i integruar shërbimet e NFH-së në kujdesin parësor shëndetësor, në bashkërendim të ngushtë me sektorët e tjerë, në mënyrë që fëmijët dhe familjet e tyre të marrin mbështetje të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Familja, fizioterapeuti, logopedi dhe kopshti i Yllit kanë treguar se çfarë mund të arrihet kur inkurajimi i përditshëm shoqërohet me mbështetje profesionale dhe me mundësi për të mësuar së bashku me fëmijët e tjerë.

Tani Ylli bën dhjetë hapa, duke u mbajtur për një dorë.

Hapi i radhës është të sigurohemi që kjo mbështetje të vazhdojë të jetë e arritshme për të.