#ZgjidheLomshin arrin në komunën e katërt për të avokuar për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara

29 Tetor 2024
English
UNICEF/2024/A.Nimani

Gjilan - 29 tetor 2023Sot në Gjilan është lansuar fushata #ZgjidheLomshin, ku kjo është komuna e katërt e angazhuar për të mbështetur gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. E financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe e udhëhequr nga UNICEF-i në Kosovë, kjo fushatë synon të promovojë gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të rrisë ndërgjegjësimin për barrierat me të cilat ata përballen.

Ngjarja solli Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, Shefin për Bashkëpunim të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Johannes Madsen, Shefen e UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e tyre, si dhe Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Pjesëmarrësit prezantuan progresin e arritur, por gjithashtu bënë thirrje për përmbushjen e plotë të të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke theksuar rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës dhe hapësirave publike të qasshme.

Instalacioni simbolik "lomshi", që përfaqëson sfidat me të cilat përballen fëmijët me aftësi të kufizuara, u shpalos në këtë aktivitet. Instalacioni do të qëndrojë në Gjilan për tri ditë duke bërë thirrje për qasje në hapësira publike, zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse dhe luftimin e stigmës dhe diskriminimit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre. Fushata gjithashtu synon të rrisë ndërgjegjësimin për projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i cili do të përfaqësojë një reformë kulmore në Kosovë, nëse miratohet.

Fushata #ZgjidheLomshin e cila filloi vitin e kaluar tashmë ka shënuar zhvillime pozitive në komunat e tjera. Në Prishtinë, është ndërmarrë përkushtim për rritjen e mbështetjes financiare për organizata të cilat punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara, heqjen e barrierave fizike në hapësirat publike dhe ofrimin e subvencioneve vjetore për shërbimet nga të cilat përfitojnë fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjakova është zotuar që të dyfishojë numrin e mësuesve asistentë dhe të krijojë klasa burimore në të gjitha shkollat ​​fillore deri në vitin 2025.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni është i përkushtuar për të mbështetur agjendën e gjithëpërfshirjes dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Shefi për Bashkëpunim i Zyrës së BE në Kosovë, z. Johannes Madsen, theksoi rëndësinë e fushatës, duke thënë, “Puna jonë e përbashkët dhe avokimi janë thelbësore për krijimin e një të ardhmeje ku çdo fëmijë, veçanërisht ata më të cenuarit, do të mbështetet dhe përfshihet. Bashkimi Evropian, në partneritet me UNICEF-in, mbetet i përkushtuar për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Ne i bëjmë thirrje qeverisë dhe të gjithë vendimmarrësve që të na bashkohen në forcimin e sistemeve që mbrojnë fëmijët dhe sigurojnë që asnjë fëmijë të mos mbetet prapa."

Çdo fëmijë, pavarësisht nga aftësitë e tij, meriton mundësinë për të mësuar, luajtur dhe zhvilluar në një mjedis gjithëpërfshirës. Përmes kësaj fushate, ne po u bëjmë thirrje komuniteteve, shkollave dhe vendimmarrësve që të zgjidhin lomshin dhe të sigurojnë që fëmijët me aftësi të kufizuara të arrijnë potencialin e tyre të plotë,” shtoi Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë.

UNICEF-i, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë, do të vazhdojë të avokojë për të gjithë fëmijët, qofshin me ose pa aftësi të kufizuara.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme