Zgjidhja e “lomshit"

Rrugëtimi i Adriatikut drejt avokimit dhe gjithëpërfshirjes

UNICEF
English
UNICEF/2023/A.Nimani
29 Korrik 2024

Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje që të ndjehen të përfshirë. Adriatik Muhadri, një nxënës 13-vjeçar nga Gjakova, përballet me sfidat e të jetuarit me një krah të paralizuar. Pavarësisht kësaj, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij triumfojnë teksa ai avokon për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

English
UNICEF/2023

Një ditë në jetën e Adriatikut

Rutina e përditshme e Adriatikut është një kombinim mes shkollës, terapisë dhe kohës me familjen. Çdo mëngjes, ai shkon në shkollën “Pjetër Bogdani”, ku ka rezultate të shkëlqyeshme në shkollë. Pasditet janë të mbushura me lojëra kompjuterike, aktivitete fizike dhe ushtrime thelbësore fizioterapie. Mbështetja e palëkundur e familjes së tij luan një rol vendimtar në mirëqenien e tij. “Më pëlqen të kaloj kohë me familjen time. Mbështetja e tyre do të thotë shumë për mua”, thotë Adriatiku duke buzëqeshur. Ky ekuilibër e ndihmon atë të qëndrojë pozitiv dhe i fokusuar në qëllimet e tij.

Me inkurajimin nga familja, miqtë dhe HANDIKOS Gjakova, Adriatiku është bërë një avokues i zëshëm kundër diskriminimit. “Shumë fëmijë me aftësi të kufizuara ballafaqohen me tallje ose bullizim” thotë ai. Njohja e tij me UNICEF-in filloi përmes grupit avokues HANDIKOS Gjakova, ku ai mësoi për herë të parë për iniciativën #ZgjidheLomshin.

English
UNICEF/2023

Ndikimi i fushatës #ZgjidheLomshin

Adriatiku dëgjoi për herë të parë për iniciativën #ZgjidheLomshin në fund të vitit 2023. Kjo iniciativë ka qenë njëmbështetje e rëndësishme për të dhe  shokët e shoqet e tij, duke trajtuar çështjen e bullizmit dhe ngritjes së vetëdijes.

Adriatikut i tërhoqi vëmendjen kur dëgjoi për lëmshin e madh me peshë 400 kg të ndërtuar me rreth 2000 metra litarë që simbolizojnë problemet komplekse me të cilat përballen çdo ditë fëmijët me aftësi të kufizuara. “Lomshi simbolizon problemet komplekse me të cilat përballemi. Ato mund të zgjidhen me ndihmën e prindërve, shoqërisë dhe komunitetit” shpjegon ai. Katër objektivat kryesore të fushatës janë rritja e ndërgjegjësimit, edukimi i komuniteteve, inkurajimi i gjithëpërfshirjes dhe promovimi i avokimit për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ky lomsh simbolik i përmbledh në mënyrë të përsosur këto synime, duke theksuar nevojën për përpjekje kolektive që të adresohen këto sfida. 

English
UNICEF/2023

Fuqizimi i zërave dhe nxitja e ndryshimit

Adriatiku thekson se çdo moment i avokimit për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara ka qenë transformues. “Të jesh zëri për të drejtat e tyre është jashtëzakonisht fuqizues” thotë ai. Angazhimi në iniciativa dhe fushata ka ndikuar ndjeshëm në punën e tij avokuese dhe aspiratat e ardhshme, duke i dhënë atij besimin se aftësitë e tij do të njihen dhe respektohen. Fëmijët me aftësi të kufizuara shpesh përballen me sfida unike që mund të çojnë në ndjenjën e izolimit, diskriminimit dhe mungesës së mundësive.

Adriatiku beson se duke u dhënë atyre një zë dhe duke avokuar për të drejtat e tyre, ne ndihmojmë që ata të marrin mbështetjen dhe rolin që e meritojnë. Fuqizimi i këtyre fëmijëve përmes avokimit krijon një mjedis gjithëpërfshirës ku ata mund të  zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kontribuojnë në mënyrë domethënëse në shoqëri.

Pjesëmarrja në fushata ndërgjegjësuese dhe takimi me vendim-marrësit lokal, si kryetari i komunës së Gjakovës, e ka forcuar besimin e tij në fuqinë e avokimit. Këto përvoja i kanë ngjallur besimin se aftësitë e tij do të njihen dhe respektohen.

Një moment i rëndësishëm për Adriatikun ishte kur kryetari i Gjakovës nënshkroi zotimin për gjithëpërfshirje, duke simbolizuar një arritje kolektive. “Zotimi i kryetarit të komunës ishte si një peshë e hequr nga supet tona, duke treguar se puna jonë e palodhur dhe avokimi është duke e bërë ndryshimin pozitiv” kujton ai.

Adriatiku shpreson të shohë një komunitet ku fëmijët me aftësi të kufizuara trajtohen me dinjitet dhe barazi, pa bullizim dhe diskriminim. “Kam mësuar se jam një person miqësor, pa dallim race, feje apo gjinie. Unë qëndroj kundër bullizimit dhe mbështes fëmijët me aftësi të kufizuara në çdo mënyrë që mundem”, pohon ai.

Fushata gjithashtu ka formësuar aspiratat e tij për të ardhmen, duke i dhënë besimin se aftësitë e tij do të njihen. Adriatiku ndjente një përzierje të krenarisë dhe përgjegjësisë për pjesëmarrjen në videon ndërgjegjësuese, duke dashur të edukojë të tjerët për ndikimin e bullizmit. "U ndjeva edhe mirë edhe jo aq mirë sepse doja që njerëzit të kuptonin dhe të ndalonin ngacmimet ndaj fëmijëve si unë" thotë ai.

English
UNICEF/2023

Ndikimi i UNICEF-it dhe thirrja për avokim

Mbështetja e UNICEF-it ka qenë esenciale për Adriatikun dhe bashkëmoshatarët e tij. “Ata na kanë ndihmuar të mos ndihemi të diskriminuar dhe të ndihemi më të përfshirë në shoqëri,” thotë ai. Ai inkurajon fëmijët e tjerë që të kërkojnë ndihmën e UNICEF-it nëse kanë nevojë. “Unë besoj se historia ime, përmes UNICEF-it, mund të ndikojë pozitivisht në jetën e shumë fëmijëve. Videoja synon të ndërgjegjësojë të gjithë fëmijët,” konkludon ai.

Rrugëtimi i Adriatikut është dëshmi e fuqisë së avokimit, mbështetjes së komunitetit dhe ndikimit pozitiv të iniciativave si #ZgjidheLomshin. Falë fondeve të UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian, tani mund të krijojmë një botë më të mirë për Adriatikun dhe fëmijët e tjerë me aftësi të kufizuara.

Në Kosovë, rreth 11% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përballen me diskriminim dhe përjashtim ⁽¹⁾, ndërsa vetëm 10% përfitojnë nga shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social. Adriatiku beson se është shumë me rëndësi për komunitetin që të dëgjojë zërat e këtyre fëmijëve, duke u siguruar që ata të marrin mbështetjen dhe njohjen që e meritojnë. Angazhimi kolektiv i komunitetit është esencial për të krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku të gjithë fëmijët mund të zhvillohen. Duke përqafuar iniciativat sikur kjo, ne përpiqemi të bëjmë një ndikim të rëndësishëm dhe të sigurojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët.

⁽¹⁾  Raporti i UNICEF gjendet këtu