Aty ku fëmijëria fillon përsëri
Si një qendër me bazë në komunitet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme në Brekoc po u jep fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë mundësinë të mësojnë, të luajnë dhe të ëndërrojnë që nga fillimi.
Vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjakovës ndodhet fshati Brekoc, ku jetojnë shumë familje nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Udhëtimi zgjat vetëm disa minuta, megjithatë për shumë fëmijë që rriten këtu, mundësitë në vitet e para të jetës shpesh kanë qenë shumë të ndryshme nga ato të fëmijëve që jetojnë vetëm pak më larg.
Për shumë familje në këtë komunitet, varfëria, papunësia dhe përjashtimi social kanë bërë që edukimi në fëmijërinë e hershme të mbetet i paarritshëm. Udhëtimi deri në institucionet parashkollore në qytet shpesh ishte i pamundur për shkak të kostove të transportit dhe pengesave të tjera financiare. Ndërsa fëmijët në vende të tjera nisnin rrugëtimin e tyre të të mësuarit në kopshte dhe institucione parashkollore, shumë fëmijë në Brekoc i kalonin vitet e para pa qasje në hapësira të sigurta për të mësuar, lojë të strukturuar apo edukim cilësor të hershëm.
Sipas MICS, anketës së UNICEF-it, vetëm 8% e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë të moshës 36–59 muaj ndjekin programe të edukimit në fëmijërinë e hershme. Pjesëmarrja arrin 9% në zonat urbane, krahasuar me 7% në zonat rurale.
Gjetjet gjithashtu tregojnë se 98% e fëmijëve nga popullata e përgjithshme në Kosovë ndjekin arsimin fillor. Megjithatë, pjesëmarrja e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë është dukshëm më e ulët, në 87%. Ndërsa rreth 10% e fëmijëve nga popullata e përgjithshme janë jashtë shkollës në nivelin e mesëm të lartë, kjo shifër rritet në 58% te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë.
Sot, megjithatë, çdo mëngjes nis një histori tjetër.
Që në hyrje të Qendrës me Bazë në Komunitet për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme, të menaxhuar nga OJQ “Bethany Christian Services” me mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë, të qeshurat e fëmijëve përhapen në oborr. Zëra të vegjël thërrasin njëri-tjetrin. Këmbë të vogla vrapojnë nëpër këndin e lojërave. Çanta shumëngjyrëshe, shpesh më të mëdha se vetë fëmijët, lëvizin mbi shpatullat e tyre të vogla ndërsa hyjnë me nxitim brenda, të etur për të mos humbur asnjë çast të ditës.
Ata lëvizin si bletë të zëna, kureshtarë, energjikë dhe plot gëzim.
Kjo qendër vepron në zemër të Brekocit, duke e sjellë edukimin në fëmijërinë e hershme drejtpërdrejt në komunitet që nga dhjetori i vitit 2019. Në vend që familjet të udhëtojnë drejt shërbimeve, shërbimet erdhën pranë tyre, duke u mundësuar fëmijëve të ecin të sigurt nga shtëpitë e tyre çdo mëngjes. Prindërit nuk kanë më shqetësimin e transportit apo kostos së udhëtimit deri në qytet. Qendra është afër, e njohur dhe e qasshme, një vend ku çdo fëmijë ka mundësinë të mësojë, të luajë dhe të zhvillohet brenda komunitetit të vet.
“Programi ofron shumë më tepër se edukim parashkollor. Fëmijët marrin pjesë në aktivitete të përshtatshme për moshën, kanë ushqime të përditshme të shëndetshme dhe qasje në klasa të sigurta e stimuluese, të pajisura me materiale edukative”, thotë Dhurata Xhahnemi, edukatore në qendrën me bazë në komuniteti të edukimit në fëmijërinë e hershme në Brekoc.
Prindërit marrin pjesë në sesione mësimore, edukatorët marrin trajnim të vazhdueshëm profesional, ndërsa mësuesit e ardhshëm kryejnë praktikën profesionale, duke ndihmuar në forcimin e cilësisë së edukimit në fëmijërinë e hershme në komunitet. Programi gjithashtu punon ngushtë me institucionet lokale për të avokuar për shërbime më të mira dhe për përfshirje më të madhe të fëmijëve.
Çdo ditë fëmijët vijnë të gatshëm të mësojnë, të luajnë, të këndojnë, të vizatojnë dhe të ndërtojnë miqësi që i përgatisin për shkollën dhe për jetën.
Pastaj dera e klasës hapet. Prej saj del me vrap Edona.
Ajo i përshëndet të gjithë me një buzëqeshje të madhe, duke qeshur teksa vrapon për t’i përqafuar edukatoret. Gëzimi i saj është i pamundur të mos vërehet. “Buzëqeshja e saj është ngjitëse”, thotë Dhurata, edukatorja e që ka shërbyer për gati nëntë vjet në qendrat me bazë në komuniteti të edukimit në fëmijërinë e hershme.
Që në moshë shumë të vogël, rreth dy vjeçe, Edona tregonte tashmë një këmbëngulje të qetë. Ajo ecte me gjyshen duke e ecur lopën e familjes, dhe kalonte pranë qendrës gjatë rutinës së tyre të përditshme. Edhe nga larg, e tërhiqnin tingujt e të qeshurave të fëmijëve dhe lëvizja në këndin e lojërave. Ato pamje e shoqëronin gjatë edhe pasi kalonte aty pari.
Ajo kthehej në shtëpi dhe vazhdimisht i thoshte nënës se dëshironte të shkonte edhe ajo atje, duke kërkuar ta vizitonte qendrën, kureshtare dhe këmbëngulëse ashtu siç dinë të jenë vetëm fëmijët e vegjël.
Edona vjen nga një familje e zgjeruar, ku jeton së bashku me gjyshërit, prindërit, hallën, motrën dhe vëllain më të madh.
Historia e familjes së saj është e formësuar nga realitete të vështira. Nëna e saj u martua shumë e re dhe, duke parë se si dy fëmijët e saj më të mëdhenj e lanë shkollën dhe vajza e madhe hyri në martesë në moshën 12-vjeçare, ajo ishte e vendosur që rruga e Edonës të ishte ndryshe. Ajo nuk donte që e bija të përsëriste të njëjtin cikël të braktisjes së hershme të shkollës dhe mundësive të kufizuara. Prandaj mori një vendim që duket i thjeshtë, por është shumë i rëndësishëm: Edona do të shkojë në qendër.
Edona bëhet një nga fëmijët më aktivë në qendër. Ajo nis t’i ndihmojë të tjerët, t’i inkurajojë bashkëmoshatarët dhe madje të veprojë si një “tutore” e vogël për fëmijët që ende po përshtaten. Ajo troket në dyert e lagjes, duke i thirrur shokët e shoqet që të vijnë me të, në mënyrë që të ndjekin qendrën së bashku.
Mësuesja e saj, Dhurata, edukatore me më shumë se nëntë vjet përvojë në qendrat me bazë në komuniteti të edukimit në fëmijërinë e hershme, e përshkruan Edonën si një fëmijë të rrallë.
“Falë Edonës shumë fëmijë erdhën në qendër”, thekson ajo. Më tej shton: “Qendra është për çdo fëmijë, pavarësisht kush është apo nga vjen. M’u deshën vite të ndërtoj besim me familjet dhe t’u tregoj sa i rëndësishëm është investimi i hershëm. Por fëmijë si Edona të kujtojnë pse ka rëndësi.”
Dhurata gjithashtu thekson: “Kam parë transformime pozitive jo vetëm te fëmijët, por edhe te prindërit. Shumë prindër që i sjellin fëmijët në qendër tregojnë se fëmijët kanë mësuar për higjienën personale dhe tani ua kujtojnë prindërve edhe në shtëpi. Ata janë bërë më kureshtarë, duke u mësuar prindërve zakone pozitive dhe duke i inkurajuar për rutina më të shëndetshme të përditshme.”
Edona vazhdoi shkollimin. Ajo është më e vogla në familje dhe është e përkushtuar të bëhet lidere dhe të sjellë ndryshim në komunitet.
Historia e Edonës pasqyron një transformim më të gjerë që po ndodh në Brekoc. Është një kujtesë se vitet e para nuk janë vetëm fillimi i edukimit; ato janë fillimi i gjithçkaje. Investimi në fëmijërinë e hershme do të thotë t’i japësh çdo fëmije, pavarësisht se ku lind, mundësinë të mësojë, të ndihet pjesë dhe të zhvillohet.