Partneriteti ndërmjet UNICEF dhe Comodita Home ndihmon në themelimin e qendrës me bazë në komunitet për edukimin në fëmijërinë e hershme në Mirosalë – Ferizaj

19 Mars 2026
English
UNICEF/2026

Prishtinë, Kosovë – 19 mars 2026 Hapja e qendrës me bazë në komunitet  për edukimin në fëmijërinë e hershme, e mbështetur përmes partneritetit ndërmjet UNICEF-it dhe Comodita Home, u inaugurua në Mirosalë, Ferizaj, implementuar nga Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim. Kjo shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të qasjes së barabartë në mundësi cilësore të të nxënit për fëmijët e vegjël në Kosovë.

E mbështetur nga UNICEF dhe Comodita Home në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, qendra do të ofrojë shërbime të edukimit dhe zhvillimit të hershëm për 40 fëmijë, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe stimulues ku ata mund të mësojnë, luajnë dhe zhvillojnë aftësi thelbësore njohëse, sociale dhe emocionale.

Qendra është rezultat i marrëveshjes së partneritetit të nënshkruar ndërmjet UNICEF-it dhe Comodita Home për të promovuar zhvillimin e hershëm të fëmijëve në Kosovë. Ky bashkëpunim pasqyron një angazhim të përbashkët për të siguruar që fëmijët, veçanërisht ata nga komunitetet, të kenë qasje në mundësi cilësore të edukimit në vitet më kritike të zhvillimit.

Kjo është hera e dytë që Comodita Home bashkëpunon me UNICEF-in për të mbështetur programe të zhvillimit të hershëm të fëmijëve. Përmes marrëveshjes më të fundit, kompania ka zgjeruar mbështetjen jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqiperi, duke forcuar angazhimin e saj rajonal për investim në të ardhmen e fëmijëve.

Nga janari deri në dhjetor 2026, UNICEF planifikon të mbështesë themelimin dhe funksionimin e tri qendrave me bazë në komunitet të edukimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët e moshës 3 dhe 4 vjeç, në partneritet me komunat në Ferizaj, Peje dhe Mitrovice. Këto qendra janë të dizajnuara për t’i afruar shërbimet e edukimit të hershëm më pranë familjeve, veçanërisht në komunitetet ku qasja në edukim të hershëm mbetet e kufizuar.

Interesimi i madh për qendrën në Mirosalë, Ferizaj, thekson kërkesën në rritje për shërbime të qasshme dhe të përballueshme të edukimit në fëmijërinë e hershme. Qendrat me baze ne komunitet kanë dëshmuar se janë një model alternativ dhe me kosto efektive i këtyre shërbimeve, që integrohet në mënyrë të qëndrueshme në buxhetet komunale pas mbështetjes fillestare nga partnerët.

“Edukimi në fëmijërinë e hershme është thelbësor për zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve, si dhe për të nxënit përmes lojës që kontribuon në qëndrueshmëri dhe sukses gjatë gjithë jetës në edukim,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë. “Partneritetet me kompani si Comodita Home na mundësojnë të zgjerojmë mundësitë jo vetëm për fëmijët që të mësojnë dhe zhvillohen, por edhe për të mbështetur nënat në punësim.”

Shkëlqim Devolli nga Comodita Home theksoi përkushtimin e kompanisë për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit. “Në Comodita Home, besojmë se investimi në fëmijë do të thotë investim në të ardhmen. Jemi krenarë që bashkëpunojmë me UNICEF-in për të mbështetur iniciativa që ndihmojnë fëmijët e vegjël të rriten, të mësojnë dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.”

Përmes partneriteteve me sektorin privat dhe institucionet lokale, UNICEF vazhdon të punojë drejt zgjerimit të qasjes së barabartë në shërbimet e edukimit dhe zhvillimit në fëmijërinë e hershme dhe për të siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të ketë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook