Dafina Zeqiri Gjergji bashkohet me UNICEF-in në Kosovë për të rritur ndërgjegjësimin mbi edukimin dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve
- English
- Shqip
Prishtinë, 21 tetor 2025 – Dafina Zeqiri Gjergji, këngëtare dhe nënë e re, iu bashkua UNICEF-it në Kosovë gjatë një vizite në kopshtin “Shkronjat” në Prishtinë, për të theksuar rëndësinë e investimit në edukimin e hershëm të fëmijëve dhe përfitimet afatgjata që ai sjell për fëmijët, familjet dhe shoqërinë.
“Si nënë e re, jam edhe më e vetëdijshme se sa të rëndësishme janë vitet e para të jetës për zhvillimin e një fëmije,” tha Dafina Zeqiri Gjergji. “Është e mahnitshme të kuptosh se si truri zhvillohet kaq shpejt në këto vite të hershme, duke krijuar deri në një milion lidhje nervore të reja çdo sekondë. Pikërisht për këtë, loja, dashuria dhe edukimi që nga vitet e para të jetës formojnë vërtet të ardhmen e fëmijës.”
Vizita shpërfaqi edhe një herë punën në kopshtin “Shkronjat” si një nga institucionet që prioritizon barazinë, lojën dhe eksplorimin, një ambient të sigurt dhe të pajisur mirë për të nxitur kureshtjen e fëmijëve, staf profesional të angazhuar dhe bashkëpunim të ngushtë me prindërit/kujdestarët ligjor – gjithçka në përputhje me kurrikulën e re të EFH-së, të zhvilluar me mbështetjen e UNICEF-it.
“Investimi në edukimin e hershëm të fëmijëve është një nga investimet më të mençura që Kosova mund të bëjë për zhvillimin e kapitalit të saj njerëzor,” tha Veronika Vashchenko, Drejtore e UNICEF-it në Kosovë. “Çdo dollar i investuar në zhvillimin cilësor të hershëm të fëmijëve mund të kthehet deri në 13 dollarë përmes përmirësimit të rezultateve në edukim/arsim, shëndet, produktivitet dhe kohezion social.”
Edukimi i hershëm i fëmijëve nuk ka përfitime vetëm për fëmijët – ai gjithashtu mbështet fuqizimin e grave dhe rritjen ekonomike. Nëse edukimi cilësor dhe financiarisht i përballueshëm për fëmijët është i disponueshëm, nënat mund të hyjnë më lehtë ose të kthehen në tregun e punës, duke kontribuar në mirëqenien e familjes dhe rritjen dhe zhvillimin e barabartë.
UNICEF, së bashku me partnerët, vazhdon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për të siguruar që çdo fëmijë të ketë qasje në mundësi cilësore të edukimit të hershëm, duke i dhënë të gjithë fëmijëve fillimin më të mirë të mundshëm në jetë.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme