Tryezë e rrumbullakët me fokus në Transformimin e Arsimit përmes Mësimit Digjital

14 Prill 2023
Learning Passport
UNICEF/2023/S.Karahoda

Prishtinë, 14 prill 2023 – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Bashkimin Evropian, mbajti sot një tryezë të rrumbullakët me titull “Nga politika në praktikë: Transformimi i Arsimit përmes Mësimit Digjital.

Në takim morën pjesë folës të nivelit të lartë, përfshirë Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin Albin Kurti dhe znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kjo ngjarje mblodhi politikëbërës, profesionistë të arsimit dhe përfaqësues të ministrive, komunave, ambasadave dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e arsimit për ta diskutuar rëndësinë dhe prioritetet për avancimin e mësimit digjital në arsimin parauniversitar në Kosovë.

“Kjo ngjarje është duke u mbajtur në kohën e duhur dhe është e rëndësishme për të lehtësuar diskutimin dhe koordinimin më të gjerë në mesin e akterëve lidhur me hapat e radhës drejt transformimit digjital të sistemit arsimor në Kosovë”, tha Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. “Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2022-2026, i aprovuar vitin e kaluar, ka identifikuar transformimin digjital të arsimit si një nga shtyllat kryesore të tij – nga gjithsej pesë shtyllat – për transformimin e mënyrës së organizimit  të mësimit në Kosovë. Mësimi digjital do të ketë rol të domosdoshëm në transformimin e sistemit tonë në ofrimin e mësimit dhe zhvillimin e shkathtësive për të cilat të rinjtë kanë nevojë në ditët e sotme”.

Ndihma e Bashkimit Evropian për Kosovën në këtë fushë është në harmoni me standardet evropiane të cilat e njohin digjitalizimin e arsimit si synim shumë të rëndësishëm strategjik për mësimdhënie dhe mësimnxënie të cilësisë së lartë në epokën digjitale, në bazë të kompetencave të përcaktuara digjitale për mësimdhënësit, nxënësit dhe qytetarët.

 “Mësimi digjital është mundësi për të gjithë për të fituar njohuri dhe shkathtësi kritike”, tha Alessandro Biancardi, Zëvendësshef i Seksionit për Bashkëpunim të BE-së në Kosovë. “Mbështetja e BE-së për digjitalizimin e komuniteteve dhe shoqërive vë në theks rolin e digjitalizimit për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe për sigurimin e zvogëlimit të pabarazive në shoqëri, përfshirë pabarazinë gjinore.”

Gjatë tryezës së rrumbullakët UNICEF-i lansoi një përmbledhje të shkurtër të politikës me titull Transformimi i arsimit në Kosovë nëpërmjet platformës Shkollat.org. Ky hulumtim është udhëhequr nga Zyra Globale e UNICEF-it për Hulumtime në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe është financuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo politikë dokumenton përvojën e Shkollat.org,- platformë online pa pagesë e lansuar nga MASHTI në Kosovë gjatë pandemisë, e cila iu mundëson mësimdhënësve dhe nxënësve të komunikojnë, shkëmbejnë përmbajtje dhe të bashkëpunojnë për projekte. Platforma aktualisht përfshinë 12,000+ video mësime për klasat 1-9 dhe programe të shekullit 21 të bazuara në shkathësi për klasat 10-12, me përmbajtje në gjuhën shqipe, boshnjake, serbe, turke dhe rome. Në këtë përmbledhje të politikës jepen rekomandime të qarta bazuar në përvojën globale dhe vendore për hapat e radhës për ta zhvilluar përvojën e shkollat.org dhe për ta avancuar digjitalizimin e sektorit të arsimit.

“Me zbatimin e duhur, mësimi digjital është një mjet shumë i rëndësishëm që mund të përdoret nga mësimdhënësit për t’iu ofruar nxënësve mësim interaktiv, argëtues dhe të individualizuar, si brenda ashtu edhe jashtë klasës” tha Nona Zicherman, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. “Kjo vlen veçanërisht këtu në Kosovë, ku ka shumë sfida me cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies. UNICEF-i iu bën thirrje të gjithë partnerëve ta mbështesin zbatimin e Strategjisë së re për Arsimin, e cila përbën një udhërrëfyes të shkëlqyeshëm, bazuar në praktikat më të mira globale dhe përvojën vendore, për shfrytëzimin e mësimit digjital dhe të kombinuar për të krijuar një sistem arsimor i cili ka nxënësin në qendër dhe është gjithëpërfshirës për çdo fëmijë, veçanërisht ata që rrezikojnë të mbeten mbrapa”.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme