Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në partneritet me UNICEF-in, promovon Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme të miratuar së fundmi

19 Shtator 2023
English
UNICEF/2022/S.Karahoda

Prishtinë, 19 shtator 2023 – Sot, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë, ka organizuar një ngjarje për prezantimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, të miratuar së fundmi.

Ky Ligj synon ta nxisë zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve të vegjël duke ofruar për herë të parë kornizën e nevojshme rregullatore për ta përmirësuar cilësinë dhe mbulueshmërinë e shërbimeve të kujdesit dhe edukimit për fëmijët e moshës 0-6 vjeç.

Ligji synon gjithashtu ta mbështesë edukimin e vazhdueshëm në fëmijërinë e hershme brenda familjeve, ta fuqizojë koordinimin ndërmjet institucioneve dhe ta përmirësojë cilësinë e edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme me prezantimin e një kurrikule të re, trajnimin e ofruesve të shërbimeve dhe sistemet e forcuara për inspektim dhe licencim.

Ngjarja mblodhi politikëbërës, profesionistë të arsimit dhe përfaqësues nga ministritë, komunat, ambasadat dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e arsimit për ta rritur ndërgjegjësimin për Ligjin e ri dhe për ta diskutuar rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë.

“Si Ministre, si mësimdhënëse dhe si nënë, ndihem krenare me arritjet e shënuara në këtë drejtim - duke i njohur mirë të gjitha fazat e zhvillimit të fëmijës, në shtëpi, në shoqëri, dhe në shkollë. Ky hap institucional me shumë peshë vlen të shënohet denjësisht me një ngjarje si kjo sot, së bashku me të gjithë kontribuesit, “ tha znj. Arberie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkences, Teknologjise dhe Inovacionit.

Miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme (EFH) vjen pas ngjarjes së nivelit të lartë mbi Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme (ZHFH) të mbajtur në vitin 2022, nën patronatin e Presidentes së Kosovës, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Bankës Botërore, e cila nxorri një Thirrje për Veprim me pesë pika për të siguruar përmirësime transformuese në rezultate për fëmijët e vegjël dhe familjet e tyre.

“Kosova e ka njohur rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor, dhe veçanërisht në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale në fëmijërinë e hershme”, tha Nona Zicherman, Shefe e UNICEF-it në Kosovë. “Tani është koha për të përshpejtuar dhe ky ligj i ri ofron një udhërrëfyes të shkëlqyeshëm për ta rritur me shpejtësi qasjen në shërbimet e EFH-së në Kosovë nga 38% sa është aktualisht në objektivin prej 55% të Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë.”

UNICEF-i ka mbështetur MASHTI-n në zhvillimin e Ligjit të rishikuar për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme që nga viti 2019 dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje teknike dhe financiare për ta siguruar zbatimin e plotë të kësaj reforme. UNICEF-i u bën thirrje të gjithë partnerëve që ta mbështesin qasjen në edukimin cilësor gjithëpërfshirës në fëmijërinë e hershme dhe shërbime të kujdesit për të gjithë fëmijët në Kosovë.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme