UNICEF dhe Comodita Home nënshkruajnë partneritetin për të promovuar zhvillimin e hershëm të fëmijërisë në Kosovë dhe Shqipëri
Prishtinë, 10 Korrik 2025 – UNICEF njofton një partneritet strategjik me Comodita Home, kompani me përgjegjësi sociale e përkushtuar ndaj mirëqenies së komuniteteve, për të zgjeruar qasjen në edukimin cilësor në fëmijërinë e hershme në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht në zonat rurale. Kjo nismë e përbashkët shënon një bashkëpunim inovativ të marketingut me kauzë ndërmjet Comodita Home dhe UNICEF-it, duke treguar se si sektori privat mund të ndikojë pozitivisht në shoqëri, duke promovuar vlera të përbashkëta.
“Përmes partneritetit tonë me UNICEF-in, Comodita Home dëshmon përkushtimin e saj të plotë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për fëmijët e Kosovës dhe Shqipërisë, duke mbështetur zhvillimin e tyre të hershëm dhe qasjen në arsim cilësor. Ne besojmë se investimi në brezin e ri është jo vetëm një përgjegjësi, por edhe themeli më i fortë për një shoqëri të qëndrueshme,” tha Shkëlqim Devolli, aksionar i Comodita Home.
Edukimi në fëmijërinë e hershme njihet gjerësisht si një nga investimet më me ndikim në kapitalin njerëzor, me përfitime afatgjata për fëmijët, familjet dhe shoqërinë në përgjithësi. Megjithatë, shumë fëmijë, veçanërisht nga komunitetet e cenueshme dhe të margjinalizuara, mbeten të përjashtuar nga këto mundësi themelore në të dy vendet.
Përmes këtij partneriteti, Comodita Home dhe UNICEF do të mbështesin ndërhyrje kyçe për të përmirësuar qasjen, cilësinë dhe ndërgjegjësimin rreth zhvillimit në fëmijërinë e hershme, duke arritur mijëra fëmijë, prindër dhe edukatorë. Gjithashtu, partneriteti parasheh aktivitete dy herë në vit në dyqanet Comodita Home në Kosovë dhe Shqipëri, për të angazhuar konsumatorët dhe klientët në promovimin e zhvillimit në fëmijërinë e hershme përmes një fushate marketingu me kauzë.
Duke u mbështetur në suksesin e mëparshëm në Komunën e Dragashit në Kosovë, partneriteti do të mbështesë themelimin e tre qendrave të reja komunitare për zhvillimin në fëmijërinë e hershme në zonat rurale, me synim:
- Të përfitojnë drejtpërdrejt të paktën 75 fëmijë të moshës 3–4 vjeç dhe 150 prindër/kujdestarë;
- Të përmirësohen ambientet e të mësuarit në pesë klasa parashkollore me materiale të përshtatshme për mësim të bazuar në lojë për të paktën 125 fëmijë 5 vjeç;
- Të rritet ndërgjegjësimi tek mbi 250 prindër/kujdestarë dhe të angazhohen më shumë se 1,000 të tjerë përmes komunikimit digjital;
- Të promovohet përfshirja e baballarëve në prindërim aktiv për të mbështetur stimulimin e hershëm dhe të nxënit në shtëpi.
Kjo iniciativë ndërtohet mbi angazhimin e UNICEF-it në Kosovë për të përmirësuar cilësinë dhe shtrirjen e ECE-së, veçanërisht për fëmijët Romë, Ashkali, Egjiptianë dhe ata nga pesë përqindëshi më i varfër, ku përfshirja në edukimin e hershëm vazhdon të jetë shumë e ulët – nga 3 në 9 për qind.
Në Shqipëri, ku 48.5% e fëmijëve të moshës 0–6 vjeç nuk ndjekin asnjë institucion parashkollor dhe pabarazitë janë edhe më të theksuara për komunitetet rome dhe egjiptiane, partneriteti do të fokusohet në përmirësimin e mjedisit të të nxënit:
- Trajnimi i 100 edukatorëve parashkollorë përmes grupeve të të nxënit ndërmjet kolegëve në 2–3 bashki, me theks në edukimin gjithëpërfshirës dhe të bazuar në lojë;
- Pajisja e 10 kopshteve publike me komplete didaktike gjithëpërfshirëse, duke synuar institucionet që shërbejnë fëmijët në nevojë;
- Arritja e mbi 1,000 fëmijëve të moshës 3–6 vjeç me mjedise të pasura dhe të përshtatshme për zhvillimin e tyre.
Kjo ndërhyrje ndërtohet mbi lidershipin dhjetëvjeçar të UNICEF-it në Shqipëri në fushën e zhvillimit të hershëm të fëmijërisë, përfshirë punën në kurrikulën e arsimit parashkollor, standardet e mësuesve dhe mjetet e edukimit gjithëpërfshirës.
Znj. Veronika Vashchenko, udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë, u shpreh: “Investimi në zhvillimin e hershëm të fëmijëve nuk është vetëm ekonomi e mençur, por edhe një detyrim moral. Kjo kërkon përfshirjen aktive të të gjithë aktorëve, përfshirë bizneset. Sektori privat sjell inovacion, burime dhe ndikim që mund të jenë forca të fuqishme për të ndihmuar fëmijët të realizojnë potencialin e tyre të plotë.”
UNICEF nuk mbështet asnjë markë, kompani, produkt apo shërbim.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme