Një bashkëdyzim i institucioneve po fuqizon gratë dhe po mbështetë edukimin e hershëm të fëmijëve
Bresana, një tregim suksesi i fuqizimit dhe pavarësimit të grave të kësaj ane
A mund të bashkëfrymojnë një çerdhe e vogël dhe një institucion shkollor, brenda një hapësire që i bashkon misionet e të dyjave?
Bresana, fshati më i madh në rajonin e Opojës dhe vetëm 15 kilometra afër Dragashit, po e jetëson një nismë të tillë.
Katër klasa, dy prej tyre për fëmijët e moshave 3 – 5 vjeç dhe dy të tjera parashkollore, e përbëjnë atë që ende nuk e ka marrë emrin e plotë çerdhe fëmijësh, por shërben më shumë si Qendër me Bazë në Komunitet. Krejt afër, praktikisht në të njëjtin oborr, pak më tutje dëgjohen zërat e fëmijëve që vijojnë Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘28 Nëntori’.
Community-Based ECE Centers – Qendrat me Bazë në Komunitet?
Qysh prej tetorit të vitit 2023, Azra Trupaj Sallahi zgjohet në mëngjes dhe niset drejt këtyre dy objekteve duke mishëruar dy role, atë të edukatores dhe nënës. Vajza e saj vijon klasën e tretë ndërsa djali klasën e pestë, të dy si pjesë e ShFMU ’28 Nëntori’. Aspak larg, Azra është edhe edukatore në qendrën ku çdo ditë, prej orës 11:30 – 13:30, nënat e baballarët e fshatrave përreth sjellin më të vegjëlit e tyre që ata të socializohen e të bëhen gati për atë çka i pret në objektin aty afër, shkollën e respektuar.
33 vjeçare, Azra sapo ka lindur edhe një bebe tjetër. Padyshim që edhe ky fëmijë i porsalindur do të kalojë nëpër të njëjtën harmoni e cila ekziston në këtë ndërlidhje mes dy institucioneve edukative.
“Kam shumë siguri, sepse në vazhdimësi jam e informuar edhe për fëmijët e mi në shkollë, për sjelljet e tyre, mund të reagoj nëse ka nevojë. Në anën tjetër, punën time këtu në qendrën për zhvillim të hershëm dhe holistik e marr me shumë seriozitet, sepse e di që t`ja dorëzosh fëmiun dikujt në përkujdesje është përgjegjësi e madhe dhe prej nesh kërkon shumë vëmendje. Fakti që jam vet nënë ma mundëson të jem më e afërt edhe me fëmijët tjerë, të cilët i ndihmoj dhe i ndjej si të ishin fëmijët e mi” na tregon Azra, të cilën e takojmë në mesin e fëmijëve që vijnë çdo ditë në këtë qendër.
Me të përfunduar Fakultetin e Edukimit në Prizren, Azra pauzoi nga tregu i punës dhe dikur e kuptoi që mund të dilte në pah edhe problemi i financave.
“Kam punuar edhe me një shkollë tjetër si mësimdhënëse, por këtu e gjej veten më shumë dhe e tërë situata bën që ta përjetoj me shumë dashuri punën time. Kur je në gjendje edhe financiarisht të kontribuosh për familjen tënde, për partnerin tënd e për fëmijët e tu, kjo të bën edhe më të plotësuar. Shkurt e shqip, e ki paren tënde, je ti ajo që vendosë se në çfarë aspekti familjar e shtëpiak mundesh me ndihmu, je ti ajo që mundesh me i plotësu dëshirat e fëmijëve të tu, e vlen sakrifica por edhe puna” na rrëfen tutje Azra.
Azra është njëra prej edukatoreve në këto katër klasa të Qendrës me Bazë në Komunitet – ECE. Janë edhe dy edukatore të tjera të cilat përkujdesen për rreth 50 fëmijë të cilët çdo ditë për dy orë të plota shoqërohen me njëri tjetrin.
Në tregimin e Azrës nuhasim barazi gjinore, feminizëm, tejkalim sfidash, konfrontim normash, plot dritë për të ardhmen. Azra tregon se me hapjen e kësaj çerdheje të vogël brenda shkollës, janë fuqizuar të gjitha gratë që sjellin fëmijët e tyre aty. Fëmijët e fshatrave Kosavë, Blaç, Zaplluxhë e Kuklibeg poashtu përfitojnë nga këto dy institucione.
“Për këto dy orë sa fëmijët rrijnë me neve këtu, nënat kanë mundësi të merren me veten apo me profesionin e tyre. Ato mund të punojnë, të shkollohen, të mendojnë e të angazhohen aktivisht për të ardhmen e tyre. Në fillim ishin vetëm nënat ato që vinin me fëmijët e tyre, ndërsa tash shohim që interesimi vjen edhe prej baballarëve. Madje, ne përmes detyrave të shtëpisë kujdesemi që vajzat të provojnë punë që zakonisht janë menduar si punë burrash, dhe njëjtë edhe për djemtë e vegjël duam që ata të merren me punë që shpesh u atribuohen vetëm grave. Është e rëndësishme të tregojmë këtë aspekt të punës sonë. Baballarët sidomos i përfshijmë edhe në bisedat rreth fëmijëve dhe mundohemi ta përhapim këtë frymë të punës dhe harmonisë” sqaron Azra.
“Kjo qendër përveç që ndikon te mentaliteti i fëmijëve, u mundëson grave të pavarësohen. Në fillim janë vetëm 2 orë, por po presim edhe ndërtimin e kopshtit tërë-ditor. Nuk duhesh patjetër me kërku prej vjehrrës apo prej nanës me u kujdesë për fëmijët e tu, e me një çerdhe të plotë çdo nënë do të mund të pavarësohet dhe të punojë e më pas të kontribuojë edhe në pasurinë e familjes. Kur je grua dhe ndihmon familjen tënde, ke respekt e autoritet, të ecë fjala. Në këtë fshat gratë po fuqizohen dhe partnerët e tyre po janë shumë përkrahës” tregon tutje Azra.
Vërehet që Azra po e shfrytëzon potencialin në mënyrën më të mirë, dhe fakti se fëmijët e saj vijojnë shkollën shumë afër vendit të saj të punës e lehtëson shumë jetën e saj.
“Partnerin e kam krah të djathtë në vendimet e mia, ai është faktori kyç që unë sot edhe punoj edhe jam afër fëmijëve të mi. Unë e di se po e ndihmoj familjen time por edhe po e lartësoj veten time. Deri tash ja kemi dalë dhe do t`ja dalim edhe më tutje” thotë Azra Trupaj Sallahi, edukatore në klasat e Qendrës me Bazë në Komunitet ECE në Bresanë.
Së shpejti, një kopsht për fëmijë i hapur me orar të plotë
Xhylferie Bahtijari Beqiri, asambleiste në Dragash, është ndër më meritoret që projekti i tillë po jetësohet dhe prej tij po përfitojnë plot fëmijë. Një shteg është hapur edhe për gjeneratat e ardhshme që do të kenë edhe më shumë mundësi shkollimi e edukimi.
Xhylferie Bahtijari Beqiri tregon se çdo ditë merr falenderime nga nënat të cilat i sjellin fëmijët e tyre në këtë qendër.
“Sa herë që i shoh në ambientet shkollore e shoh shkëlqimin në fytyrat e fëmijëve dhe të nënave dhe e kuptoj sa kënaqësi është kur ato shohin fëmijët e tyre të luajnë me gjeneratat e ndryshme. Ky është falenderimi kryesor që dua të marr për punën time. Gjithmonë më mundonte fakti se shihja në oborr fëmijë të vegjël që nuk kishin mundësi të socializoheshin me njëri tjetrin, këtu edhe lindi ideja që të avokoj për këtë qendër brenda shkollës. Kam pasur përkrahjen e kryetarit të komunës por edhe të të gjithë të tjerëve në ardhjen në jetë të këtij projekti” tregon Bahtijari Beqiri.
A janë sot gratë e Dragashit, nënat e Dragashit, më të integruara dhe më të forta në vendimet për jetën e tyre? Patjetër që po, thotë Xhylferia.
“Gratë sot na bashkangjiten në çdo tubim, në çdo nismë tonën, vijnë edhe në shkollë e në qendër dhe i adresojnë kërkesat e problemet e tyre. Më herët, gjithçka shkonte në heshtje. Nënat sidomos janë shumë falenderuese për këtë projekt por edhe ato janë në pritje të një plani të madh përfundimtar të hapjes së një çerdheje tërë-ditore, ngase zgjidhjen e problemeve e bën ajo. Kjo tanimë është vetëm fazë fillestare por e cila po rezulton me shumë sukses. Inventari brenda ka ardhë nga Devolli Corporation dhe edukimi dhe loja që bëhet brenda në kopsht është e mahnitshme dhe ndihmon shumë në zhvillimin e hershëm të këtyre fëmijëve” vazhdon ajo.
“Mbështetje të fortë madje dhe vendimtare për realizimin e iniciativës kemi marrë nga UNICEF në Kosovë. UNICEF-it i jemi mirënjohës pafund. Megjithatë, së shpejti duam një objekt të madh ku do të kemi një çerdhe për të gjithë fëmijët, me orar të plotë, çka do të mundësonte edhe më shumë pavarësi e fuqizim për gratë dhe nënat tona.
Ambienti në të dyja objektet është i këndshëm, ka gjithandej lojë dhe kjo veç sa e plotëson pikturën e bukur të kësaj pjese. Gjelbërimi është kryefjala.
“Kuptohet se po, fëmija im tjetër po mbushë 3 vjeç dhe këtyre ditëve do ta regjistroj menjëherë në këtë kopsht. Dua që edhe ai ta përjetojë këtë ambient tërheqës dhe të përfitojë prej procesit mësimor” përfundon Xhylferie Bahtijari Beqiri.
Krejt kjo nismë ka filluar si partneritet mes UNICEF në Kosovë dhe Devolli Corporation, të cilët kanë bashkuar forcat për të zgjeruar shërbimet e zhvillimit në fëmijërinë e hershme duke mbështetur ngritjen dhe funksionimin e Qendrave të Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme me bazë në komunitet, të cilat ofrojnë mësim të bazuar në lojë dhe në përvojë për fëmijët nën 5 vjeç, si dhe shërbime për prindërit e tyre.
*UNICEF-i nuk e promovon asnjë kompani, markë, produkt ose shërbim.