Pse është i rëndësishëm edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme?

Vitet nga lindja deri në moshën pesë vjeçare janë kritike për shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien afatgjate të fëmijës.

UNICEF
English
UNICEF/2024/S.Karahoda
28 Janar 2025

Dëshmitë shkencore ndër dekada tregojnë se vitet e para të jetës së një fëmije janë kritike për të mbështetur zhvillimin e saj afatgjatë fizik, mendor, dhe emocional. Për shkak të shpejtësisë së rritjes së trurit dhe trupit të fëmijëve – veçanërisht në tri vitet e para të jetës – përvojat që ata kanë mund të kenë efekte gjatë gjithë jetës. Një nga përvojat që mund të ndihmojë është edukimi dhe kujdesi me cilësi të lartë në fëmijërinë e hershme (EKFH).

Kjo mund të bartë rëndësi të veçantë për fëmijët në situata të pafavorshme. Për shembull, varfëria mund të ketë efekte të gjera në zhvillimin afatgjatë të fëmijës, që fillojnë nga rreziku i shtuar për probleme të shëndetit mendor e deri te aftësitë më të dobëta njohëse. Kur fillojnë shkollën, fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta ose nga komunitete jo-shumicë janë në rrezik më të madh të kenë vonesa në të nxënë dhe të mbeten prapa bashkëmoshatarëve të tyre nga familje më të ardhura më të larta. Në terma afatgjatë, ata kanë rrezik më të madh për të përsëritur klasën dhe për të mos mbaruar shkollën e mesme.

Edukimi dhe kujdesi i cilësisë së lartë në fëmijërinë e hershme është dëshmuar se plotëson shumë nga këto boshllëqe. Teksa studimet eksperimentale të mirë-projektuara dhe afatgjata që ofrojnë prova përfundimtare shkak-pasojë mbi ndikimet e tij në moshën madhore janë të rralla, studimet që janë bërë kanë zbuluar se kur fëmijët me prejardhje nga grupet në situata të pafavorshme kanë edukim dhe kujdes të cilësisë së lartë në fëmijërinë e hershme, ata përjetojnë një sërë përfitimesh afatgjata.

Një nga benefitet më të qarta ka të bëjë me rezultatet njohëse dhe akademike. Disa studime të natyrës së rastësishme të kontrolluara kanë konstatuar se kur fëmijët me prejardhje nga grupe në sitauta të pafavorshme ndjekin edukim dhe kujdes të cilësisë së lartë në fëmijërinë e hershme, ata janë më të përgatitur për të filluar shkollën, kanë zhvillim më të mirë njohës dhe më shumë aftësi akademike në afat të gjatë. Në aspektin afatgjatë, ata arrijnë kualifikime të larta arsimore dhe kanë të ardhura më të larta në punë. Ata gjithashtu kanë mundësi më të ulta të përfshirjes në aktivitete penale.

Pjesëmarrja në edukim dhe kujdes të cilësisë së lartë në fëmijërinë e hershme mund të përmirësojë gjithashtu shëndetin fizik afatgjatë. Një studim i rastësishëm i kontrolluar, për shembull, zbuloi se kur fëmijët morën pjesë në programe të edukimit dhe kujdesit të cilësisë së lartë dhe me kohë/orar të plotë në fëmijërinë e hershme për pesë vitet e para të jetës, përfitimet shëndetësore zgjatën deri në moshën madhore. Kur ishin 21 vjeç, ata që ishin regjistruar në edukim dhe kujdes të cilësisë së lartë në fëmijërinë e hershme kishin më pak gjasa të shfaqnin sjellje të rrezikshme shëndetësore, të tilla si pirja e marihuanës ose mos vendosja e rripit të sigurimit; kishin shëndet më të mirë; dhe kishin shkallë më të ulët të depresionit sesa fëmijët që nuk ishin regjistruar. Në moshën 30-vjeçare, ata kishin nivele më të ulëta të faktorëve të ndryshëm të rrezikut për sëmundjet e zemrës, të tilla si rezultate më të mira të shtypjes së gjakut.

Hulumtimi gjithashtu qartësisht tregon se cilësia e edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme është thelbësore. Kur edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme është përhapur në shkallë të gjerë pa u siguruar që çdo program ka raporte të ulëta fëmijë-edukatorë, komponentë të mbështetjes dhe bashkëpunimit me familjaen, edukator të trajnuar mirë dhe pedagogji me fëmijën në qendër, përfitimet kanë qenë më të përziera ose të paqarta.

Raporti i UNICEF-it thekson nevojën jo vetëm për të ofruar qasje më të barabartë dhe më të përballueshme në edukim dhe kujdes në fëmijërinë e hershme, por për të siguruar që ai të jetë me cilësi të lartë. Në të vërtetë, analiza e UNICEF-it zbulon se në Evropë dhe Azinë Qendrore, nga qendrat edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme që raportojnë të dhënat e tyre, ka një raport/proporcion fëmijë-edukator prej dhjetë me një – një raport i lartë që mund të pengojë në atë se sa kohë dhe vëmendje cilësore mund t'i ofrojë një anëtar i stafit secilit fëmijë. Kualifikimet gjithashtu priren të jenë më të ulëta për anëtarët e stafit që punojnë me fëmijë më të vegjël, pavarësisht se sa të informuar jemi se sa rëndësi kanë vitet e para.