Ushqyerja

UNICEF-i punon për të përmirësuar ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël për të garantuar që çdo fëmijë të ketë një fillim sa më të mbarë në jetë

Ushqyerja
© UNICEF/Giacomo Pirozzi

Sfida

Pavarësisht përmirësimeve në ofrimin e shërbimit shëndetësor dhe rritjes ekonomike në Shqipëri, që kanë çuar në siguri më të madhe ushqimore dhe ushqyerje më të mirë në tërësi, fëmijët vazhdojnë të kequshqehen.

Sipas Studimit Demografik Shëndetësor të Shqipërisë (SDSH) të vitit 2010, 19% e fëmijëve kanë prapambetje në rritje dhe 22% janë mbipeshë dhe obezë. Sondazhe të tjera nga të viteve 2012 dhe 2013 tregojnë nivele të pamjaftueshme jodi te fëmijët në moshë shkollore dhe te gratë shtatzëna. Të dhëna te reja nga SDSH, do publikohen së shpejti.

Kequshqyerja, është shumë më tepër se pasiguria ushqimore. Ajo ekziston në komunitete ku ka siguri ushqimore. Disa nga shkaqet janë: njohuritë e pamjaftueshme për praktikat e të ushqyerit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël; kujdesi i pakët ndaj fëmijëve dhe aksesi i pamjaftueshëm në shërbime shëndetësore dhe shërbime të tjera sociale.

Sipas udhëzimeve të UNICEF-it dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, praktikat më të mira të të ushqyerit të fëmijëve të vegjël përfshijnë ushqyerjen e parë me gji brenda orës së parë të lindjes, ushqyerje vetëm me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës dhe ushqyerje me gji në vazhdim deri në moshën dyvjeçare, madje dhe më vonë, shoqëruar me ushqime të ngurta, gjysmë të ngurta dhe të buta, të sigurta dhe të përshtatshme sipas moshës, pas muajit të gjashtë.

Sipas Studimit Demografik Shëndetësor të Shqipërisë, 43 për qind e fëmijëve në Shqipëri e fillojnë ushqyerjen me gji brenda orës së parë të lindjes dhe vetëm 39 për qind ushqehen vetëm me gji.

Duke marrë në konsideratë përmasat e problemit dhe ndikimin e mundshëm, burimet që i jepen ushqyerjes së fëmijëve të vegjël në Shqipëri vazhdojnë të jenë të pakta.

Rëndësia e një qasjeje ndërsektoriale për kequshqyerjen e fëmijëve, nuk është kuptuar sic duhet dhe në fakt duhet të realizohet në një kombinim ideal të ndërhyrjeve me specifikë ushqyerjeje dhe të ndjeshme ndaj ushqyerjes.

Megjithëse Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për marketingun e zëvendësuesve të qumështit të gjirit për t’i mbrojtur nënat dhe fëmijët nga praktikat joetike të marketingut të kompanive që prodhojnë formula për bebet, mekanizmat e zbatimit të ligjit duhen përforcuar përfshirë dhe Jodizimin Universal të Kripës.

Zgjidhja

UNICEF-i punon bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) për të monitoruar statusin e ushqyerjes së fëmijëve nën moshën pesëvjeçare përmes të dhënave administrative dhe anketime në familje.

Me mbështetjen e UNICEF-it, MSHMS-ja dhe ISHP-ja kanë prezantuar tashmë gjashtë tregues të rinj për ushqyerjen (praktikat e të ushqyerit dhe monitorimi i rritjes) për monitorimin mbarëkombëtar dhe raportimin për të gjitha strukturat e kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor.

UNICEF vazhdon të mbështesë Inspektoratin e MSHMS-së në rishikimin e ligjit ekzistues për marketingun e zëvendësuesve të qumështit të gjirit dhe ka kryer një analizë krahasuese ndërmjet matjeve kombëtare dhe Kodit Ndërkombëtar të Marketingut të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit. Si rrjedhojë, ligji i ndryshuar, i miratuar nga Parlamenti, përforcon kriteret e etiketimit dhe masat administrative për shkeljet. Ndërsa,Inspektorati Shtetëror Shëndetësor do të monitorojë periodikisht zbatimin e ligjit.

Gjithashtu, UNICEF është duke punuar me Inspektoratin e MSHMS-së për përforcimin e ligjit ekzistues për Jodizimin Universal të Kripës që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për eliminimin e Çrregullimeve të Mungesës së Jodit (IDD) në Shqipëri.

Burimet

Për lexime të mëtejshme

Këto burime përbëjnë vetëm një pjesë të përzgjedhur të materialeve nga UNICEF nga e gjithë bota dhe nga partnerët e saj në Shqipëri. Lista përditësohet rregullisht për të përshirë të dhënat më të fundit.

 

Efekti afatgjatë i ushqyerjes me gji
Konsesusi i Kopenhagenit- rezultati dhe dokumenti i sfidave për kequshqyerjen
Lëvizja “Scaling up nutrition”