Përkushtim ndaj shërbimeve sociale

Historia e Sonilës, një punonjëse sociale në Bashkinë Kavajë

EU4SocialCare
-
UNICEF Albania
07 Janar 2026

Kur Sonila, një punonjëse sociale në Bashkinë e Kavajës kujton fillimet e saj në këtë detyrë, i rikthehet një ndjenjë e përzier pasigurie dhe përgjegjësie të madhe. Çdo rast i ri ishte si një udhë e paqartë. “Shpesh më duhej të mbështetesha vetëm te përvoja personale dhe intuita. Kjo më bënte të ndihesha e pasigurt,” - thotë ajo me sinqeritet.

Puna në shërbimet sociale nuk është kurrë e thjeshtë. Përballë saj ishin histori të vështira, familje që kërkonin ndihmë, fëmijë që prisnin zgjidhje të shpejta. Sonila ndjente se nuk kishte gjithmonë mjetet e duhura për të dhënë mbështetjen që ata meritonin.

Përmes mbështetjes së ofruar në kuadër të programit “BE për Kujdesin Social” tashmë Kavaja ofron një shërbim social me karakter komunitar. Falë kësaj mbështetje nga Bashkimit Evropian, zhvillohen trajnime të ndryshme, të cilat i dhanë mundësinë Sonilës t’I jepte një drejtim tjetër punës së saj. Aty ajo mori pjesë në një sërë trajtimesh: nga menaxhimi i rasteve, tek komunikimi me familjet, nga teknikat e ndërhyrjes në situata të vështira deri tek legjislacioni i shërbimeve sociale. “Ishte hera e parë që ndieja se po merrja mjetet praktike që më mungonin,” - tregon ajo. 

Me kalimin e kohës, ajo nisi të vinte në jetë njohuritë e reja. Aftësitë e komunikimit aktiv dhe hartimi i planeve individuale të mbrojtjes u bënë pjesë e pandarë e punës së saj. Sot, Sonila arrin të analizojë situatat me qetësi dhe të kërkojë mbështetje kur është e nevojshme.

Një rast i veçantë i ka mbetur në mendje: një familje që përballej me dhunë. Dikur, një situatë e tillë do ta kishte trembur, por falë trajnimit ajo arriti të vendosë përparësinë te siguria e viktimës dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse. “Ky rast përfundoi me një zgjidhje pozitive. Sot jam e bindur se pa trajnimet nuk do kisha mundur të menaxhoja situatën me kaq siguri,” - thotë Sonila.

Nga një punonjëse që ndihej e pasigurt, sot Sonila është një profesioniste e strukturuar dhe me më shumë besim te vetja. Ajo e di se rruga e zhvillimit të saj professional nuk ka mbaruar. “Jam shumë entuziaste për të marrë pjesë në trajnimet e mëtejshme me simulime rastesh reale, si edhe mbështetje të vazhdueshme pas tyre, të cilat do të ofrohen nga UNICEF dhe World Vision në vijim të BE për Kujdesin Social - shton ajo.

Historia e Sonilës tregon se sa mund të ndryshojë puna e një punonjësi social kur ka në dorë mjetet e duhura. Trajnimet nuk i dhanë vetëm njohuri të reja – i dhanë siguri, besim dhe mundësinë për të qenë mbështetja që fëmijët dhe familjet në nevojë presin.