Ndërhyrja e Hershme, Ndikim i Qëndrueshëm
Lexoni historinë e Lorit nga Elbasani
Njihuni me historine e Lorit, nje nënë e re, e papunë, me dy vajza të vogla, një 24 muajshe dhe një vetëm 9 muajshe. Ajo vjen nga një familje që përballej me varfëri të skajshme dhe vështirësi të thella sociale. Stafi shëndetësor në qytetin e Elbasanit, me infermiere Esmeralda Matoshi, gjatë vizitave rutinë të ndjekjes së fëmijëve në komunitet, identifikoi menjëherë situatën e vështirë te familjes dhe e raportuan në njësinë e mbrojtjes së Fëmijëve në Bashki.
Lori* pervec kushteve ekonomike, përjetonte edhe dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti. Gjendja e Lorit, përkeqësohej edhe më tepër për shkak se ajo nuk kishte asnjë mbështetje familjare. Gjatë kontaktit të parë, infermierja e ftoi nënën në “Qendrën Shëndetësore” për kontrollin rutinë të foshnjës 9-muajshe. Kjo vizitë do të shënonte një pikë kthese në jetën e Lorit dhe fëmijëve të saj.
Në Qendrën Shëndetësore, ajo u prit me ngrohtësi, mirëkuptim dhe respekt, duke ndjerë për herë të parë pas shumë kohësh se, po dëgjohej dhe se ishte e sigurt. Në një ambient mbështetës dhe miqësor, stafi shëndetësor zhvilluan një bisedë të hapur me të, gjatë së cilës Lori u inkurajua të ndërmerrte hapin për të raportuar dhunën që po përjetonte. Falë këtij momenti, ajo gjeti guximin brenda vetes për ta denoncuar bashkëshortin e për të rinisur një jetë të sigurt e me dinjitet.
“Për herë të parë ndjeva se dikush po më dëgjonte dhe se nuk isha vetëm. Aty gjeta forcën për të kërkuar ndihmë për veten dhe vajzat e mia,” shprehet Lori, ndersa dukej e qete.
Pas këtij momenti vendimtar, ajo u referua pranë Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe shërbimeve sociale për vlerësim profesional dhe këshillim. Me mbështetjen e punonjësit të Mbrojtjes së Fëmijëve në Bashkinë Elbasan dhe përmes koordinimit ndërinstitucional, nëna u mbështet për të siguruar mirëqënien e fëmijëve të saj, përmes plotësimit të nevojave thelbësore që ato kishin.
Lori, tashmë është pjesë e programit të mbështetjes familjare dhe ndjek rregullisht klasat e prindërimit. Mbështetja vazhdon edhe përmes Qendrës Komunitare “Balashe” të Bashkisë Elbasan, për të garantuar sigurinë e saj, jetesën e pavarur dhe kujdesin e duhur për fëmijët.Vajzat e saj po rriten nën kujdesin dhe ngrohtësinë e nënës së tyre, tashmë në një mjedis më të sigurt dhe më të dashur. Ajo vazhdon të ndiqet nga shërbimet psikosociale dhe Qendra Shëndetësore, duke marrë këshillim, kujdes dhe mbështetje psikologjik.
Falë kujdesit të duhur dhe ndërhyrjes së hershme profesionale, rasti i Lorit përbën një dëshmi të force, guximi dhe shprese, për t’i bërë ballë situatave të vështira jetësore. Falë vëmendjes së infermieres, ndërhyrjes së menjëhershme të stafit shëndetësor dhe shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve, si dhe bashkëpunimit të fortë institucional, një nënë që përjetonte dhunë të vazhdueshme, dhe e dëshpëruar për një zgjidhje, gjeti rrugën drejt sigurisë, dinjitetit dhe një të ardhmeje më të mirë për veten dhe vajzat e saj.
Sot, kjo nënë është një dëshmi frymëzuese e qëndresës dhe fuqisë për t’u rimëkëmbur, duke treguar se ndonjëherë mjafton një moment për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.Kjo mundësi erdhi përmes një projekti të mbështetur nga UNICEF, i zbatuar nga Partnership for Development Foundation, në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së, #LEAP.
Programi i Përbashkët i OKB-së, “Fuqizimi dhe mbrojtja gjithë jetës në Shqipëri (LEAP)”, mbështetet nga Fondi i Përbashkët për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe synon fuqizimin socio-ekonomik në nivel vendor, përmes rritjes së mundësive për punësim dhe mbrojtje sociale.
*emri është ndërruar për të ruajtur konfidencialitetin e përfituesit të shërbimeve