Mbrojtja e fëmijëve në zonat e thella

Histori njerëzore

UNICEF Albania
Child Protection
UNICEF/ALB/Giacomo Pirozzi

18 Tetor 2018

Është dimër dhe bën ftohtë në zonën e Devollit, 170 km nga Tirana. Bashkia e Devollit ka 48 mijë banorë të shpërndarë në 5 njësi administrative. Ka vetëm një çerdhe dhe 32 kopshte për 949 fëmijë të vegjël, ndërsa 4120 femijet janë në shkollë nëntëvjecare.

Në vitin 2017, Bashkia krijoi Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Eneida Kello është e vetmja punonjëse në këtë strukturë. Ne u takuam me të në zyrën e saj që e ndan me 5 kolegë të tjerë të shërbimeve sociale që merren me ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar dhe dhunën ndaj grave.

“Njerëzit në Devoll janë të butë, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike apo papunësisë; megjithatë rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje jane ende të larta”, thotë Eneida. Punonjësja që merret me dhunën në familje na tregon se aktualisht kanë menaxhim 16 raste të grave dhe fëmijëve në situatë dhune. “Për fat të keq, edhe kur janë me urdhër mbrojtjeje, nuk kemi një vend ku të strehojmë gratë dhe fëmijët e rrezikuar. Shpesh ata duhet të rrinë në të njëjtën shtëpi me dhunuesin”-shpjegon ajo. Bashkia e Devollit nuk ka një qendër ditore për fëmijët, por kryetari I bashkisë dhe Bashkia kanë identifikuar së fundmi një ndërtesë  që të mund të përshtatet si e tillë. Megjithatë, nevojitet buxhet dhe investime shtesë që ta bëjnë qendrën funksionale, përfshirë edhe personel të specializuar.

“Njerëzit në Devoll janë të butë, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike apo papunësisë; megjithatë rastet e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje janë ende të larta”

“Buxheti ynë është i vogël, por ne përpiqemi të bëjmë më të mirën. Jemi ndër të paktat bashki që përdorim 6 % e buxhetit tonë për të mbështetur familjet në nevojë,” thotë kryetari i Bashkisë. Eneida ka regjistruar 13 raste të mbrojtjes së fëmijëve gjatë 2017-ës. Shumica e tyre vijnë nga komuniteti rom. Një nga rastet më të vështira me të cilat ajo është përballur së bashku me kolegun e saj Xheni (specialist I ndihmës ekonomike) ishte ai i një adoleshenteje, e cila u braktis nga familja. Babai i saj ishte ne burg dhe nëna kishte probleme të shëndetit mendor. Ajo jetonte me gjyshen derisa një ditë e përzunë nga shtëpia pa arsye. Vajza kishte nevojë për mbrojtje të menjëhershme, pasi ishte në rrezik trafikimi. Eneida nisi procedurat për vendosjen e saj në një qendër rezidenciale në një qytet tjetër dhe kërkoi mbështetje nga organizata ARSIS, e cila ka një përvojë të gjatë për këto raste. Së bashku me Xhenin, ajo udhëtoi në qytetin ku kryente dënimin babai I vajzës dhe mori deklaratën e tij se ishte dakord për vendosjen në qendër. Vendosja në institucionin rezidencial rezultoi një proces jo i lehtë për vajzën. Gjithçka ishte ndryshe dhe e huaj në “shtëpinë” e saj të re. Ajo u largua për disa ditë nga qendra, por me ndihmën e policisë u gjet dhe u bind nga Eneida të rikthehej ne qëndër. Tani duket se cdo gjë shkon mirë, vajza ndjek shkollën rregullisht dhe Enedia (PMF) është vazhdimisht në kontakt me qendrën për të monitoruar ecurinë e saj.

“Shumica e rasteve na referohen nga policia, por edhe nga puna në terren. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me shkollat, Shërbimin Social Shtetëror, gjykatat, etj. Ka edhe disa organizata bamirësie që veprojnë në Devoll që na ndihmojnë shumë, pasi ato mbështesin familjet dhe fëmijët në nevojë me paketa ushqimore dhe strehim” pranon Eneida.

“Shumica e rasteve na referohen nga policia, por edhe nga puna në terren. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me shkollat, Shërbimin Social Shtetëror, gjykatat, etj”

Dalim nga Bashkia dhe shohim një grup nxënësish që kthehen nga shkolla. Eneida shpjegon që në Bilisht-qendra e Bashkisë- si në shumë qyteza të tjera, fëmijët nuk kanë shumë zgjedhje për kohën e lirë apo veprimtari krijuese. Ka vetëm një mundësi për ta, kampi veror i organizuar në bashkëpunim me ARSIS. “Në fillim ishin vetëm 30 fëmijë të regjistruar, por në fund kishim 150. Fëmijët mezi presin fillimin e kampit këtë vit,” – thotë ajo.

Bashkia e Devollit po përfundon Planin Social dhe shpresohet që ai të adresojë nevojat bazë të fëmijëve duke filluar nga ato më urgjentet. Me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, UNICEF dhe ARSIS po mbështesin punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve në Tiranë, Devoll dhe Dibër të japin shërbime më të mira dhe cilësore për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri.