Mbështetja psikologjike, shtysë për integrimin social
Një histori ndryshimi pozitiv falë mbështetjes së BE për Kujdesin Social
- English
- Shqip
Ankthi, tensioni i brendshëm, vështirësitë në përqendrim, shqetësimet e ndryshme fizike dhe mendimet shqetësuese që nuk i largonte dot, e shtynë Lorën* që të kërkonte mbështetje psikologjike. Ky është padyshim një shembull sesi shërbimet mbështesin riintegrimin social të individëve në nevojë. Problemet psikologjike të Lorës, ndikonin në mënyrë të dukshme në jetën e saj sociale dhe në aftësinë për të përballuar stresin e përditshëm, duke e bërë pjesëmarrjen në aktivitete të zakonshme të jetës të vështirë dhe shpeshherë të pamundur.
Gjendja e saj ndryshoi kur filloi të ndiqte seanca të rregullta psikologjike, të cilat iu ofruan përmes projektit “Zinxhira Social Rise!”, zbatuar nga Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Instituti i Kulturës Rome Shqipëri, mbështetur nga programi “BE për Kujdesin Social”. Mbështetja psikologjike u bazua në parimet e psikoterapisë kognitive-sjellore (CBT) dhe terapisë mbështetëse, duke përfshirë identifikimin dhe sfidimin e mendimeve negative që nxisin ankthin, mësimin e teknikave të relaksimit dhe frymëmarrjes për të reduktuar tensionin fizik, zhvillimin e vetëdijes emocionale dhe aftësisë për të njohur shkaktarët e ankthit, si dhe inkurajimin për pjesëmarrje aktive në aktivitete sociale dhe në një rutinë ditore të qëndrueshme.
Përmes ndërhyrjeve të vazhdueshme, Lora u angazhua plotësisht në procesin terapeutik, duke reflektuar mbi mendimet dhe sjelljet e saj dhe duke ndjekur me përkushtim ushtrimet e dhëna përmes seancave. Hap pas hapi, periudhat e ankthit u shkurtuan dhe u bënë më të lehta për t’u menaxhuar, ndërsa qetësia emocionale dhe vetëkontrolli i saj u rritën ndjeshëm. Ajo rifitoi besimin tek aftësitë e saj për t’u përballur me sfidat e përditshme dhe u bë më e hapur ndaj komunikimit, më e vetëdijshme për gjendjen e saj emocionale dhe më aktive në marrëdhëniet sociale. Ky proces është një tregues se si mbështetja profesionale e vazhdueshme dhe përkushtimi personal mund të shndërrojnë mënyrën se si një person përballet me ankthin dhe sfidat emocionale.
Rasti i Lorës përfaqëson një model pozitiv, duke treguar kështu se dhe personat që përballen me nivele të larta ankthi e vështirësi në funksionimin social mund të përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien e tyre emocionale dhe pjesëmarrjen aktive në komunitet. Historia e saj dërgon një mesazh të qartë dhe frymëzues: me mbështetje të qëndrueshme, ndërhyrje të specializuar dhe përkushtim personal, çdo individ mund të zhvillojë aftësi të reja, të fitojë vetëbesim dhe të bëhet një kontribues aktiv në shoqëri.
Përmes këtij rrugëtimi, Lora është një shembull i fuqisë për të rimarrë drejtimin e jetës dhe zhvillimit të potencialit, falë ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara. Për komunitetin dhe për të gjithë personat e tjerë që përballen me sfida të ngjashme, rrugëtimi i saj është një model se si mbështetja profesionale dhe përkushtimi personal mund të çojnë nga izolimi emocional tek fuqizimi dhe pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore.
Kjo histori sukesi u realizua si pjesë e projektit “Fuqizimi i Kapaciteteve të Qendrës Sociale Komunitare Zinxhira për të Ofruar Shërbime të Specializuara dhe Gjithëpërfshirëse për Komunitetet në Nevojë në Gjirokastër”, i zbatuar nga Bashkia Gjirokastër në partneritet me organizatën IRCA, si pjesë e programit “BE për Kujdesin Social”. Ai financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNICEF Shqipëri e World Vision Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
*Emri i personit është ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e tyre.