Fuqizimi i Mbrojtjes së Fëmijëve në Shkolla
Parimet Etike që Udhëheqin Shërbimet Psiko-Sociale dhe Oficerët e Sigurisë në Shkolla në Mbrojtjen e Mirëqenies dhe Sigurisë së Fëmijëve në Shkollat e Shqipërisë
Rreth nesh
Dy dokumentet, “Parimet për Etikën Profesionale të Shërbimit Psiko-Social Shkollor” dhe “Parimet për Etikën Profesionale të Oficerëve të Sigurisë në Shkolla”, janë hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar me mbështetjen e UNICEF, në kuadër të “Planit Kombëtar të Veprimit për Fuqizimin e Mekanizmave të Parandalimit të çdo Forme Dhune dhe Bullizmi” të hartuar nga Ministria e Arsimit me suportin tekinik të UNICEF.
Këto dokumente adresojnë çështje kyçe të shëndetit mendor, mirëqenies dhe sigurisë në shkolla, duke u bazuar në objektivat strategjikë të arsimit dhe në zhvillimet aktuale në nivel kombëtar dhe lokal. Ato mbështeten në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë në përputhje me standardet e shoqatave prestigjioze të psikologjisë shkollore në SHBA.
Materialet shërbejnë si udhëzues për psikologët, punonjësit socialë dhe oficerët e sigurisë mbi sjelljen profesionale dhe etike ndaj fëmijëve në shkolla. Këta profesionistë kanë detyrim ligjor dhe etik për të mbrojtur nxënësit nga rreziqet që cenojnë mirëqenien psiko-emocionale dhe sigurinë e tyre, duke bashkëpunuar me aktorë të tjerë dhe duke vendosur në qendër të drejtat e fëmijëve.
Parimet kryesore përfshijnë: respektimin e ligjit dhe etikës, ruajtjen e konfidencialitetit, mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, promovimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm, parandalimin e dhunës, komunikimin profesional, përgjegjshmërinë, kompetencën dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional etj.