Imunizimi është një nga mënyrat më pak të kushtueshme për mbrojtjen e jetës dhe të ardhmes së fëmijëve.

27 Prill 2018
Immunization
UNICEF/ALB/2018/Olsi Beci

Tiranë 27 prill, 2018- Java Botërore e Imunizimit zhvillohet çdo vit në fund të prillit, me qëllim promovimin e vaksinimit jetëshpëtues të të gjithë personave, sidomos të atyre fëmijëve që nuk mund të marrin këtë shërbim. Aktivitetet e organizuara gjatë Javës Botërore të Imunizimit janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, të cilat janë mbështetur nga OBSH-ja dhe UNICEF-i.

Zbatimi në shkallë të gjerë i programeve të imunizimit gjatë 30 viteve të fundit ka sjellë një ulje drastike të sëmundjeve dhe vdekjeve të shkaktuara nga sëmundje të parandalueshme nga vaksinat. Megjithatë, duhet bërë më shumë. Nga 10.7 milionë foshnjat që lindin çdo vit në rajonin e Evropës, pothuajse 650,000 nuk vaksinohen me të tre dozat për difterinë, tetanosin dhe pertusin brenda moshës njëvjeçare. Në çdo shtet ka popullsi vulnerabël.

Niveli i ulët i mbulimit të programit të imunizimit vë në rrezik arritjet në të gjitha fushat e tjera të shëndetit për nënat dhe fëmijët. Fëmijët e pavaksinuar privohen në disa aspekte, duke përfshirë aksesin në arsim, ushqyerjen e duhur dhe shërbime të tjera jetësore. Krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre më të pasur, fëmijët nga familjet më të varfra në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, kanë dy herë më tepër gjasa për të humbur jetën përpara moshës pesëvjeçare.

Në Shqipëri, mbulimi me vaksina i fëmijëve të moshave 0-1 vjeç, vazhdon të jetë i lartë, në nivelin 97 për qind, gjë që është për t'u lavdëruar. Megjithatë, mbulimi me vaksina është i ulët për disa nëngrupe të caktuara. Duhen bërë përpjekje të vazhdueshme për trajtimin e pabarazive në mbulimin e imunizimit, prioritizimin e grupeve të popullsisë që arrihen me vështirësi, duke përfshirë fëmijët e komunitetit rom, dhe në ruajtjen e besimit te publiku për rëndësinë e imunizimit.

“UNICEF-i dhe partnerët tanë po punojnë që të sigurojnë mbrojtjen e jetës së të gjithë fëmijëve. Nëse nuk i jepet prioritet vaksinimit, atëherë disa prej fëmijëve më të marxhinalizuar nuk do të mund të përfitojnë nga e drejta e tyre për imunizim, që për ta është çështje për jetë a vdekje” u shpreh Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri.

Nazira Artykova, përfaqësuese e OBSH-së në Shqipëri, u shpreh: “Çdo njeri meriton të mbrohet nga sëmundjet që mund të parandalohen nga vaksinat dhe duke zgjedhur të vaksinohet, ky veprim luan një rol të rëndësishëm edhe në mbrojtjen e të tjerëve. Ju inkurajojmë që të konsultoheni me mjekun tuaj dhe të kontrolloni kartelat e imunizimit të familjeve tuaja, që të siguroheni nëse janë të gjithë plotësisht të mbrojtur”.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri financon 100 për qind dhe vazhdimisht Programin e Zgjeruar për Imunizimin, prokurimin e vaksinave dhe zgjerimin e kalendarit të imunizimit me vaksina të reja. OBSH dhe UNICEF në Shqipëri janë partnerë të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe mbështesin përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmirësimin e shërbimeve kombëtare të imunizimit, lidhur me zhdukjen e poliomielitit (është deklaruar se në Shqipëri,që nga viti 2002, nuk ka pasur asnjë rast poliomieliti), eliminimin e fruthit, ndërgjegjësimin për imunizimin, dhe forcimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë në vend.

Në kuadrin e përmbushjes së rolit të saj drejtues në shëndetin publik, OBSH-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje teknike, të shërbejë si katalizator ndryshimesh, dhe të ngrejë një kapacitet të qëndrueshëm institucional për kontrollin e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat.

UNICEF-i është blerësi më i madh në botë i vaksinave, që mbulojnë rreth 40 për qind të fëmijëve në botë dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë me shërbimet e prokurimit të vaksinave.

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Mariana Bukli

Specialiste e Shëndetit dhe Ushqyerjes

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook