Foshnjat e premature morën kujdesin e nevojshëm fal partneritetit midis Fondacionit CREDINS dhe UNIC

Si një partneritet midis Fondacionit CREDINS dhe UNICEF ndihmoi foshnjat e premature të mbijetojnë

UNICEF Albania
Premature incubator at work
UNICEFAlbania/2024
04 Qershor 2025

Elvira mbështeti butësisht dorën e saj në murin transparent të inkubatorit, duke parë vajzën e saj të porsalindur, Borën, të flinte nën një rrëmujë tubash dhe dritash që ndizeshin. E lindur pas vetëm 28 javëve dhe me peshë gati 1.2 kilogramë, Bora kishte ardhur në botë shumë herët - e brishtë, e heshtur dhe duke luftuar për çdo frymëmarrje.

"Isha e tmerruar," kujton Elvira. "Ajo ishte kaq e vogël... Nuk isha e sigurt nëse do të mbijetonte."

Por brenda asaj makine gumëzhitëse- një inkubator - Bora gjeti ngrohtësinë dhe mbështetjen që i nevojitej për të jetuar. Për Elvirën, ishte më shumë sesa një pajisje mjekësore. Ishte shpresa në një formë të prekshme.

Falë bujarisë së Fondacionit CREDINS, një platformë për mbledhjeje fondesh, Smile.al, u vu në dispozicion për t'i dhënë Borës dhe shumë fëmijëve të tjerë si ajo, një mundësi për të qenë gjallë dhe për t'u rritur. Përmes një fushate frymëzuese që mobilizoi dhurimet individuale, u mblodhën 100.000 $. Me këto fonde, 10 inkubatorë që shpëtojnë jetë dhe tre sisteme Bubble CPAP për mbështetjen e frymëmarrjes u dorëzuan në njësitë neonatale të Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Durrësit - maternitete që mirëpresin 10.000 të porsalindur çdo vit.

Bora ishte njëra prej tyre. Çdo ditë, për dy muaj me rradhë, Elvira ulej pranë makinës që e mbante vajzën e saj gjallë. Ajo pëshpëriste këngë përmes xhamit. Ajo numëronte çdo gram të shtuar. Ajo shikonte lëvizje të vogla që dikur dukeshin të pamundura. Derisa një ditë, dëgjoi një infermiere të thoshte: "Ajo është gati."

"E mbajta në krahët e mi - e mbajta vërtet - për herë të parë që kur lindi. Qava," thotë Elvira, me sytë që i shkëlqejnë. "Në atë moment e dija se do t'ia dilte."

Historia e Borës nuk është vetëm një dëshmi e kujdesit mjekësor. Është një histori e bujarisë së komunitetit, dhembshurisë së korporatave dhe dashurisë së palëkundur të një nëne. Kështu ndodh kur kampionë të sektorit privat si Fondacioni CREDINS ngrihen për të mbrojtur të drejtat dhe jetën e të porsalindurve.

“Përkushtimi i Fondacionit CREDINS për të frymëzuar veprime, për të dhënë bujarisht dhe për të mobilizuar burime, nxjerr në pah rolin e jashtëzakonshëm që sektori privat mund të luaj në ndërtimin e një të ardhmeje më të shëndetshme për fëmijët e Shqipërisë”, tha Murat Sahin, Përfaqësues i UNICEF në Shqipëri. Ky bashkëpunim është një shembull i mrekullueshëm i asaj që mund të arrijmë kur bashkohemi, bashkëpunojmë me sektorin privat dhe festojmë Muajin e Prindërimit së bashku me mijëra familje në të gjithë Shqipërinë.”

Elvana Hana, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit CREDINS, theksoi gjithashtu ndikimin e angazhimit të përbashkët:

Motoja e SMILE.al është se çdo jetë ka rëndësi. Kjo është filozofia me të cilën ne zgjedhim partnerët tanë. Aleanca jonë me UNICEF synon t'i japë çdo të porsalinduri një fillim më të sigurt në jetë.

Elvana Hana, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit CREDINS

Përmes mbështetjes strategjike, UNICEF jo vetëm që po ofron pajisje mjekësore, por edhe po trajnon punonjësit e shëndetësisë, po zhvillon protokolle trajtimi dhe po bashkëpunon me qeveritë për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme kujdesi. Për Borën, udhëtimi sapo ka filluar. Për Elvirën, mirënjohja është e pafundme. Dhe për mbështetësit si ju, që klikuan, ndanë dhe dhuruan, ky është ndryshimi që arritët. I dhatë një bebeje të porsalindur frymën e saj të parë.

****

Emri i nënës dhe fëmijës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.