Bie besimi te vaksinat e fëmijërisë në Evropë dhe në Azinë Qendrore – sipas raportit të ri të UNICEF
Gati 1 milion fëmijë në Evropë dhe në Azinë Qendrore kanë lënë pa bërë një ose disa prej vaksinave rutinë që nga fillimi i pandemisë së COVID-19-s
- English
- Shqip
NJU JORK, 20 prill 2023 - Perceptimi i publikut për rëndësinë e vaksinave të fëmijërisë ka rënë kudo në Evropë dhe në Azinë Qendrore, që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, sipas një analize të re të të dhënave nga 55 vende kudo nëpër botë, ku 29 prej të cilave ndodhen në Evropë dhe në Azinë Qendrore. Analiza paraqitet në një raport të ri të publikuar sot nga UNICEF.
Gjendja e Fëmijëve në Botë 2023: Për Çdo Fëmijë, Vaksinim është vlerësimi më gjithëpërfshirës i imunizimit rutinë që është zhvilluar ndonjëherë nga UNICEF-i. Ai vë re se në 29 vendet në Evropë dhe në Azinë Qendrore që trajtohen në raport, perceptimi për rëndësinë e vaksinave për fëmijët ka rënë me më shumë se 10%. Në shumicën e vendeve të analizuara, njerëzit nën moshën 35 vjeç dhe femrat raportohet të jenë personat me më pak besim te vaksinat e fëmijërisë.
“Rënia e besimit te vaksinat e fëmijërisë është shumë shqetësuese. Imunizimi është një nga historitë më të spikatura të suksesit të njerëzimit. Janë në lojë shumë jetë për t’i lënë të bien pre e një vale frike dhe dezinformimi të ushqyer nga pandemia”, u shpreh Philippe Cori, Zëvendës Drejtor Rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Rënia e besimit përkon me prapavajtjen më të madhe e të qëndrueshme në imunizimin e fëmijërisë në këto 30 vjet. Pandemia e ndërpreu vaksinimin e fëmijërisë pothuajse kudo, më së shumti për shkak të kërkesave në rritje për sistemet e shëndetësisë, zhvendosjen e burimeve për imunizimin drejt vaksinimit kundër COVID-19-s, pamjaftueshmëri të punonjësve të shëndetësisë dhe masave të izolimit në shtëpi. Si pasojë, 67 milionë fëmijë në mbarë botën lanë pa bërë vaksinime rutinë midis 2019-s dhe 2021-shit, duke bërë që të binin nivelet e mbulimit me vaksinim në 112 shtete.
Gati një milion fëmijë që lanë pa bërë një ose disa vaksinime rutinë jetojnë në Evropë dhe në Azinë Qendrore. 327,400 prej tyre janë “me doza zero“ - fëmijë që nuk kanë bërë asnjë vaksinim dhe fëmijë “të pavaksinuar mjaftueshëm“ - që nuk kanë marrë dozën e tretë të vaksinës që nevojitet për difterinë-pertusin-tetanozin (DPT3) - tregues të rëndësishëm për mbulimin imunitar.
Bosnja dhe Hercegovina, Kirgizistani, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina kanë shkallën më të lartë të fëmijëve me doza zero në rajon. Bosnjë dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Rumania dhe Ukraina kanë shkallën më të lartë të fëmijëve të të pavaksinuar mjaftueshëm.
Në Shqipëri, gjatë 2021-shit, nuk kanë marrë asnjë vaksinë rutinë 581 fëmijë gjithsej, ose 2% e fëmijëve nën moshën 1 vjeç. Mbulimi me MCV 1 (vaksina kundër fruthit) ka rënë, nga 94% në 2019-n, në 87% në 2021-shin.
Pandemia ka përkeqësuar dhe pabarazitë ekzistuese. Mbulimi imunitar është veçanërisht jo uniform te fëmijët romë, që i përkasin një prej minoriteteve më të mëdha dhe më të margjinalizuara në Evropë.
UNICEF po u bën thirrje qeverive që t’i dyfishojnë përpjekjet për të rritur financimin për imunizimin dhe për të punuar me palët e interesit për të mundësuar burimet e mundshme, përfshirë dhe fonde të mbetura të COVID-19-s, për të zbatuar dhe përshpejtuar me urgjencë përpjekjet për vaksinimin e prapambetur që të mbrohen fëmijët dhe të parandalohet përhapja e sëmundjeve.
Raporti përmban një sërë rekomandimesh për qeveritë, përfshirë:
• Identifikimin dhe arritjen e të gjithë fëmijëve, sidomos të atyre që kanë lënë pa bërë vaksina gjatë pandemisë së COVID-19-s
• Forcimin e besimit tek vaksinat dhe të kërkesës për to, nëpërmjet dhe bashkëpunimit më të madh me komunitetet për të trajtuar nevojat dhe shqetësimet e tyre lidhur me vaksinimin
• Dhënien përparësi financimit për shërbimet imunitare dhe kujdesin parësor shëndetësor
• Krijimin e sistemeve të qëndrueshme shëndetësore nëpërmjet investimit për punonjëse shëndetësore femra, inovacionin dhe prodhimin lokal
Imunizimi është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve. Për të minimizuar përhapjen e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat dhe lëngimit të panevojshëm, nxisim qeveritë dhe donatoret, që t’i ridrejtojnë fondet e mbetura të COVID-19-s për të forcuar shërbimet imunitare dhe për të mundësuar mbulimin me imunizimin rutinë të të gjithë fëmijëve, kudo që të ndodhen,“ u shpreh Cori.
Kontakte me mediat
About UNICEF
UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.
For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.