Deklaratë e përbashkët e Drejtori Ekzekutiv të UNICEF Catherine Russell dhe Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus me rastin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji

01 Gusht 2023

Nju Jork / Gjenevë, 1 gusht 2023 - Në 10 vitet e fundit, shumë vende kanë bërë përparime të konsiderueshme për rritjen e normës së ushqyerjes vetë me gji. Megjithatë ka mundësi të bëhet edhe më shumë përparim nëse ushqyerja me gji mbrohet dhe mbështetet, veçanërisht në vendin e punës.

 

Këtë Javë Botërore e Ushqyerjes me Gji me temën e saj “Të bëjmë të mundur ushqyerjen me gji në vendin e punës“, UNICEF dhe OBSH po theksojnë nevojën për mbështetje më të madhe për ushqyerjen me gji në të gjitha vendet e punës, me qëllim ruajtjen dhe përparimin e normës së ushqyerjes me gji në të gjithë botën.

 

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, prevalenca e ushqyerjes vetëm me gji është rritur me 10 pikë përqindje, ne 48 përqind në shkallë botërore, që është rritje e konsiderueshme. Vende të ndryshme si Bregu i Fildishtë, Ishujt Marshall, Filipinet, Somalia, Uzbekistani dhe Vietnami kanë arritur rritje të mëdha në shkallën e ushqyerjes me gji, duke treguar që progresi është i mundur kur ushqyerja me gji mbrohet, promovohet dhe mbështetet.

 

Megjithatë, për të arritur synimin botëror prej 70 përqind deri në vitin 2030, duhet të trajtohen pengesat me të cilat përballen gratë dhe familjet për arritjen e synimeve të tyre për ushqyerjen me gji.

 

Pikë kyçe janë edhe vendet mbështetëse të punës. Provat tregojnë se ndërsa shkalla e ushqyerjes me gji bie në mënyrë të konsiderueshme kur gratë kthehen në punë, ky ndikim negativ mund të eliminohet kur vendet e punës i mundësojnë nënave të vijojnë ushqyerjen me gji të foshnjave të tyre.

 

Politikat miqësore për familjen në vendin e punës, si leja e paguar e lindjes, pushimet për ushqyerjen me gji, dhe një dhomë ku nënat të mund të ushqejnë me gji ose të shtrydhin qumësht, krijojnë një mjedis që sjell përfitime jo vetëm për gratë që punojnë dhe familjet e tyre, por edhe për punëdhënësit. Këto politika sjellin përfitime ekonomike duke ulur shkallën e mungesave të lidhura me të qenit nënë, rritur shkallën e mbajtjes së punëtoreve gra në personel, dhe duke ulur kostot për marrjen në punë dhe trajnimin e personelit të ri.

 

Që prej momenteve të para të jetës së fëmijës, ushqyerja me gji është ndërhyrja themelore për mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës. Ushqyerja me gji mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme infektive dhe forcon sistemin imunitar të fëmijës duke siguruar lëndë ushqyese kyçe të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e plotë të fëmijëve. Fëmijët që nuk ushqehen me gji kanë 14 herë më shumë gjasa të vdesin përpara se të mbushin një vjeç, krahasuar me foshnjat që ushqehen ekskluzivisht me gji.
 

Mbështetja e ushqyerjes me gji në vendin e punës është pozitive për nënat, foshnjat dhe bizneset dhe kjo është arsyeja pse UNICEF dhe OBSH po i bëjnë thirrje qeverive, donatorëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat për të shtuar përpjekjet e tyre për:

 

  • Sigurimin e një ambienti mbështetës për ushqyerjen me gji për të gjitha nënat e punësuara, përfshirë ato në sektorin informal ose me kontrata të përkohshme, duke u garantuar qasje në pushime të rregullta dhe ambiente për ushqyerjen me gji, për t'i mundësuar kështu nënave të vijojnë të ushqejnë me gji fëmijët e tyre edhe pasi kthehen në punë.
     
  • Sigurimin e lejes së mjaftueshme të paguar për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e punësuar, me qëllim përmbushjen e nevojave të të vegjëlve të tyre. Këtu përfshihet leja e lindjes prej të paktën 18 muaj, mundësisht me një periudhë prej gjashtë ose më shumë muajsh pas lindjes.
     
  • Rritjen e investimeve për politikat dhe programet e mbështetjes së ushqyerjes me gji në të gjitha kontekstet, përfshirë politika dhe programe kombëtare që normojnë dhe nxisin mbështetjen për gratë që ushqejnë me gji në vendin e punës, në sektorin publik dhe privat.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Për më shumë informacion, kontaktoni:

Helen Wylie, UNICEF New York, Tel: +1 917 244 2215, hwylie@unicef.org

Jin Ni, WHO Geneva, Tel: +41 22 791 2616, jinn@who.int or mediainquiries@who.int

 

Rreth UNICEF-it

UNICEF punon në vendet më të vështira në botë, për të mbërritur te fëmijët më të pafavorizuar. Ne punojmë në 190 vende dhe territore, për çdo fëmijë, kudo që ai ndodhet, që të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët vizitoni faqen: www.unicef.org Ndiqni UNICEF në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube

Rreth OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë siguron udhëheqje botërore në shëndetin publik në kuadër të sistemit të Kombeve të Bashkuara. Themeluar në vitin 1948, OBSH-ja punon më 194 Shtete Anëtare në gjashtë rajone dhe nga 149 zyra, për të promovuar shëndetin, garantuar që bota është e sigurt, dhe për t'i shërbyer personave të cenueshëm. Synimi jonë për periudhën 2019-2023 është të sigurojmë që një miliard njerëz më shumë të kenë mbulim shëndetësor universal, të mbrojmë një miliard njerëz më shumë nga emergjencat shëndetësore dhe t'i sigurojmë një miliard njerëzve më shumë shëndet dhe mirëqenie më të mirë. 

Për më shumë informacion rreth OBSH-së, vizitoni www.who.int dhe ndiqni OBSH-në në TwitterFacebookInstagramLinkedInTikTokPinterestSnapchatYouTubeTwitch