UNICEF paralajmëron: Mënyrat e papërshtatshme të ushqyrjes e dëmtojnë shëndetin e fëmijëve në mbarë botën

Varfëria, urbanizimi, ndryshimet klimaterike dhe ushqimet e pashëndetshme shpien drejt ushqyerjes së pashëndetshme

21 Tetor 2019
SOWC 2019
UNICEF/Albania/Beci/2019

Në raportin e ri Gjendja e Fëmijëve në Botë 2019: Fëmijët, ushqimi dhe ushqyerja, paralajmëron për një numër të lartë fëmijësh që po vuajnë pasojat e dietave të varfra dhe një sistemi ushqimor joefikas. Të paktën 1 në 3 fëmijë nën moshën 5 vjeç, ose ndryshe 200 milionë fëmijë, janë ose të nënushqyer ose mbipeshë. Thuajse 2 në 3 fëmijë midis moshës 6 muaj dhe 2 vjeç nuk ushqehen me një dietë që e mbështet zhvillimin e trupit dhe trurit të tyre në rritje. Për këtë arsye, ata rrezikojnë të kenë zhvillim të vonuar të trurit, të nxënit e pamjaftueshëm, imunitet të dobët, numër më të lartë infeksionesh, dhe në shumë raste rrezikojne edhe vdekjen.

Në Shqipëri, 11% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç kanë prapambetje në rritje dhe 16% janë mbipeshë, ndërsa 29% e fëmijëve midis moshës 6 muaj dhe 2 vjeç ushqehen me një dietë të shumëllojshme që ka shpeshtësinë e kërkuar të ushqyerjes për moshën e fëmijës.

“Pavarësisht zhvillimeve sociale, kulturore dhe teknologjike në dhjetëvjeçarët e fundit, kemi lënë në harresë faktin bazë:Nëse nuk ushqehen mirë, fëmijët nuk jetojnë mirë,” - u shpreh Henrietta Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.“Miliona fëmijë ushqehen në mënyrë të pashëndetshme thjesht, sepse nuk kanë zgjedhje tjetër. Pikëpamja dhe përgjigjja jonë ndaj kequshqyerjes duhet të ndryshojnë:”Fëmijëve nuk duhet vetëm t’iu japim mjaftueshëm ushqim, por mbi të gjitha duhet t’iu ofrojmë ushqimin e duhur. Kjo është sfida jonë e përbashkët në ditët e sotme.”

Në raport ofrohet vlerësimi më gjithëpërfshirës i kequshqyerjes së fëmijës në të gjitha format e saj, në shekullin 21. Ai përshkruan barrën e trefishtë të kequshqyerjes: Nënushqyerja, uria e fshehur që shkaktohet nga mungesa e lende mikroushqyese, dhe mbipesha te fëmijët nën moshën 5 vjeç, duke theksuar se në mbarë botën:

  • 149 milionë fëmijë kanë prapambetje në rritje ose janë shumë të shkurtër për moshën që kanë,
  • 50 milionë  fëmijë janë shëndet lig  ose janë shumë të dobët për gjatësinë që kanë,
  • 340 milionë fëmijë, ose ndryshe 1 në 2 fëmijë, vuajnë nga mungesa e vitaminave dhe lëndëve ushqyese thelbësore, si vitamina A dhe hekuri,
  • 40 milionë fëmijë janë mbipeshë ose obezë,

Edhe Shqipëria po përballet me barrën e trefishtë të kequshqyerjes, ku krahas prapambetjes në rritje dhe mbipeshës, mungesat në lëndët mikroushqyese, si: anemia dhe pamjaftueshmëria jodike, ende ndikojnë te një në katër (25%) fëmijë nën moshën 5 vjeç dhe një në dy (50%) fëmijë në moshë shkollore.

Raporti paralajmëron që ushqyerja dhe praktikat e ushqyerjes së varfër fillojnë që në ditët e para të jetës së fëmijës. Ndonëse mund të shpëtojë jetë, vetëm 42% e fëmijëve nën moshën gjashtë muaj ushqehen vetëm me gji, dhe një numër në rritje i fëmijëve ushqehen me formulë foshnjore. Në vendet me të ardhura të mesme, si: Brazili, Kina dhe Turqia, gjatë 2008-2014, shitjet e formulave foshnjore u rritën me 72%, kryesisht për shkak të marketimit të papërshtatshëm ose politikave dhe programeve të dobëta për të mbrojtur, për të promovuar dhe për të mbështetur ushqyerjen me gji.

Ndonëse në Shqipëri ekziston një ligj i konsoliduar për Mbrojtjen dhe Promovimin e Ushqyerjes me Gji dhe marketimin e zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, si dhe nisja e hershme e ushqyerjes me gji është rritur ne 57%, ka ende hapësirë për përmirësim pasi vetëm 37% e fëmijëve ushqehen vetëm me gji deri në moshën 6 muaj.

Sipas raportit, ndonëse rreth moshës 6 muaj fillojnë të konsumojnë ushqimet të buta ose të ngurta, shumë fëmijë fillojnë të ushqehen me dietën e gabuar. Në mbarë botën, thuajse 45 për qind e fëmijëve midis moshës 6 muaj dhe 2 vjeç nuk ushqehen me fruta dhe perime. Thuajse 60% nuk hanë vezë, produkte bulmeti, mish ose peshk.

Në Shqipëri, 40% e fëmijëve midis moshës 6 muaj dhe 2 vjeç nuk ushqehen me dietën e shumëllojshme të rekomanduar, me grupe ushqimore që përfshijnë produkte të qumështit, fruta dhe perime, vezë, mish, etj.

Duke u rritur, ekspozimi i fëmijëve ndaj ushqimeve të pashëndetshme bëhet alarmues, orientohet ndjeshëm nga marketimi dhe reklamimi i papërshtatshëm, niveli i lartë i ushqimeve shumë të përpunuara jo vetëm në qytete, por edhe në zonat rurale, si dhe rritja e aksesit ndaj fast food-it dhe pijeve me sheqer të shtuar.

Për shembull, sipas raportit, 42% e adoleshentëve që ndjekin shkollën në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme konsumojnë pije freskuese me gaz dhe sheqer të shtuar të paktën një herë në ditë, dhe të paktën 46% hanë fast food të paktën një herë në javë. Këto përqindje rriten përkatësisht në 62% dhe 49% tek adoleshentët në vendet me të ardhura të larta.

Si rrjedhojë, nivelet e mbipeshës dhe obezitetit në fëmijëri dhe adoleshencë po rriten në mbarë botën. Gjatë periudhës 2000-2016, raporti i fëmijëve mbipeshë midis moshë 5-19 vjeç u dyfishua nga 1 në 10 në thuajse 1 në 5. Në krahasim me vitin 1975, sot vuajnë nga obeziteti dhjetë herë më shumë vajza dhe 12 herë më shumë djem.

Sipas një studimi të vitit 2018 nga FAO dhe Instituti i Shëndetit Publik,ne Shqiperi 17% e fëmijëve në moshë shkollore janë mbipeshë.

Sipas raportit, barra më e madhe e kequshqyerjes në të gjitha format e saj përballohet nga fëmijët dhe adoleshentët në komunitetet më të varfra dhe të margjinalizuara. Vetëm 1 në 5 fëmijë midis moshës gjashtë muaj dhe 2 vjeç nga familje të varfra ushqehet me një dietë mjaftueshëm të shumëllojshme për t’u rritur shëndetshëm. Edhe në vendet me të ardhura të larta, si Mbretëria e Bashkuar, prevalenca e mbipeshës është dy herë më e lartë në zonat e varfra sesa në zonat e pasura.

Pavarësisht prirjes në përmirësim të përqindjes kombëtare, pabarazitë në ushqyerjen e fëmijës janë të pranishme edhe në Shqipëri. Prapambetja në rritje, te fëmijët nën moshën 5 vjeç në pjesën verilindore të vendit,kryesisht Dibra, Kukës është dy herë më e lartë se përqindja mesatare kombëtare; prevalenca e fëmijëve të moshës 6-23 muaj që ushqehen me dietën minimale të pranueshme rriten nga 23% në 31% nga kuntili më i varfër te më i pasuri; anemia dhe pamjaftueshmëria jodike është më e lartë te fëmijët në zonat rurale sesa tek ato urbane.

Krahas kësaj, raporti vëren se fatkeqësitë klimatike shkaktojnë kriza të rënda ushqimore. Për shembull, thatësira është përgjegjëse për 80% të dëmeve dhe humbjeve në bujqësi, duke çrregulluar ndjeshëm ushqimet e disponueshme për fëmijët dhe familjet, si dhe cilësinë dhe çmimin e tyre.

Për ta adresuar këtë krizë në rritje të kequshqyerjes në të gjitha format e saj, UNICEF fton qeverine, sektorin privat, donatorët, prindërit, familjet dhe bizneset, për t’i ndihmuar fëmijët që të rriten shëndetshëm duke:

  1. Fuqizuar familjet, fëmijët dhe të rinjtë për të kërkuar ushqim të shëndetshëm, duke përfshirë përmirësimin e edukimit mbi ushqyerjen dhe përdorimin e legjislacionit të nevojshëm, si taksat mbi sheqerin, me qëllim uljen e kërkesës për ushqime të pashëndetshme.
  2. Orientuar furnizuesit ushqimorë drejt zgjedhjes së duhur për fëmijët, duke nxitur ofrimin e ushqimeve të shëndetshme, të volitshme dhe të përballueshme.
  3. Krijuar mjedise ushqimore të shëndetshme për fëmijët dhe adoleshentët, duke përdorur qasje efikase, si etiketimi i qartë dhe i lehtë për t’u kuptuar, si dhe kontrolli më i lartë i marketimit të ushqimeve të pashëndetshme.
  4. Mobilizuar sistemet mbështetëse të shëndetit, shërbimet sanitare, arsimit dhe mbrojtjes sociale, për të rritur rezultatet e ushqyerjes për të gjithë fëmijët.
  5. Mbledhur, analizuar dhe përdorur të dhëna dhe prova cilësore për të drejtuar veprimet dhe për të monitoruar progresin.

Prej një kohe të gjatë, UNICEF Shqipëri ka qenë dhe vazhdon të jetë, partner i Qeverisë dhe i strukturave të Shoqërisë Civile, që mbështesin Ushqyerjen e Fëmijëve të Vegjël dhe Foshnjave. Aktualisht, vëmendja e programit po zhvendoset nga vitet e para drejt ushqyerjes së fëmijëve në moshë shkollore, duke synuar kontributin në edukimin për ushqyerjen dhe krijimin e mjediseve ushqimore të shëndetshme për fëmijët në moshë shkollore.

UNICEF i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, që të mbështetë miratimin e një Ligji të konsoliduar për Jodizimin Universal të Kripës, që mbetet ndërhyrja më kosto efektive e shëndetin publik për të eliminuar pamjaftueshmërinë jodike.

“Po humbasim beteja në luftën kundër mënyrave të pashëndetshme të  ushqyerjes ”, - u shpreh Fore.“Nuk është luftë që mund ta fitojmë vetëm, ndaj kemi nevojë për ndihmën e qeverisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile për t’i dhënë përparësi ushqyerjes së fëmijëve dhe për të punuar së bashku për adresimin e shkaqeve të ushqyerjes së pashëndetshme në të gjitha format e saj.”

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook