Agjencitë ndërkombëtare, së bashku drejt forcimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve

15 Maj 2018
Child rights
UNICEF/ALB/2018/Olsi Beci

Tiranë, 15 Maj 2018 - UNICEF, OSBE, Save the Children, Terre des hommes dhe World Vision nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi për të koordinuar përpjekjet e tyre me qëllim forcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në nivel qendror dhe lokal.

Sipas kësaj marrëveshje, këto organizata do të bashkëpunojnë për të rritur efektivitetin e punës, impaktin dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të tyre në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në drejtim të:

  1. Rritjes së ndërgjegjësimit të profesionistëve, fëmijëve, prindërve dhe kujdestarëve mbi çështje të mbrojtjes së fëmijëve dhe dhunës;
  2. Rritjes së kapaciteteve, aftësive dhe cilësisë në punë të punojësve dhe aktorëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në nivel qendror dhe lokal;
  3. Mbështetjes së praktikave dhe procedurave në identifikimin, referimin dhe menaxhimin e rasteve;
  4. Marrjes së masave të duhura në mbështjetje të fëmijëve në nevojë për mbrojtje, duke ruajtur interesin më të lartë të fëmijës;
  5. Rritjes të aksesit dhe cilësisë së shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve me qëllim parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve.

Në Shqipëri, vitet e fundit ka pasur ndryshime të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve si: Miratimi i Ligjit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Kodit të Drejtësisë Penale për Fëmijë, në vitin 2017, si dhe plani kombëtar afatgjatë "Axhenda 2020 e Fëmijëve”, i miratuar së fundmi nga qeveria. Këto ndryshime ofrojnë një kornizë ligjore të përmirësuar, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe janë një kornizë e qëndrueshme e politikave për fëmijët në nevojë për mbrojtje.

Megjithatë, ka akoma shumë për të bërë në drejtim të funksionimit të një sistemi gjithëpërfshirës për mbrojtjen e fëmijëve. Vlerësimet dhe rezultatet e deritanishme mbi shërbimet dhe kapacitetin për të luftuar të gjitha format e dhunës janë të dobëta dhe sfidë mbetet zbatimi i politikave. Të tjera sfida janë pamjaftueshmëria e burimeve financiare dhe njerëzore në fushën e shërbimeve të mbrojtjes për fëmijët, në përputhje me standardet e miratuara; ngritja e kapaciteteve të profesionistëve; forcimi i qasjes ndërsektoriale në menaxhimin e rasteve; cilësia e shërbimeve të mbrojtjes për fëmijët në rrezik ose tashmë të prekur nga neglizhimi, abuzimi ose dhuna; krijimi i një sistemi efektiv monitorimi dhe raportimi; rritja e ndërgjegjësimit publik mbi të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe pjesëmarrja aktive e fëmijëve.

“Unë besoj fuqimisht se kjo letër bashkëpunimi do të shërbejë si bazë për një përgjigje të qëndrueshme, koherente dhe efektive ndaj sistemit të mbrojtjes së fëmijëve për Shqipërinë. Ne jemi të përkushtuar që të mbështesim Qeverinë e Shqipërisë për të përmbushur detyrimet e saj sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës për të siguruar zbatimin e ligjeve të miratuara së fundmi”- u shpreh Roberto De Bernardi, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri.

Kontaktet e medias

Anila Miria

Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun

UNICEF

Tel: +35569 20 29 021

Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook