Institucionet publike në shërbim të nxitjes së aftësive të gjelbra të nxënësve të shkollave profesionale
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 29 prill 2025 - Shkollat e mesme për arsim profesional dhe trajnim (APT) nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me gjashtë institucione publike për ta mbështetur zhvillimin e aftësive të gjelbra të nxënësve përmes mësimdhënies praktike.
Institucionet publike përfshijnë Byronë Hidrometeorologjike, Observatorin Sizmologjik në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Transportin hekurudhor shtetëror, Infrastrukturën hekurudhore shtetërore, Kadastrin Publik dhe Postën shtetërore.
“Përderisa shënojnë rritje sfidat mjedisore, rritet edhe nevoja për një fuqi punëtore profesionale, e aftë për të ndihmuar në avancimin e elasticitetit dhe qëndrueshmërisë ndaj klimës. Ne, e aftësojmë brezin e ardhshëm për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe elastike, përmes nxitjes së kuptimit të thellë të çështjeve mjedisore dhe përmes ofrimit të mundësive për adoleshentët në zhvillimin e aftësive praktike,” tha Kjaruçi, zëvendës përfaqësuese e UNICEF-it.
"Mësimi në bankat shkollore përfiton vlerë të vërtetë, pasi nxënësi e përfundon shkollimin dhe përballet me botën reale. Prandaj, arsimi praktik - veçanërisht ai që realizohet në kushte reale, në institucione dhe kompani - është një segment kyç në procesin e formimit të personelit cilësor, të aftë dhe kompetent”, tha Besnik Zendeli, drejtor i Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim.
“Si sistem biznesi - me mbi 5.500 persona që i përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre për ta bërë biznesin tonë më të suksesshëm – ne thellësisht besojmë se arsimi me cilësi të lartë dhe i vazhdueshëm, si dhe zhvillimi i aftësive të gjelbra dhe atyre digjitale për shekullin e 21-të, janë me rëndësi thelbësore si për shoqërinë, po ashtu edhe për ekonominë. Në këtë mënyrë në të ardhmen, fëmijët dhe të rinjtë tanë do të jenë të përgatitur për tregun modern të punës, si dhe njëkohësisht do të kenë njohuri të nevojshme për t’u përballur me sfidat e paraqitura nga ekonomia globale, e cila bëhet gjithnjë e më dinamike. Përmes bashkëpunimit me UNICEF-in, institucionet publike dhe sektorin privat, qëllimi ynë është ta tejkalojmë hendekun midis të mësuarit dhe punësimit, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në një të ardhme më të mirë”, tha Sashko Blazhevski, drejtor ekzekutiv i Nelt ST. Po ashtu, ai shtoi se është alokuar një investim prej 330,000 dollarësh me qëllim të përmirësimit të aftësive të 500 nxënësve nga 20 shkollat e arsimit profesional dhe trajnimit, përmes mësimdhënies praktike dhe stazheve verore, me fokus në rritjen e aftësive të gjelbra.
Ky eveniment është pjesë e iniciativës, e cila synon t'u ofrojë mbi 500 nxënësve në arsimin profesional trajnim praktik, mësim në punë dhe praktika verore në institucionet publike dhe shkencore në të gjithë vendin, duke i përgatitur ata të kontribuojnë në qëndrueshmërinë mjedisore dhe kalimin në ekonominë e gjelbër përmes profesioneve të tyre të zgjedhura.
Partneritetet e reja midis shkollave të APT-së dhe institucioneve publike janë rezultat i bashkëpunimit midis UNICEF-it, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qendrës për APT, me mbështetje financiare nga sektori privat, grupi Nelt dhe Suedia.
UNICEF-i e mbështet Qendrën për Arsim Profesional në zhvillimin e programeve mësimore të gjelbra, për ta lehtësuar trajnimin e mësuesve dhe mentorëve, si dhe për ta lehtësuar mësimdhënien praktike, për të siguruar që të gjithë nxënësit e APT-së të mund të mësojnë rreth mjedisit dhe klimës nën prizmin e profesionit të tyre.
Përderisa nxënësit e përfshirë në arsimin profesional kanë pasur mundësi të tjera për trajnim praktik në institucionet publike, kjo është hera e parë që institucionet publike angazhohen në përpjekje sistematike për t’i përgatitur nxënësit për karriera, të cilat e nxisin tranzicionin e gjelbër në vend. Nxënësit pjesëmarrës vijnë nga shkolla të specializuara në makineri, transport, shpedicion mallrash dhe logjistikë, veterinari, kimi, ndërtimtari, arkitekturë, drejtësi, ekonomi dhe inxhinieri elektrike.
Më shumë partneritete do të pasojnë, me mbi 40 institucione shkencore dhe publike, të cilat pritet t’i hapin dyert e tyre për nxënësit dhe të ofrojnë përvojë domethënëse praktike, që do t'i përgatisë ata më mirë për kërkesat në zhvillimin e tregut të punës.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.