Mbrojtja e fëmijëve
Çdo fëmijë meriton të rritet i sigurt
- English
- Македонски
- Shqip
Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet pa frikë, dhunë dhe abuzim, të ndihet i sigurt, i mbrojtur dhe i mbështetur për t’u rritur, për të mësuar dhe për të përparuar – në shtëpi dhe në komunitet.
Në Maqedoninë e Veriut është shënuar përparim i rëndësishëm, ndonëse për shumë fëmijë, ky premtim ende nuk është përmbushur.
Sfida
Dhuna ndaj fëmijëve mbetet një realitet i fshehur, por i përhapur gjerësisht në Maqedoninë e Veriut, që shpesh ndodh në shtëpi, shkolla dhe komunitete – vende ku fëmijët duhet të ndihen më të sigurt..
Për shumë fëmijë, dhuna nuk paraqet një përvojë të izoluar. Ajo është pjesë e jetës së përditshme. Të dhënat tregojnë se mbi dy të tretat e fëmijëve të moshës 1 deri në 14 vjeç përjetojnë disiplinë të dhunshme në shtëpi, duke përfshirë agresion psikologjik dhe ndëshkim fizik.
Ndërsa fëmijët rriten, dhuna i ndjek edhe në hapësira të reja. Pothuajse një në katër adoleshentë të moshës 13-15 vjeçare raportojnë se janë bullizuar, duke e bërë atë një nga format më të zakonshme dhe më të dukshme të dhunës ndaj fëmijëve. [unicef.org]
Për disa fëmijë, rreziqet janë edhe më serioze. Qindra prej tyre kanë qenë viktima të dhunës seksuale në vitet e fundit, duke zbuluar mangësi kritike në sistemet e mbrojtjes dhe nevojën urgjente për parandalim dhe reagim më të fuqishëm.
Këto përvoja nuk ndodhin të izoluara. Shpeshherë dhuna është e ndërlidhur - në shtëpi, në shkollë dhe gjithnjë e më shumë në internet - duke krijuar cikle abuzimi, që mund të ndikojnë në çdo aspekt të jetës së një fëmije.
Po ashtu po shfaqen rreziqe të reja. Fëmijët sot rriten në mjedise digjitale, ku dhuna dhe abuzimi nuk kufizohen vetëm në hapësirat fizike, ndërsa adoleshentët përballen gjithnjë e më shumë me sfida të shëndetit mendor, të cilave shpesh nuk u kushtohet vëmendja e nevojshme.
Megjithëse ekzistojnë sisteme për mbrojtjen e fëmijëve, shumë prej tyre ende mbeten të pambrojtur. Shërbimet nuk janë gjithmonë të qasshme, institucionet jo gjithmonë reagojnë në kohë ose në mënyrë të koordinuar, dhe fëmijët jo gjithmonë arrijnë të marrin mbështetjen që u nevojitet, pikërisht atëherë kur kanë më shumë nevojë për të.
Për shumë fëmijë, kjo do të thotë se dhuna nuk parandalohet në kohë, ndërsa mbrojtja vjen shumë vonë.
Zgjidhja
Mbrojtja e fëmijëve është më shumë sesa thjesht reagim ndaj dëmit – ajo nënkupton ndërtimin e sistemeve që e parandalojnë atë, e zbulojnë herët dhe reagojnë në mënyra që i vënë vërtet fëmijët në qendër.
UNICEF punon mu në këtë drejtim, së bashku me Qeverinë dhe partnerët për të nxitur ndryshime të qëndrueshme.
Fokusi është vënë në forcimin e sistemeve në të cilat çdo ditë mbështeten fëmijët – duke filluar nga shërbimet sociale dhe shkollat deri te shëndetësia dhe drejtësia. Këto sisteme duhet të punojnë së bashku, të reagojnë më shpejt dhe të arrijnë te çdo fëmijë që ka nevojë për to.
Gjithçka fillon me parandalimin. Duke mbështetur prindërit, duke përfshirë komunitetet dhe duke ndryshuar normat shoqërore, në mënyrë që dhuna të mos pranohet dhe as të mos injorohet më. Sepse mënyra më e mirë për t’i mbrojtur fëmijët është të parandalohet dëmi para se të ndodhë.
Më pas vijnë shërbimet më të forta dhe më të koordinuara. Kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë, sistemi reagon si një i vetëm – shpejt, me efektivitet dhe me kujdes. Fëmijët marrin mbështetjen e nevojshme pa vonesa, pa mbivendosje dhe pa trauma të mëtejshme.
Kjo gjithashtu do të thotë të arrish tek ata që janë më në rrezik. Të sigurohesh që shërbimet të jenë gjithëpërfshirëse, të arritshme dhe të projektuara me barazinë në mendje – në mënyrë që varfëria, aftësia e kufizuar, gjinia apo diskriminimi të mos përcaktojnë nëse një fëmijë do të mbrohet apo jo.
Fëmijët në kontakt me ligjin, qoftë si viktima, dëshmitarë apo në konflikt me ligjin, meritojnë përgjigje që mbështesin të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Kjo do të thotë procedura miqësore për fëmijët, profesionistë të trajnuar dhe qasje të informuara për traumën, në mënyrë që fëmijët të mund të ecin përpara me mbështetje dhe kujdes.
Përderisa evoluojnë rreziqet për të gjithë fëmijët, natyrisht se duhet të evoluojë edhe kundërpërgjigja ndaj rrezikut. Nga siguria në internet deri te mbështetja për shëndetin mendor, sistemet e mbrojtjes së fëmijëve duhet të përshtaten me realitetet, me të cilat sot përballen fëmijët.
Në themel të gjithë kësaj qëndrojnë të dhëna më cilësore, politikat më të mira, fuqia punëtore e mbështetur mirë dhe investimet e qëndrueshme - sigurimi i mbrojtjes jo vetëm që është i mundur, por edhe i besueshëm, i qëndrueshëm dhe mjaftueshëm i fortë për të depërtuar te secili fëmijë.
Një e ardhme më e sigurt për secilin fëmijë
Një fëmijëri pa dhunë nuk është privilegj - është një e drejtë.
Ndryshimi i vërtetë ndodh kur sistemet punojnë së bashku, kur shërbimet kanë qasje te ata që kanë më shumë nevojë për to dhe kur parandalimi bëhet përparësi. Jo vetëm për fëmijë individualë, por për të gjithë komunitetet dhe brezat e ardhshëm.
Sepse mbrojtja e fëmijëve nuk do të thotë vetëm mbrojtje sot - ajo hedh themelet për një shoqëri më të fortë, më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të nesërmen.
Dhe gjithçka fillon me një premtim të rëndësishëm: siguri për çdo fëmijë, kudo.