Roli jetik i shërbimeve të patronazhit: qasja te secili fëmijë përballë sfidave në rritje
Vizitat në shtëpi ndihmojnë në plotësimin e boshllëqeve të pabarazisë dhe mbështesin fëmijët që ta përmbushin potencialin e tyre të plotë
- English
- Македонски
- Shqip
Në një lagje rome në fshatin Allgunja, të Maqedonisë së Veriut, rreth 20 kilometra në veri të Kumanovës, Marijana 26-vjeçare dhe bashkëshorti i saj Stefani, prindër të Teos 8-vjeçar dhe Jakovit dy-muajsh, e mirëpresin në shtëpinë e tyre infermieren e kujdesit shëndetësor. Sllagjana, infermiere nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, ofron shërbime polivalente të vizitave në shtëpi për gratë shtatzëna, nënat e reja, të porsalindurit, foshnjat dhe fëmijët. Ajo gjithashtu mbështet anëtarët e tjerë të familjes, veçanërisht të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Gjatë vizitës, Sllagjana e kontrollon kalendarin e imunizimit të foshnjës - ai tashmë i ka marrë vaksinat për BCG dhe hepatitit B. Ajo ia përkujton nënës se të vaksinat tjera në orar janë kundër virusit Rota dhe pneumokoka.
Derisa flasin mbi ushqyerjen me gji, zhvillimin e foshnjës dhe shqetësimet e Marijanës në lidhje me aneminë, Sllagjana e prezanton aplikacionin Bebbo. Së bashku, ato e shqyrtojnë një fletëpalosje, e cila i përshkruan veçoritë e aplikacionit.
Pavarësisht se jeton në një fshat të largët me burime të pakta, Marijana është e familjarizuar me botën digjitale, madje është kureshtare, andaj edhe me lehtësi e shkarkon aplikacionin. Infermierja e kujdestarisë shpjegon se Bebbo - i zhvilluar nga UNICEF për Evropën dhe Azinë Qendrore - ofron këshilla prindërore nga ekspertë mbi shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, duke përfshirë ushqyerjen, gjidhënien, mësimin e hershëm, prindërimin e përgjegjshëm dhe mirëqenien prindërore.
Para se të largohet, Sllagjana ia kontrollon tensionin e gjakut gjyshes dhe ofron këshilla për vakte të ekuilibruara. Vizita e saj bën që familja të ndihet nën përkujdesje dhe e fuqizuar.
Kur të kthehet në qendrën shëndetësore, Sllagjana do ta regjistrojë vizitën në sistemin Takimi Im (Moj Termin), duke përfshirë informacione të rëndësishme në lidhje me shëndetin dhe kushtet e jetesës së familjes, si pjesë e regjistrit shtetëror për vizitat në shtëpi. Ndonëse sistemi i regjistrimit është i digjitalizuar dhe i integruar në platformën e-shëndeti, rreth vetëm 60% e infermierëve të patronazhit e përdorin atë - shpesh për shkak të mungesës së burimeve të IT-së. Sipas vlerësimit funksional të vizitave në shtëpi, të mbështetur nga UNICEF për vitin 2022, cilësia e shërbimeve të patronazhit dhe mënyra se si ato funksionojnë ndryshon ndjeshëm midis komuniteteve dhe qendrave shëndetësore anekënd vendit.
Sfidat e profesionit dhe rruga më tej
Gjatë pandemisë KOVID-19, kur u ndërprenë shërbimet bazë si vizitat në shtëpi, si familjet ashtu edhe infermieret kërkuan mënyra të dobishme për ta vazhduar komunikimin e tyre. Ato filluan me telefonata, pastaj kaluan në Viber, duke shkëmbyer fotografi dhe video.
“Kam pas pranuar shumë fotografi të kërthizave të të porsalindurve; kishim video thirrje për të ndihmuar në gjetjen e pozicionit më të mirë për ushqyerjen me gji dhe për të kapërcyer frikën e mosveprimit të duhur ose të pamundësisë për ta ushqyer mjaftueshëm foshnjën me qumësht gjiri…” thotë Sllagjana. Në shumë raste, ky komunikim nga distanca ka vazhduar edhe pas pandemisë, për fat të keq ndonjëherë duke zëvendësuar tërësisht vizitat fizike.
Ajo pranon se vizitat janë më të rralla se më parë dhe gjërat po ndryshojnë. Faktet, me të cilat disponon e UNICEF-i, tregojnë se fuqia punëtore po plaket dhe pas daljes në pension zakonisht nuk zëvendësohet me persona të tjerë; infermierët e mbetur të patronazhit sistemohen në detyra spitalore; ka mungesë të praktikave standarde dhe kornizave rregullatore; ka mungesa rreth financimit dhe burime të pamjaftueshme si transporti, telefonat celularë dhe qasja në internet, si dhe mungesë të iniciativave dhe njohjes.
Sllagjana ka shërbyer si infermiere patronazhi për 35 vjet. Ajo, së bashku me dy kolege nga Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, këtë vit do të dalin në pension. Aktualisht, shumica e infermiereve të patronazhit në Maqedoninë e Veriut janë mes moshës 50 dhe 60 vjeçare, që do të thotë se një pjesë e madhe do të dalin në pension në 5-7 vitet e ardhshme. Pa përpjekje të konsiderueshme për të tërhequr dhe mbajtur staf të ri, do të jetë në rrezik qëndrueshmëria e shërbimit.
Infermieret patronazhi janë shpesh profesionistet e para - dhe nganjëherë të vetmet - që hyjnë në shtëpinë e një familjeje, duke i vendosur ata në një pozicion unik për të identifikuar, vëzhguar dhe raportuar mbi një spektër të gjerë çështjesh, nga disiplina e dhunshme e deri te vonesat në zhvillim. Megjithatë, disponueshmëria e këtyre shërbimeve nuk është e qëndrueshme në të gjithë vendin. Kjo shpërndarje e pabarabartë ndikon në mënyrë disproporcionale në zonat rurale dhe komunitetet e cenueshme, siç janë familjet rome, të cilat shpesh kanë më shumë nevojë për këtë mbështetje.
Në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë, OBSH-në dhe Shoqatën e Infermierëve dhe Mamive, UNICEF-i ndihmon në fuqizimin e mëtejshëm të sistemit të infermiereve të patronazhit, duke e intensifikuar mbështetjen për të porsalindurit më të cenueshëm dhe prindërit e tyre dhe duke e përmirësuar pakon e vizitave në shtëpi për t’i mbuluar rreziqet e reja zhvillimore, shëndetësore, mjedisore dhe nutritive.
Kujdesi i duhur në fazën e parë të jetës së një fëmije është si shpëtimtar ashtu edhe formësues i jetës. Kjo është arsyeja pse infermierët e patronazhit të motivuara, të trajnuara dhe të mbështetura mirë si Sllagjana janë me rëndësi jetike për t’i ndihmuar familjet të lulëzojnë - jo vetëm duke monitoruar shëndetin dhe rritjen e foshnjave si Jakovi, por edhe duke ndërtuar besim, duke ndarë njohuri dhe duke fuqizuar familjet për ta rritur brezin e ardhshëm fuqishëm dhe me shumë kujdes.