“Wadada News”(Lajmet Wadada) në Mal të Zi, lajme televizive për fëmijë, në dispozicion përsëri

Pas një pauze një vjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit, programi i lajmeve televizive i përgatitur nga reporterët e rinj të UNICEF-it dhe TVCG Deskut për Fëmijë fillon përsëri sot në TVCG Kanali 1

UNICEF Mali i Zi
Wadada Montenegro
UNICEF Mali i Zi
09 Prill 2021

PODGORICË, 03 PRILL 2021 - Pas një pauze një vjeçare për shkak të pandemisë së koronavirusit, fëmijët dhe të rinjtë e Malit të Zi do të kenë prapë mundësinë të shikojnë lajmet televizive të përgatitura nga reporterët e rinj të UNICEF-it dhe TVCG Desku për Fëmijë, në TVCG Kanali 1 çdo të shtunë dhe të diele në orën 19:00. Ky është një program unik lajmesh për fëmijë dhe të rinj në Mal të Zi.

Jemi të lumtur që po rikthejmë bashkëpunimin me TVCG Desku për Fëmijë për të zhvilluar “Wadada News” në Mal të Zi (Wadada Vijesti Crna Gora). Gjatë pandemisë, na ka munguar ky program televiziv për të rinjtë dhe në kuadër të tij do përpiqemi të mbulojmë, për aq sa është e mundur, të gjitha temat që na interesojnë, të cilat nuk janë gjithmonë në fokusin e programeve tona të lajmeve në media, sepse ato të gjitha janë bërë vetëm për të rritur.

Bojana Zhizhiq, reportere e re e UNICEF-it

Përvojat nga vendet e tjera tregojnë se lajmet e “Wadada TV” për të rinjtë janë një nga emisionet më të popullarizuara në mesin e familjeve, pra shikohen jo vetëm nga fëmijët dhe të rinjtë por edhe nga prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes, sepse është një program informues që mes tjerash trajton të njëjtat tema si programet e lajmeve për të rriturit, por raporton rreth tyre në një mënyrë që është më interesante për t'u ndjekur dhe më lehtë për t'u kuptuar nga fëmijët dhe të rinjtë.

Një edicion special i lajmeve televizive për fëmijë dhe të rinj do të përmirësojë cilësinë e programeve që u ofrojmë familjeve në Mal të Zi gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi. Pjesëmarrja aktive e të rinjve në prodhimin e saj e bën atë unik. Ne po presim me padurim t'u ofrojmë të rinjve këtë lloj aktiviteti dhe përmbajtje mediatike gjatë krizës, gjatë së cilës ka pasur mungesë të aktiviteteve kulturore dhe sportive dhe kur mësimi për shumë pre tyre organizohet online.

 

Milena Janjusheviq, Redaktore e Deskut për Fëmijë në TVCG

Desku i fëmijëve në TVCG, me mbështetjen e UNICEF dhe Agjencisë për Media Elektronike të Malit të Zi, e ka nisur këtë program televiziv të lajmeve për të rinjtë në prill të vitit 2019 si pjesë e fushatës së shkrim-leximit mediatik “Të zgjedhim se çka shikojmë”. “Wadada News” në Mal të Zi prodhohet në përputhje me formatin e njohur ndërkombëtarisht të lajmeve televizive për të rinjtë “Wadada News for Kids” [shq. Lajmet Wadada për fëmijë], i cili transmetohet me sukses në mbi 20 vende të botës dhe është prezantuara nga organizata jo-fitimprurëse Holandeze “Free Press Unlimited”. Edicioni malazez i “Wadada News for Kids” do të jetë i disponueshëm si pjesë e bibliotekës ndërkombëtare të videove që përdoret nga të gjitha vendet anëtare të këtij rrjeti. Kjo do të thotë që lajmet e bëra nga të rinjtë në Mal të Zi mund të përkthehen dhe transmetohen edhe në vende të tjera,

“Wadada News” për Malin e Zi u nis në bazë të rezultateve të sondazhit të parë kombëtar në lidhje me fëmijët, prindërit dhe mediat në Malin e Zi të kryer si pjesë e fushatës për shkrim-leximin e medias #BirajmoŠtaGladamo (Të zgjedhim se çka shikojmë). Ndër të tjera, ky sondazh tregoi se më pak se një e treta e prindërve (29%) dhe fëmijëve (27%) besojnë se ka mjaft programe në kanalet televizive malazeze të adaptuara për fëmijë të moshave të ndryshme, të cilat janë interesante, të dobishme, frymëzuese për ta dhe kanë një funksion arsimor, si dhe se një në çdo dy fëmijë në vendin tonë dëshiron të marrë pjesë në prodhimin e programeve mediatike për fëmijë dhe të rinj.