Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi
Nën udhëheqjen e Juan Santander, UNICEF-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e një shoqërie që siguron të drejta dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë në Mal të Zi

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 16 QERSHOR 2020 – Juan Santander, një shtetas spanjoll dhe argjentinas, fillon mandatin e ri sot si Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.
Pas shumë vitesh përvoje ndërkombëtare me UNICEF-in në Irak, Jemen, Liban, Venezuelë dhe Tajlandë, Santander mezi po pret të punojë me partnerët e UNICEF-it në Mal të Zi.
UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një shoqërie që siguron të drejta dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë në Mal të Zi.
Pas konsultave me Qeverinë e Malit të Zi, Santander u emërua Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi nga Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Henrietta Fore. Para angazhimit të tij në Malin e Zi, Santander shërbeu si zëvendëspërfaqësues për UNICEF-in në Tajlandë dhe Venezuelë. Para kësaj, ai punoi si Shef për Politika Sociale, Planifikim, Monitorim dhe Vlerësim në Liban, Shef për Planifikim, Monitorim dhe Vlerësim në Jemen dhe Specialist i Menaxhimit të Njohurive në Irak. Para se t’i bashkohej UNICEF-it, Santander punoi për Misionin e Ndihmës të Kombeve të Bashkuara në Irak dhe për UNDP-në në Irak.
Santander ka një diplomë Master në Studime Globale nga Universiteti Albert Ludwig, një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze gjermane dhe evropiano-perëndimore të arsimit të lartë. Ai flet rrjedhshëm anglisht, spanjisht dhe frëngjisht.
Santander është Përfaqësuesi i katërt i UNICEF-it në Mal të Zi që kur vendi rifitoi pavarësinë e tij në vitin 2006. Gjatë mandatit të paraardhësve të tij - Osama Khogali, Benjamin Perks dhe Nola Skinner – UNICEF-i mbështeti Malin e Zi për të bërë përparim të dukshëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve pa kujdes prindëror, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, rritjen e mbulimit të fëmijëve në arsimin parashkollor, përmirësimin e cilësisë së arsimit formal dhe joformal, shkrim-leximin (edukimin) mediatik, dhe pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri, etj.