Zërat e të rinjve para zgjedhjeve në Podgoricë

Para zgjedhjeve komunale në Podgoricë, raportuesit e rinj të UNICEF-it në Mal të Zi angazhohen për të drejtat dhe shërbimet e fëmijëve dhe të rinjve

UNICEF Mali i Zi
Mladi reporteri pred izbore - Lana
UNICEF Mali i Zi/Željko Bracanović/2024
09 Shtator 2024

PODGORICË, 9 shtator 2024 – Raportuesit e rinj të UNICEF-it në Mal të Zi kanë vendosur të fillojnë një fushatë për t’i vënë çështjet e të rinjve në ballë të zgjedhjeve në kryeqytet këtë muaj.

“Shumë vajza dhe djem do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Ne duam të vendosim për kë të votojmë në bazë të asaj se çfarë secila listë do të bëjë për t’i adresuar çështjet që janë më të rëndësishme për fëmijët dhe të rinjtë në kryeqytet”, tha raportuesja e re e UNICEF-it në Mal të Zi, Lana Jovanovic.

Video mesazhe të të rinjve nga Podgorica lidhur me kërkesat e tyre për pushtetin e ardhshëm komunal në Podgoricë do të publikohen në llogarinë e Zyrës së UNICEF-it në Mal të Zi në TikTok dhe kanale të tjera të rrjeteve sociale gjatë periudhës para zgjedhjeve.

“I ftojmë të gjitha mediat dhe gazetarët që t’i pyesin kandidatët politikë se çka do të bëjnë për t’i mbrojtur dhe promovuar të drejtat e fëmijëve, si dhe për t’i përmirësuar shërbimet miqësore për fëmijët/të rinjtë dhe çështjet me prioritet. I ftojmë që t’i përdorin mesazhet nga fushata jonë për të rinjtë për këtë qëllim”, tha raportuesi i ri i UNICEF-it në Mal të ZI, Arsenije Aleksa Mrakovic.

Nga zgjidhja e çështjeve që i prek fëmijët dhe të rinjtë do të përfitojnë të gjitha familjet dhe qytetarët e Podgoricës. Mbështetje më e madhe për fëmijët që jetojnë në varfëri apo rrezikohen nga varfëria dhe ata pa kujdes prindëror; mundësi të barabarta dhe shërbime gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe minoritetin Rom dhe minoritetet tjera; mundësi më të mira për zhvillimin e aftësive dhe punësim për adoleshentët/të rinjtë; më shumë aktivitete të rregullta dhe pa pagesë në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit për të gjitha vajzat dhe djemtë nga vitet e para të jetës; mbrojtje më e madhe mjedisore dhe rritje të hapësirave të gjelbra; rrugë më të sigurta për të gjitha vajzat dhe djemtë – këto janë disa nga kërkesat që i kanë të rinjtë në Podgoricë për pushtetin e ardhshëm lokal, i cili do të zgjidhet më 29 shtator.                                                                                

Mladi reporteri pred izbore - Arsenije
UNICEF Mali i Zi/Željko Bracanović/2024

Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve thekson se çdo vajzë dhe djalë ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha vendimet që i prekin jetët e tyre. 

“Nëpërmjet kësaj fushate të raportuesve të rinj, UNICEF-i mbështet pjesëmarrjen e të rinjve në politikë gjatë zgjedhjeve lokale shumë të rëndësishme për vendin. Demokraci e shëndetshme është ajo e cila i dëgjon fëmijët dhe të rinjtë, sepse të gjithë qytetarët duhet të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta që nga lindja”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it në Mal të Zi, Michele Servadei.

Sipas të dhënave më të fundit, fëmijët e moshës deri në 18 vjeç përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullsisë së Malit të Zi, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë deri në 29 vjeç përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së përgjithshme.

Analiza dhe raporte të shumta të UNICEF-it për fëmijët në Mal të Zi në vitet e fundit tregojnë për probleme urgjente në lidhje me varfërinë e fëmijëve, dhunën, arsimin dhe shëndetin, të cilat duhet të adresohen si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar.

Mesazhet e të rinjve për zgjedhjet në Podgoricë janë në dispozicion në UNICEF Mali i Zi TikTok.